Serbia voton për ndryshime kushtetuese
Qytetarët e Serbisë, më 16 janar të vitit 2022, do të deklarohen me “po” apo “jo” për një pyetje: “A jeni për konfirmimin e aktit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë?”.
Kjo do të jetë pyetja në referendumin që do të vendosë nëse Serbia do të ndryshojë Kushtetutën, pra aktin më të lartë juridik në vend.
Ndryshimet kanë të bëjnë me gjyqësorin dhe Serbia është obliguar për to në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE). Siç kanë shpjeguar vazhdimisht përfaqësuesit e BE-së, qëllimi i ndryshimit të Kushtetutës së Serbisë është që të arrihet një gjyqësor i pavarur, pa ndikim politik dhe për sundim të ligjit.
Njëkohësisht,këto janë kushtet kryesore për përparimin në integrimet evropiane dhe për anëtarësimin e Serbisë në BE.
Nëse ndryshimet miratohen, sipas autoriteteve të Serbisë, politika do të përjashtohet nga zgjedhja e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Çfarë ndryshohet në Kushtetutë?
Është propozuar që Kushtetuta të ndryshohet në seksionet Gjykatat dhe Prokuroria Publike, si dhe në disa nene të tjera që rregullojnë gjyqësorin.
“Argumenti bazë për ndryshimin e Kushtetutës në fushën e drejtësisë është fakti se Kushtetuta aktuale i lë shumë hapësirë ndikimit të pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv në zgjedhjen e titullarëve të funksioneve gjyqësore”, thuhet në shpjegimin brenda propozimit të miratuar nga Qeveria e Serbisë.
Brenda këtij propozimi të miratuar vlerësohet se ky ndikim “mund të çojë në politizim të padëshiruar të gjyqësorit”.
Më 30 nëntor, ministrja e Drejtësisë e Qeverisë së Serbisë, Maja Popoviq, sqaroi se politika përjashtohet nga zgjedhja e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Sipas ndryshimeve në Kushtetutë, këtë do ta vendosin dy organe të pavarura, të cilat duhet të konstituohen pas referendumit.
Gjyqtarët do të zgjidhen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, ndërkaq prokurorët nga Këshilli i Lartë i Prokurorëve.
Këshilli i Lartë Gjyqësor është një organ i pavarur, autonom, i cili tashmë ekziston, por me ndryshimet në Kushtetutë, anëtarët e tij do të rizgjidhen sipas një procedure të re.
Sipas njoftimeve të ministres Popoviq, Këshilli i Lartë Gjyqësor do të përbëhet nga gjashtë gjyqtarë të zgjedhur nga kolegët e tyre, katër anëtarë nga radhët e juristëve të shquar të zgjedhur me shumicën e dy të tretave të deputetëve të Kuvendit, si dhe nga kryetari i Gjykatës së Lartë, sipas pozitës.
Sipas Kushtetutës aktuale, të miratuar në vitin 2006, gjyqtarët janë zgjedhur nga deputetët në Kuvendin e Serbisë për të ashtuquajturin mandat provues trevjeçar, në mënyrë që më pas, Këshilli i Lartë Gjyqësor i zgjidhte për një mandat të përhershëm.
Kur bëhet fjalë për zgjedhjen e prokurorëve, ata do të zgjidhen nga Këshilli i Lartë i Prokurorëve, si një organ i pavarur që siguron dhe garanton pavarësinë e asaj dege të drejtësisë.
Këshilli i Lartë i Prokurorëve do të zëvendësojë Këshillin ekzistues të Prokurorëve të Shtetit.
Siç ka paralajmëruar ministrja Popoviq, nëse miratohen ndryshimet, pesë anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorëve do të zgjidhen nga prokurorët, katër do të zgjidhen nga Kuvendi me propozimin e komisionit kompetent dhe me shumicë prej dy të tretave, ndërkaq prokurori i Lartë Publik dhe ministri i Drejtësisë, janë anëtarë sipas pozitës.
Prokurorët deri më tani i janë propozuar Kuvendit nga Qeveria, e cila është pjesë e pushtetit ekzekutiv.
Procedura për zgjedhjen e zëvendësprokurorëve ishte e tillë që ata zgjidheshin në parlament për një mandat të parë (për tre vjet), pas së cilës Këshilli i Prokurorëve të Shtetit i zgjidhte me mandat të përhershëm.
Kjo, praktikisht, do të thotë se deputetët e Kuvendit, të cilët janë edhe anëtarë të partive politike, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë i zgjidhnin anëtarët e dy organeve gjyqësore, ndonëse Kushtetuta e Serbisë, në Nenin 4, parasheh ndarjen e pushtetit në legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, kur rrjedhimisht “pushteti gjyqësor është i pavarur”.
Ministrja Popoviq ka deklaruar disa herë se ndryshimi i Kushtetutës në fushën e drejtësisë, do të jetë kusht për reformimin e mëtejmë të sistemit juridik, si dhe reforma më e rëndësishme në fushën e sundimit të ligjit.
Komisioni i Venecias, organ këshillëdhënës i Këshillit të Evropës (KE), i cili i monitoron nga afër këto ndryshime, më 18 tetor, përshëndeti nismën e Serbisë për të harmonizuar Kushtetutën aktuale me standardet evropiane dhe ndërkombëtare.
Megjithatë, në opinionin e tij për projekt-amendamentet kushtetuese në fushën e drejtësisë, të publikuar më 18 tetor, Komisioni i Venecias shprehet gjithashtu se ka vend për përmirësime në përmbajtje.
Kritikat erdhën gjithashtu edhe nga subjekti politik i pakicës boshnjake, Partia e Aksionit Demokratik të Sanxhakut (SDA), e cila është në opozitë. Deputetët e pakicës, gjashtë shqiptarë dhe boshnjakë, janë opozita e vetme në parlamentin prej 250 deputetësh. Partia Progresive Serbe në pushtet dhe partnerët e saj të koalicionit, kanë shumicën absolute.
Deputetja e Partisë së Aksionit Demokratik të Sanxhakut, Selma Kuçeviq, gjatë seancës parlamentare deklaroi se gjyqësori, përveç ndryshimeve të propozuara, do të mbetet në pozitë të varur në raport me pushtetin.
Ajo shtoi se ekzistojnë arsye për ndryshimin e plotë të Kushtetutës, që nga ajo se Serbia definohet si shtet i popullit serb, gjë që është problematike nga aspekti i pakicave kombëtare, deri te fakti që teksti i himnit kombëtar dhe dizajni i stemës, janë ekskluzivisht simbole të popullit serb. Kritikat e saj u hodhën poshtë nga deputetët e koalicionit qeverisës.
Pse po ndryshohet Kushtetuta?
Ndryshimi i Kushtetutës, i cili duhet t'i sjellë më shumë pavarësi gjyqësorit dhe prokurorisë, është një nga detyrimet e Serbisë ndaj BE-së dhe është përcaktuar në kapitullin 23 të Planit të Veprimit.
Këtë kapitull, i cili i referohet gjyqësorit dhe të drejtave themelore, Serbia e hapi në korrik të vitit 2016.
Plani i veprimit fillimisht parashikonte ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë në vitin 2017 dhe më pas ato afate u zhvendosën disa herë.
Komisioni Evropian (KE) , në raportin e tij në vitin 2020, deklaroi se “shkalla e ndikimit të vazhdueshëm politik në gjyqësor, sipas legjislacionit aktual, është një çështje seriozisht shqetësuese”.
Më 28 tetor 2020, në ekspozenë e saj, në të cilën e përcaktoi punën e ardhshme të Qeverisë, kryeministrja Ana Bërnabiq tha se detyra e qeverisë së re ishte të përshpejtonte anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian dhe se hapi i parë ishte ndryshimi i Kushtetutës në pjesën e gjyqësorit.
Çfarë thonë qytetarët?
Lidhur me referendumin e paralajmëruar dhe ndryshimet në Kushtetutë, Radio Evropa e Lirë ka pyetur edhe disa qytetarë të Beogradit, të cilët, gjykuar nga përgjigjet, janë shumë të interesuar për këtë temë.
I pyetur se a është dhe sa është i njoftuar për ndryshimet e Kushtetutës, si dhe për atë se çfarë do të votohet në referendumin e 16 janarit, Branisllav Vuçkoviq nga Beogradi thotë se është pjesërisht i njoftuar.
“... se nga Kuvendi janë marrë kompetencat që të zgjedhin gjyqtarët dhe prokurorët, por për këtë vendos Këshilli i Lartë apo diçka e tillë, ku përbërja tani është gjithsesi e ndërlikuar”, thotë ai.
Vuçkoviq konsideron se gjyqësori duhet të jetë i pavarur dhe i ndarë nga Kuvendi, si pushtet legjislativ:
“Mendoj se Kuvendi si organ ligjvënës nuk duhet të ketë asnjë lidhje me shtyllën tjetër (të pushtetit), siç është gjyqësori dhe nuk duhet të ndërthuren me njëri-tjetrin, sepse të dyja janë të pavarura”.
Bashkëqytetari i tij, Marko Jovanoviq, thotë se nuk është i informuar me ndryshimet në Kushtetutë.
“Absolutisht nuk jam i informuar, por supozoj se diçka ka të bëjë me Kosovën”, thekson Jovanoviq.
Kosova shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008, por autoritetet në Serbi refuzojnë ta njohin atë si shtet. Në Kushtetutën aktuale të Serbisë thuhet se Kosova është pjesë e Serbisë.
Pas sqarimit se këto janë ndryshime në pjesën e gjyqësorit, Jovanoviq thotë se në atë rast do të dalë patjetër në referendum.
Bratislav Mirkoviq, po ashtu nga Beogradi, ende nuk e di nëse do të votojë më 16 janar.
“Është sqaruar paksa në mënyrë të komplikuar, por e di afërsisht, kështu që do të shoh”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.
Tijana Millosheviq ndan mendimin e bashkëqytetarit të saj se ndryshimet në Kushtetutë nuk u janë shpjeguar sa duhet qytetarëve.
“Mendoj se e kam kuptuar se për çfarë do të votohet, po. Por, ndoshta duhet që në media të prezantohet më shumë para njerëzve, sepse jo të gjithë kanë mundësi të ulen para TV gjatë gjithë kohës”, thotë Millosheviqi për Radion Evropa e Lirë.
E pyetur se deri në çfarë mase politika ndikon në gjyqësorin dhe prokurorinë në Serbi, Sllagjana nga Beogradi, thotë për Radion Evropa e Lirë se ky problem “po zvarritet me vite të tëra”.
“Askush nuk e kishte forcën që të bënte një prerje radikale, të gjitha autoritetet që erdhën, që thjesht të bënin një prerje radikale, që të bënin një lloj rendi në shtetin e tyre - edhe sot e kësaj dite, neve na nevojitet Bashkimi Evropian që të na thotë se ne duhet të rregullojmë shtëpinë tonë”, thotë Sllagjana.
Pavarësisht ndryshimeve të paralajmëruara në Kushtetutë, sipas Bratisllav Mirkoviqit, qëllimi që gjyqësori të çlirohet nga politika, është një mision i pamundur:
‘Kjo është e pamundur në Serbi. Në Serbi dihet: që nga koha e princit Millos (Princi Millosh Obrenoviq, sundimtari i Serbisë nga shekulli XIX), kushdo që është në pushtet, ai është shef dhe ai vendos për gjithçka”.
Si të votoni në referendum?
Referendumi i janarit të vitit 2022 do të jetë i pari që do të votohet në përputhje me Ligjin e ri për Referendum, kështu që nuk do të jetë e nevojshme që më shumë se 50 për qind e votuesve të regjistruar të marrin pjesë, në mënyrë që ai të konsiderohet i vlefshëm.
Deputetët e Kuvendit të Serbisë i votuan ato ndryshime më 25 nëntor.
Referendumi zbatohet nga komisionet republikane, komunale dhe bashkiake, si dhe nga këshillat e votimit.
Të drejtën për të votuar në referendum e kanë qytetarët që janë në regjistrat e votuesve. Ligji i mbron të drejtat e qytetarëve duke përcaktuar se askush nuk mund të kërkojë llogari nga një qytetar për deklarimin ose mosdeklarimin e tij në referendum. Gjithashtu, të dhënat personale të mbledhura në procesin e zhvillimit të referendumit nuk mund të përdoren për qëllime të tjera.
Në referendum qytetarët deklarohen personalisht dhe me votim të fshehtë.
Vendvotimet përcaktohen në bazë të ligjeve që rregullojnë zgjedhjet për deputetë, që në praktikë nënkupton se qytetarët do të votojnë aty ku kanë votuar në zgjedhjet e mëparshme.
Referendumi mbahet brenda një dite, zakonisht në ditën e diel. Fletëvotimi për deklarim në referendum përmban shenjën e llojit të referendumit, datën e mbajtjes së referendumit, pyetjen për të cilën qytetarët duhet të deklarohen në referendum, fjalët “po” dhe “jo” të shtypura pranë njëra-tjetrës, udhëzimin për mënyrën e votimit ai dhe vulën.
Si kaloi referendumi i fundit?
Referendumi i fundit u mbajt në Serbi në vitin 2006, kur u ndryshua Kushtetuta e Serbisë. Kryeministri dhe presidenti i atëhershëm i Serbisë, Vojisllav Koshtunica dhe Boris Tadiq, u bënë thirrje qytetarëve që të dalin në referendum në numër sa më të madh dhe të votojnë për Kushtetutën e re.
Por, kryetari i Kuvendit të Krahinës Autonome të Vojvodinës, Bojan Kostresh, nga partia rajonale Lidhja e Social Demokratëve të Vojvodinës (LSV), bëri thirrje për bojkotimin e referendumit për ndryshimin e Kushtetutës.
Kostreshi e sqaroi vendimin me mungesën e një debati publik dhe pozitën e pakënaqshme kushtetuese të Vojvodinës. Që nga themelimi i saj, kjo parti ka mbrojtur një shkallë më të lartë të autonomisë për atë krahinë autonome, ndërkaq në programin e saj ka edhe një dokument në të cilin Vojvodinën e quan Republikë, prandaj shpesh sulmohet nga forcat politike të krahut të djathtë.
Asokohe, thirrje për të bojkotuar referendumin patën bërë edhe Partia Liberale Demokratike (LDP), Aleanca Qytetare e Serbisë, Bashkimi Socialdemokrat dhe një grup organizatash joqeveritare.
Referendumi zgjati dy ditë dhe votuan pothuajse 55 për qind nga numri i përgjithshëm i votuesve.
Nga regjistri i votuesve u përjashtuan më shumë se një milion shqiptarë të Kosovës me të drejtë vote, me sqarimin se mbajtja e një referendumi nuk do të ishte e mundur për arsye sigurie në Kosovë, e cila në atë kohë po synonte pavarësinë.
Preambula e Kushtetutës aktuale të Serbisë, e cila thotë se “Krahina e Kosovës dhe Metohisë është pjesë përbërëse e territorit të Serbisë”, nuk do të jetë temë e referendumit që do të mbahet më 16 janar.