Reforma në PVD: Nuk ka më kryetarë dhe mandate të përhershme! (video)
Partia për Veprim Demokratik (PVD) në Kuvendin e mbajtur sot në Bujanoc bëri ndryshime me rëndësi në Statutin e saj.
Kjo mbledhje e PVD-së mund të thuhet se është revolucion në sistemin e subjekteve politike shqiptare që veprojnë në Luginë dhe më gjerë në rajon.
Kuvendarët e PVD-së vendosën që në të ardhmen kryetari i PVD-së, të degëve dhe funksionerëve që kandidon ky subjekt, do të kenë kufizime në dy mandate.
Vendimi i radhës ishte edhe ai i rritjes së delegatëve nëpër kuvendet e Degëve nga 70 në 100, kurse në Kuvendin e përgjithshëm 215 delegatë.
Risi tjetër e dalë nga kjo mbledhje është edhe garantimi i kuotave për femra me 1/3 dhe të rinj me 20 për qind në kryesi të degëve dhe në atë të Kryesisë së përgjithshme.
Këto ndryshime në partinë e parë politike shqiptare në Luginë, bëhen në prag të 24 vjetorit të themelimit, i cili do të shënohet të shtunën (6 shtator) në Preshevë duke filluar nga ora 12:00.
Vlen theksuar se këto reforma të cilat sot i bëri Partia për Veprim Demokratik do të jenë një shembull i mirë edhe për partitë tjera, të cilat janë pjesë e sistemin pluralist.
Ndryshimet që sot u bënë në Statutin e PVD-së, kryetari i këtij subjekti në Bujanoc, Shaip Kamberi, njëherit deputet, i patë premtuar gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare.
Gjithashtu, përgatitjet për këto ndryshime në Statut ishin iniciuar në mbledhjen e 21 qershorit të këtij viti të Kryesisë së PVD-së, e cila kishte formuar grupin e veçantë për të përgatitur Statutin e ri./Titulli.com/