Lokale
Serbët edhe me targa të vjetra, Lugina vetëm me pagesë
Serbët në Kosovë vazhdojnë të mos i përfillin vendimet e institucioneve të Kosovës.
Pavarësisht vendimit të Ministrisë së Brendshme për ndalimin e qarkullimit të të gjithë atyre automjeteve që mbajnë targa të Serbisë (me iniciale të qyteteve të Kosovës), serbët lokal po lëvizin me targa të vjetra e disa madje edhe pa to.
Rasti më i freskët është komuna e Ranillugut, në të cilin serbët qarkullojnë lirshëm me targa të vjetra, njofton “Zëri”.
I pyetur në lidhje me këtë zhvillim, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Ismet Ibishi ka sqaruar se që nga qershori i këtij viti ka skaduar afati kur lejohej lëvizja me targa të vjetra.
Sipas tij, këto targa janë të paligjshme, duke shtuar se ato nuk i njeh as shteti serb.
Zyrtarë të Policisë thonë se në bazë të urdhrit të prerë nga Ministria e Brendshme, do të konfiskohen targat e vjetra.
Nga ana tjetër Qeveria e Kosovës as që nuk mendon në heqjen e taksës së sigurimit për automjete që futen në Kosovë nga Lugina e Preshevës.
Shqiptarët që jetojnë në Luginë, si elita politike po ashtu edhe qytetarët, disa herë kërkuan të hiqet taksa e “getoizimit”.
Madje, për këtë “sigurim” që banorët e këtushëm e vlerësojnë të padrejtë, u organizua edhe një protestë nga KDNJ e Luginës në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, në pikëkalimin e Muçibabës (Preshevë).
Qeveria e Kosovës në shenjë reciprociteti me Serbinë, ka vendosur tarifat kufitare për ata që hyjnë nga Serbia në Kosovë, nga dhjetori i vitit të kaluar, si rrjedhojë e marrëveshjes Prishtinë – Beograd në Bruksel.
60 euro ishte pagesa minimale që një person ka paguar sigurim nëse hyn me makinë nga Serbia në Kosovë, e cila vlente vetëm për 2 javë qëndrim, ndërsa tani me “zbritje” qytetarët e Luginës paguajnë 20 euro sigurim për makinë, për një javë qëndrim.
Zbritja nuk erdhi nga Qeveria, por nga Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS)./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!