Samolica e Bujanocit, vendi ku qeveria e Kosovës po ndihmon renovimin e shkollës
Samolica është fshat në të cilin jetojnë afro 1400 banorë apo mbi 230 familje, vendbanim që shtrihet në pjesën jug lindore të komunës së Bujanocit, përmes tij kalon rruga regjionale që lidh qytetin e Bujanocit me Preshevën dhe vazhdon tutje deri në Kumanovë, ndërsa në pjesën perëndimore të fshatit kalon autostrada E 75 e njohur si Korridori X.
Papunësia ka ndikuar që më se gjysma e banorëve të fshatit të gjejnë perspektivën në vendet e Bashkimit Evropian.
Samolica, ndahet në katër mëhallë dhe është fshati i vetëm në Luginë që ka tri xhami ndërsa sikur në çdo vendbanim shqiptarë edhe këtu problem është papunësia, kështu u shpreh për rtk Ekrem Bislimi, ish kryetar i bashkësisë lokale.
Derisa rinia vazhdon të jetë shtyllë e aktiviteteve të fshatit, megjithatë ajo tashmë ka zgjedhur rrugën e migrimit dhe kjo rrugë është e vështirë të ndalet thotë Metat Ajdari, ushtrues detyre i kryetarit të bashkësisë lokale të Samolicës.
Sipas tij pengesë kryesore e mos punësimit të të rinjve në organet shtetërore dhe komunale mbetet mosnjohja e diplomave të Kosovës, transmeton Titulli.com.
Shqetësim për banorët edhe zvogëlimi i popullatës e me këtë edhe i nxënësve të shkollës fillore, objekt që ishte nis të ndërtohet me vet iniciativë të fshatit në vitin 1994, për ndërtimin e së cilës, më se gjashtë mijë metra katrorë tokë të tyren e kishin falur vllezërit Mustaf, Beqir, Hysen dhe Shaqir Nevzadi.
Pas vitit 2001 me ndihmën e ambasadës amerikane, Trupit Koordinues, komunës së Buajnocit dhe mjeteve vetanake të fshatarëve u ndërtuar një objekt shkollë në të cilin ndjekin mësimet e ciklit fillorë.
Ministri i Drejtësisë së Qeverisë së Republikës së Kosovës, Abelard Tahiri, gjatë vizitës së tij në vitin 2018 në komunën të Bujanocit ishte zotuar që të ndihmonte rinovimin e shkollës së Samolicës me dyzetë mijë euro, mjete këto që tashmë janë transferuar në xhirollogarinë e Komunës së Bujanocit.
Shaip Kamberi, kryetar i komunës së Bujanocit ka thënë se mjetet e ndara nga qeveria e Kosovës janë në arkën e komunës dhe pritet të realizohet projekti i planifikuar dhe ndihmuar nga qeveria e Kosovës.
Sipas përfaqësuesve të bashkësisë lokale në Samolicë janë ndihmuar projektet që janë propozuar nga udhëheqësit e fshatit ndërsa kanë përfituar nga komuna edhe përkrahje për bujqit, blegtorët dhe bizneset e këtushme me subvencione./Baki Rexhepi-RTK/Titulli.com/