Lokale
Liderët e Luginës ftohen nga Ramush Haradinaj
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i ka bërë ftesë për një takim përfaqësuesve institucional dhe subjekteve politike të Luginës
Pas lirimit të tij nga Tribunali i Hagës dhe ardhja në Prishtinë, Ramush Haradinaj është duke zhvilluar shumë takime si me qytetarët po ashtu edhe me politikanët nga të gjitha trevat shqiptare.
Në agjendën e tij kësaj herë është vendosur Lugina, me çrast është planifikuar një takim edhe me përfaqësuesit politik të Luginës që do të zhvillohet në mesditën e së shtunës.
Në këtë takim ndër të ftuarit janë, deputeti popullor Riza Halimi, kryetarët e dy komunave Bujanoc e Preshevë, Nagip Arifi dhe Ragmi Mustafa, Galip Beqiri-kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptarë, Jonuz Musliu-kryetari i partisë Lëvizja e Progresit Demokratik.
Takimi, sipas burimeve të Titullit, përveç që do të jetë miqësor, pritet që të diskutohen edhe shumë tema që preokupojnë qytetarët e Luginë, si lëvizja e lirë dhe pa taksa për sigurimin e automjeteve drejt Kosovës, situatës së fundit të krijuar me vendosjen e lapidarit në Preshevë dhe kërcënimet e kryeministrit Ivica Daçiq.
Nuk do të anashkalohet as rrjedha e bisedimeve që po zhvillohen në mes të Prishtinës e Beogradit, për të cilën udhëheqësit e Luginës disa herë kanë kërkuar të jenë pjesë e tyre.
Siç ka mësuar Titulli, në këtë takim të ftuarit do të udhëtojnë të ndarë në disa delegacione ashtu siç edhe veprojnë me institucionet që drejtojnë në Luginë.
Në takimin e së shtunës edhe Haradinaj do të tentojë afrimin e udhëheqësve shqiptarë të cilët kohëve të fundit përveç që nuk bashkëpunojnë me njëri tjetrin, deklaratat e tyre kanë pas një reflektim të madh tek qytetarët duke shkaktuar një përçarje që ndjehet shumë në mesin e shqiptarëve në Luginë./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!