Salihi: Transport e shujta falas për nxënësit dhe bashkëpunim për të mirën e shqiptarëve
Lokale MDULS

Salihi: Transport e shujta falas për nxënësit dhe bashkëpunim për të mirën e shqiptarëve

31.Oct.2018 09:11
0

Sali Salihi, kryesues nga lista “Partia Demokratike-Dr Nagip Arifi” thotë se programi i tyre bazohet në problematikat e përditshme të qytetarëve, si mungesa e teksteve, politizimi i shkollave duke vendosur në këshilla drejtuese njerëz të pakualifikuar, mungesë të kabineteve për lëndë të veçanta, largimi i kuadrove për mungesë punësimi, e deri te mos zbatimi i gjuhës dhe shkrimit shqip në institucionet dhe ndërmarrjet publike ku shumicë apo së paku 15% i takojnë bashkësisë shqiptare.

 Na tregoni arsyen pse duhet të votojnë qytetarët listën tuaj për anëtarë të kuvendit të Këshillit Kombëtar Shqiptar? 

Salihi: Partia Demokratike për herë të parë ka marrë pjesë në zgjedhjet e Këshillit Nacional Shqiptar në vitin 2014, ku edhe deri para 7 muajve ka qenë pjesë e kësaj përbërje. Me komisionet ku PD ka udhëhequr me anëtarët e vet besoj që është punuar në dobi të përmirësimit të gjendjes në arsim e kulturë, duke siguruar disa tekste shkollore dhe zhvillimin e aktiviteteve kulturore.

Kësaj here, PD ka vendosur që listën ta freskoj kryesisht me kandidatë të rinj, të cilët janë profesionistë në lëmit e tyre. Qytetarët tanimë e kanë edhe programin e Partisë Demokratike në duart e veta, i cili është hartuar bukur mirë nga profesionistë të fushave të caktuara, ku është kompetente KNSH-ja. Programi jonë bazohet në problematikat e përditshme të qytetarëve, si mungesa e teksteve, politizimi i shkollave duke vendosur në këshilla drejtuese njerëz të pakualifikuar, mungesë të kabineteve për lëndë të veçanta, largimi i kuadrove për mungesë punësimi, e deri te mos zbatimi i gjuhës dhe shkrimit shqip në institucionet dhe ndërmarrjet publike ku shumicë apo së paku 15% i takojnë bashkësisë shqiptare. Prandaj, duke ditur se opinioni PD-në e njef si parti të fjalës, parti e cila gjithnjë është angazhuar si në pushtetin lokal ashtu edhe në Këshillin Nacional Shqiptar për të përmirësuar gjendjen e shqiptarëve në Luginë të Preshevës, besoj që qytetarët do ta kenë të lehtë të rreshtohen përkrah PD-së. Partia Demokratike ka programin e saj, njerëz profesionist dhe besnik, si dhe traditë në avancimin e të drejtave të shqiptarëve.     

 

Cili është programi juaj në fushat në të cilat janë kompetencë e Këshillit Kombëtar Shqiptar? 

Salihi: Siç e ceka edhe më lartë, programi jonë ka dalë nga nevojat dhe kërkesat e shqiptarëve, nga problemet me të cilat qytetari shqiptar ballafaqohet çdo ditë. Kemi probleme në arsim, informim, kulturë e deri te problemet në moszbatimit e plotë të gjuhës dhe shkrimit shqip në institucione dhe organe shtetërore. Andaj, për t’i zgjidhur këto probleme, Partia Demokratike përmes programit të saj do të angazhohet që në fushën e arsimit të sigurojë mbarëvajtje të procesit mësimor duke siguruar tekstet shkollore, duke siguruar kabinete për lëndë të veçanta, duke organizuar seminare dhe trajnime për mësimdhënësit me qëllim që cilësia në arsim të rritet. Gjithashtu, të ballafaquar me kushte të rënda socio ekonomike, do të sigurojmë transport dhe shujta falas për nxënësit, do të sigurojmë bursa për nxënës dhe studentë të dalluar, dhe do të angazhohemi në zgjidhjen e problemit të nostrifikimit të diplomave. Gjithashtu, do të bëjmë përpjekje maksimale për organizimin e provimeve profesionale në gjuhën shqipe, si dhe angazhimin e një inspektori republikan të arsimit pranë Ministrisë së Arsimit.

Në fushën e kulturës do të vazhdojmë të përkrahim të gjitha aktivitetet e deritanishme kulturore, me qëllim të ruajtjes dhe kultivimit të trashëgimisë kulturore. Në të njëjtën kohë, do të angazhohemi për themelimin e një muzeu dhe teatri. Hapja e një shkolle të ulët të muzikës është një tjetër prioritet i PD-së, duke e ditur se kemi shumë nxënës të cilët ndjekin mësimet në shkollën e muzikës në Bujanoc, edhe atë në gjuhën serbe, në mungesë të asaj shqipe.

Kur jemi te informimi, e dimë që teknologjia ia ka mundësuar që çdokush nga ne të jetë në një farë forme “gazetar”, prandaj do të angazhohemi që gazetarët profesionistë të avancohen edhe më tej, dhe do të përkrahim mediat që primare e kanë fushën e informimit. Gjithashtu, për gjeneratat e moshuara, të cilët nuk kanë qasje dhe nuk përdorin teknologjinë më të re informative, kemi menduar që sjellja e shtypit ditor nga Republika e Kosovës do të ndihmonte që ata të informohen në kohë të duhur.

Kurse, përdorimi i gjuhës dhe shkrimit shqip vazhdon të mbetet i mangët, andaj ne do të angazhohemi që pjesëmarrja dhe komunikimi në jetën publike dhe institucionale të bëhet shqip, sidomos në stacionet policore, shëndetësi, gjykata, kadastër e në organe tjera ku themelues është Republika e Serbisë.

I gjithë ky program i yni do të implementohet nga vullneti jonë, si dhe bashkëpunimi me të gjithë faktorët kompetent për ti zgjidhur këto probleme.

 

 

Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration