Refugjatët në Preshevë: Të lagur e me rroba vere
Koha e keqe, por edhe mungesa e rrymës, kanë vështirësuar situatën në qendrën pranuese për refugjatë në Preshevë, pasi atyre u duhen rroba dhe këpucë për kohë të ftoftë.“Situatën e ka vështirësuar shiu dhe mungesa e rrymës, të cilën nuk e kemi qe tri orë. Por, po mundohemi t’ju ndihmojmë. Mbrëmë kemi ndarë rreth tremijë racione, ndërsa sot rreth 1500”, ka thënë sekretari i Kryqit të Kuq në Preshevë, Ahmet Halimi, për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug.
Ai ka shtuar se refugjatëve u është siguruar kulm mbi kokë kur të arrijnë në Preshevë, ndihmë mjekësore dhe ushqim, por rrobat e tyre janë kryesisht të lagura nga shiu.
“Apeloj tek njerëzit që duan të dhurojnë rroba, t’i sjellin ato që janë për mot të ftoftë”, ka thënë Halimi. /Titulli.com/