Serbia zvarrit njohjen e diplomave nga Kosova
Janë me qindra kuadro e të rinj të Luginës së Preshevës që me vite të tëra po presin njohjen e diplomave të tyre nga autoritetet e Beogradit.
Autoritetet serbe vite me radhë nuk kishin njohur diplomat e universiteteve të Shqipërisë dhe Kosovës, por ishin problematike deri në një kohë edhe diplomat që vinin nga Universiteti i Tetovës, derisa ishte i panjohur edhe nga autoritetet shtetërore në Maqedoni.
Por, më problematike ishin diplomat e lëshuara nga universitetet e Kosovës, transmeton ina. Për shkak të simboleve të shtetit të Kosovës dhe simboleve të tjera, Serbia injoroi njohjen e tyre duke i shpallur të pavlefshme. Por, me marrëveshjet e fundit në Bruksel në negociatat midis dy vendeve ka nisur procesi i njohjes.
Trupi Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë ka deklaruar se 400 diploma janë dërguar për nostrifikim në Beograd. Siç bëhet e ditur, 374 kanë marrë shenjën pozitive, ndërsa prej 284 të tyre janë nostrifikuar dhe vetëm 10 kanë marrë përgjigje negative. Nuk është saktësuar se këto diploma a janë të gjitha nga Kosova. /Titulli.com/