Lokale
Ramnabuç: Nëna e shpëton nga mina (video)
Në fshatin Ramnabuç të komunës së Bujanocit një banorë ka shpëtuar nga mina këmbësorisë, falë nënës së tij.
Ngjarja kishte ndodhur gjatë kësaj vere kur Mitat Azizi me vëllan, po pastronin hapësirën afër shtëpisë nga gjethet e thata për tu mos rrezikuar shtëpia nga zjarret që kishin përfshirë malësinë e Bujanocit.
Gjatë vazhdimit të punimeve për pastrimin e kësaj hapësire, nëna ishte ajo që kishte thirrur djemtë e saj, të cilët iu kishin përgjigjur, dhe kështu për fat nuk kanë vazhduar punimet në drejtim të minës e cila ishte vetëm 50cm nga këmbët e Mitat Azizit.
“Për një moment na ka ftuar nëna mua dhe vëllaun, kështu që po të mos kishte thirr nëna unë me siguri se do të kisha shkelë mbi minë”, shpjegoi Azizi këtë ngjarje, e cila do të mund të ishte me fatalitet për të, raporton RTB.
Siç shpjegoi banori i Ramnabuçës, Mitat Azizi, pasi kishte përfunduar bisedën me nënën e tij, kishte vazhduar pastrimin aty ku e kishte lënë dhe me këtë rast ka vërejtur minën këmbësore, pas së cilës ka njoftuar stacionin policor në fshatin Muhoc.
Për të asgjësuar këtë minë që ishte rreth 50 metra nga shtëpia e Azizit, sot në këtë vendbanim ishin prezent ekipi deminues nga Beogradi i cili në mënyrë të suksesshme ka zhdukur mjetin shpërthyes.
Ngjarjen e ka përcjell nga afër edhe mbrojtja civile pranë komunës së Bujanocit. Përfaqësuesi i saj Ali Asllani tha se këtë verë përveç zjarreve problem të madh i kanë sjellë edhe minat që janë gjet në lokacione të ndryshme.
“Në këtë rast fjala është për një minë të këmbësorisë e cila është mjaft e rrezikshme. Mjeti është marrë dhe transportuar për në një vend të sigurt ku do të bëhet edhe shpërthimi i kontrolluar”, tha me këtë rast Asllani.
Mina e cila rrezikoi jetën, jo vetëm Mitat Azizit, por edhe shumë banorëve të tjerë që përdorën rrugën afër së cilës u gjet ajo, tani është e sigurt./Titulli.com/
http://youtu.be/48VPH8ks0to
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!