Lokale
Riza Halimi uron shqiptarët për fitoren e madhe
Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik (PVD) përmes një deklarate të shkruar falënderon të gjithë votuesit shqiptarë që më 16 mars përkrahën listën e këtij subjekti politik shqiptar
[caption id="attachment_111971" align="alignleft" width="300"] Riza Halimi gjatë votimit në njësinë nr. 1 në Preshevë[/caption]
“Në emër të PVD-së i falënderoj përzemërsisht të gjithë votuesit Shqiptarë në Luginë të Preshevës si dhe të gjithë Shqiptarët që jetojnë në Serbi për përkrahjen masovike që me 16 mars iu dha listës tonë zgjedhore. Me 24.274 vota dhe 2 mandate të siguruara për listën zgjedhore të PVD-së u dëshmua forca zgjedhore dhe njëkohësisht edhe forca politike e Shqiptarëve në Luginë të Preshevës”, thuhet në deklaratën e kryetarit të PVD-së Riza Halimi të arritur në portalin Titulli.
Sipas drejtuesit të subjektit më të madh në Luginë, këto zgjedhje i kanë dhënë legjitimitet dy përfaqësuesve të Luginës së Preshevës për t’i mbrojtur interesat e Shqiptarëve në parlamentin qendrorë dhe për të punuar në zgjidhjen e problemeve të ndjeshme jetësore në bashkëpunim me qeverinë e re.
“Në realizimin e këtij qëllimi substancial përfaqësuesit legjitim të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës do ta kenë përkrahjen e faktorit ndërkombëtarë, i cili dha mbështetje të rëndësishme listës zgjedhore të PVD-së”, thuhet matej në deklaratë.
Drejtuesi i këtij subjekti që shtrihet në tre komunat shqiptare të Luginës thekson se në arritjen e suksesit kontribuoi shumë përkrahja e qeverisë shqiptare e posaçërisht e kryetarit të qeverisë së Kosovës dhe kryetarit të Gjilanit.
“Andaj janë shumë reale pritjet për një ndihmë shumë të rëndësishme edhe të qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës të cilat në bashkëpunim me qeverinë e Serbisë do të kontribuojnë në normalizimin e gjendjes së përgjithshme në Luginë të Preshevës”.
Halimi në këtë deklaratë thekson se rezultatet e arritura në zgjedhjet parlamentare dëshmon vitalitetin e PVD-së dhe gatishmërinë e anëtarësisë së saj që me sukses të ballafaqohen me sfidat më të rënda jetësore.
“Uroj që filozofia e politikës aktive të PVD-së të triumfoj në këtë periudhë të rëndësishme për Shqiptarët e Luginës së Preshevës”, thotë kryetari i PVD-së dhe tashmë deputet në Parlamentin e Serbisë./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!