Serbia vlerëson se Kosova është mision i “buldozer-diplomatit” Hill
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka dorëzuar kredencialet te presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të enjten dhe ka nisur zyrtarisht shërbimin e tij si ambasador në kryeqytetin serb. Kur ka nisur shërbimin ai premtoi se “s’vjen me valixhen e së kaluarës”, por pasi i përket plejadës së “diplomatëve buldozerë” në Serbi kanë shtruar pyetjen se çfarë do të sjellë ai e cila do të jetë në të vërtetë valixhja e tij. Përshpejtimi i zgjidhjes së çështjes së Kosovës dhe qetësimi i krizës në Bosnje e Hercegovinë shihen si detyrat kryesore të tij, ka shkruar të premten mediumi serb “Blic” në një analizë për pritjet për Hillin ambasador. Megjithatë, sipas analistëve në Serbi, Hilli ka edhe një detyrë speciale pas shpërthimit të luftës në Ukrainë. Kjo është të ruajë rajonin nga ndikimi i Rusisë dhe Kinës.
Rikthimin e diplomatit të famshëm dhe që ka lidhje të drejtpërdrejta me presidentin amerikan, Joe Biden, analistët serbë e shohim si sinjal të SHBA-së për planin e saj ambicioz për rajonin. “Blic” ka shkruar se Serbia do të përballet me presion për shkak të përcaktimit të saj kah Moska dhe mosvënien e sanksioneve ndaj Rusisë; për shkak të ngecjes së dialogut me Kosovën dhe për shkak se Perëndimi s’është i kënaqur me raportet e afërta mes Serbisë dhe Republikës Sërpska në Bosnje.
“Kohëra të vështira”
“Valixhen time nuk do ta rëndojë e kaluara”, ka thënë me të marrë detyrën e re, Hilli që ka të kaluar të bujshme në rajon. Megjithatë menjëherë ka shtuar se “nuk ka dyshime se këto janë kohëra të vështira”.
Sipas Suzana Grubjeshiqit nga Qendra për Politikë të Jashtme, dërgimi i Hillit në Serbi tregon për rol më aktiv të SHBA-së.
“Fakti që ai po rikthehet tri dekada pas misionit të mëhershëm, flet për rëndësinë që administrata e Bidenit ia ka dhënë Serbisë si shtet qendror në Ballkanin Perëndimor, me SHBA-në që planifikon të nisë një partneritet më të afërt për të ardhmen”, ka thënë ajo duke shtuar se Serbia shihet si çelës për zgjidhjen e krizës në rajon – çështjes së Kosovës dhe funksionalitetit të Bosnjës.
Ish-diplomati Sreçko Gjukiq ka thënë se pret që Hilli të jetë aktiv në zgjidhjen e problemeve të mëdha të rajonit.
“Primare është çështja e Kosovës. Në fjalimin para Kongresit, ai lëvizi brenda kornizës së standardeve të një ambasadori. Dhe pas kësaj, duhet të ketë detyra të veçanta që i ka marrë nga kreu i SHBA-së dhe kreu i Departamentit të Shtetit, e që përshtaten me atë që SHBA-ja dëshiron ta krijojë. Ai i takon plejadës së diplomatëve të buldozerëve të udhëhequr nga ambasadori Richard Holbrooke. Mirëpo kohërat kanë ndryshuar dhe Hilli duhet të nisë nga e para”, ka thënë Gjukiq.
Sipas tij, metodat diplomatike duhet t’u përshtaten rrethanave të reja.
Ish-diplomati serb Ivo Viskoviq ka thënë se me mbërritjen e Hillit në Serbi “po vjen artileria e rëndë e diplomacisë amerikane”. Megjithatë ai ka thënë se s’priten ndryshime radikale.
“Pres që ai të jetë i vetëdijshëm që nga fillimi për këtë, që të mos ushtrojë presione që do të ishin kundërproduktive, të mos insistojë që diçka të bëhet. Ai ka reputacion të diplomatit depërtues, por është realist dhe që mund të vlerësojë se çka është politikisht e mundur në moment të caktuar”, ka thënë Viskoviq.
Profesori i Shkencave Politike, Stefan Surlic, ka thënë se puna e Hillit do të jetë që ta zbusë shkallën e ndikimit rus dhe kinez në Serbi.
“Me fuqinë e personalitetit dhe autoritetit të tij, ai do t’i dërgojë mesazh të fuqishëm nga Washingtoni Beogradit, Prishtinës dhe rajonit në përgjithësi, se ai do të jetë ‘sytë dhe veshët’ e administratës amerikane. Supozoj se ky është fundi i karrierës së tij dhe se ka ambicie personale për të arritur sukses të caktuar, dhe ky është normalizimi i raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës”, ka thënë Surliq për “Tanjug” duke shtuar se pret që roli i Hillit të vërehet dukshëm në dialogun Kosovë-Serbi.
Kush është Hill?
Christopher R. Hill, është një diplomat karriere i shërbimit të jashtëm. Kohët e fundit, ai ishte profesor në Shkollën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Publike të Universitetit Columbia.
Para se të tërhiqej nga shërbimi i Jashtëm në vitin 2010, Hill shërbeu si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Irak, Kore, Poloni dhe Maqedoni, si Ndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit dhe si Shef i delegacionit amerikan në bisedimet për Korenë e Veriut.
Ambasadori Hill ishte përfaqësuesi i parë diplomatik i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, pas 45 vjetësh izolimi. Në tetor të vitit 2016, ish presidenti shqiptar, Bujar Nishani, e nderoi zotin Hill me titullin “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, në 25 vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shteteve të Bashkuara d Në vitet 90 ai ishte anëtar i ekipit negociues që hartoi marrëveshjen e Daytonit në vitin 1995, e cila i dha fund luftës në Bosnjë.
Gjatë periudhës së luftës në Kosovë, Hill shërbeu si i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, deri në konferencën e Rambouilletit, e cila i hapi rrugën ndërhyrjes së NATO-s që i dha fund luftës në Kosovë.
Në tekstin e “Blicit” Hillin e kujtojnë si “më meritorin që kryetari i atëhershëm i LDK-së, Ibrahim Rugova, pranoi të takohet për herë të parë me Sllobodan Millosheviqin”.
Në qershor të vitit 2013, ai së bashku me diplomatin austriak, Wolfgang Petrisch, u nderuan me titullin doktor “honoris causa” nga Universiteti i Prishtinës, “për rolin e tyre në sjelljen e paqes dhe lirisë për shtetin e Kosovës”.
Hill me përvojë nga rajoni i Ballkanit, flet edhe serbisht, polonisht, maqedonisht dhe frëngjisht.