Lokale
RTV Spektri shënon 10 vjetorin (video)
Radio Televizioni i parë i pavarur në Luginë sot ka shënuar 10 vjetorin e punës përmes një organizimi në të cilën morën pjesë përfaqësues institucionesh dhe nga jeta publike e rajonit
Urime dhe mirënjohje të shumta u shprehën për punën 10 vjeçare të këtij mediumi të parë të pavarur elektronik në gjuhën shqipe në Luginë.
Me anë të një përmbledhje stafi i TV Spektrit, para të pranishmëve, në restorant Rozafa në Bujanoc, prezantoi një pjesë të vogël të punës së saj për një decenie.
“TV Spektri lindi në një kohë tranzicioni i cili kaploi edhe vendin tonë, lindi pikërisht në një kohë kur nuk dihej se çka do të ndodhte me ne, sepse mu ato ditë ishte vrarë kryeministri i vendit, megjithatë duke i falënderuar stafit i cili përbehej nga profesionist, por edhe nga të rinj entuziastë të profesionit arritëm që me sukses t’i përballojmë të gjitha sfidat, si ato teknike ashtu edhe ato materiale”, u shprehë Jeton Ismaili, drejtor i RTV Spektrit.
“Televizioni Spektri duhet të jetojë minimumi aq sa do të jetojë edhe unë”, u shpreh i emocionuar Nexhat Behluli, kryetari i kompanisë mediale Spektri.
Në shënimin e dhjetëvjetorit të këtij mediumi morën pjesë me fjalimet e tyre edhe drejtues të mediave si dhe gazetarë nga rajoni.
Ndërsa, përvojën dhe momentet më të mira të kaluara gjatë punës në këtë medium i shprehen edhe gazetarët e angazhuar si edhe ata që dikur ishin pjesë e RTV Spektrit, ndërsa tani janë punësuar në mediume tjera lokale.
Televizioni Spektri filloi punën në vitin 2003, pas konfliktit të armatosur në Luginë të Preshevës. Deri më tani është Televizioni i vetëm i pavarur në gjuhën shqipe në komunë të Bujanocit./Titulli.com/
http://youtu.be/BK5LaQttPDI
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!