Lokale
“Rezultate të mira, në vitin 2013 më shumë investime në Luginë”
Shërbimi i Trupit Koordinues (TK) ka analizuar punën dhe rezultatet e arritura gjatë vitit 2012 duke e përgatitur edhe propozim planin e aktiviteteve për vitin e ardhshëm.
Këtë vit për herë të parë janë siguruar mjete të pakthyeshme për zhvillim të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, sipërmarrësit dhe kooperativat bujqësore.
“Shtatë kompani nga Bujanoci, pesë nga Presheva dhe tri nga Medvegja kanë fituar gjithsejtë 40 milionë dinarë”, njofton Trupi Koordinues në faqen zyrtare të saj, raporton Titulli.
Është përfunduar edhe faza e parë e punëve ndërtimore në repartin e maternitetit në qendrën shëndetësore në Preshevë dhe është caktuar lokacioni për ndërtimin e departamentit të fakultetit Ekonomik të Suboticës në Bujanoc.
Në njoftimin e sajë, Trupi Koordinues për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, thekson edhe kontributin që ka dhënë dy vitet e fundit në sigurimin e 77 teksteve në gjuhën shqipe për nxënësit e shkollave fillore.
Shërbimi i këtij organi shtetëror ka ndarë bursa për gjeneratën e dytë të studentëve të Preshevës dhe Bujanocit të cilët studiojnë në Universitetin e Novi Sadit.
Vitin e kaluar bursën e kanë fituar 11 studentë. Nëntë prej tyre kanë regjistruar vitin e dytë të studimeve, ndërsa këtë vit në Novi Sadi me bursat e TK-së studiojnë 21 studentë.
Me mbështetjen e Ambasadës së Britanisë së Madhe për herë të parë është organizuar shkolla pa pagesë e gjuhës serbe për shqiptarët e moshës 15 deri 30 vjeçare. Shkolla ndiqet nga 310 student nga Bujanoci dhe Presheva.
TK që katër vite ndanë bursa për nxënës të shkollave të mesme të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
Më shumë se 800 nxënës pa prindër dhe nga familjet me gjendje të rëndë sociale kanë fituar nga këto bursa në katër vitet e fundit. Këtë vit bursën e marrin 231 nxënës.
Aktivitet e TK-së për vitin e ardhshëm
Gjatë viti 2013 do të përfundohet ndërtimi i dhe pajisja e në repartin e maternitetit në qendrën shëndetësore në Preshevë dhe ndërtimi i departamentit të fakultetit Ekonomik të Suboticës në Bujanoc.
Trupi Koordinues do të vazhdojë të nxisë zhvillimin ekonomik të këtyre tri komunave. Në vitin e ardhshëm do të ndahen 60 milionë dinarë të mjeteve të pakthyeshme.
Gjatë vitit 2013 do të bëhet përkthimi në gjuhën shqipe i të gjitha teksteve mësimore për studentët e vitit të tretë dhe katërt të degës së fakultetit Ekonomik në Bujanoc dhe do të vazhdohet me sigurimin e teksteve për arsimin parashkollor dhe fillor.
Trupi Koordinues thekson se këto janë vetëm disa prej aktiviteteve që do të realizohen gjatë vitit 2013. Ndërsa ky organ shtetëror të gjithë qytetarëve i uron festat e fundvitit./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!