RTK: Frika në Luginë nga privatizimi i medieve
1 korriku është data kur të gjitha mediet publike veç transmetuesit publik në Serbi do të duhet të privatizohen.Kjo mbase është në përputhje me standardet europiane, por në Luginën e Preshevës, vendimi i tillë ka ngritur shqetësimet e punëtorëve të dy mediumeve që për themelues kanë Kuvendet Komunale. Ndërkohë që nuk mungojnë akuzat ndaj pushtetarëve lokal për mungesë të alternativës dhe heshtje para këtij vendimi qeveritar.
Drejtori i RTV Presheva, Reshat Neziri, ndonëse mendon se është herët të dihet për epilogun e zbatimit të vendimit për privatizimin e medieve publike edhe në Luginë, mendon se megjithatë kjo do të duhej të ketë përjashtime, raporton Radio Televizioni i Kosovës (RTK).
Duke qenë medium publik RTV Presheva, 40 punëtorët e saj mendojnë se puna do të jetë më efektive.
Deputeti popullor Riza Halimi, ka kërkuar mobilizimin e përgjegjësve kryesor, në këtë rast sipas tij përfaqësuesit e pushteteve lokale dhe atyre të këshillit Nacional, duke mos e përjashtuar mundësinë e angazhimit të dy deputetëve, në gjetjen e modalitetit për funksionim të këtyre medieve.
Në Luginë aktualisht funksionojnë dy televizione dhe tri radio themelues të së cilave janë Kuvendet komunale, të cilat emetojnë program në gjuhën shqipe, serbe dhe rome.
Në këto mediume janë të punësuar më se 100 punëtor. Ndërkohë që krahas tyre ekzistojnë edhe dy televizione dhe një radio private. Ligji i privatizimit të cilit i ka parapri themelimi i Strategjisë mediale, parasheh financimin e medieve në formë projektesh nga pushtet lokale, duke eliminuar mundësinë e ndikimit të drejtpërdrejt të pushteteve lokale në politikat redaktuese të medieve. /Titulli.com/