Reagime nga PDSH: Pozita e kryetarit të komunës së Preshevës nuk është “fontanë dëshirash”
Enver Mehmeti, anëtarë I kryesisë së Partise Demokratike Shqiptare në Preshevë dhe njëherit zëvendës kryetar I Këshillit Kombëtar Shqiptar ka reaguar ndaj kumtesës së subjektit të tij politik për heqjen dorë nga pozita e kryetarit të komunës në rast se formohet një shumice e re ne kuvendin komunal në Preshevë.
“Jam i zhgënjyer me vendimin e kryesisë së PDSH-së për të hequr dorë nga verditki qytetarë! Kam qenë me respektua parimin e shumicës kur PDSH-së iu vodh fitorja me 2016 pa ju dhënë mundësia të parit njëherit,në rast dështimit pastaj të dytit”, ka shkruar pas publikimit të kumtesës së PDSH-së.
Ai theksoi se është kundër që pozita e të parit të komunës të bëhet “fontanë dëshirash” duke mos respektuar parimet demokratike.
Kryesia dhe Grupi i Këshilltarëve të Partisë Demokratike Shqiptare pas diskutimeve dhe analizës rreth situatës së krijuar në Kuvendin Komunal të Preshevës ka ftuar disa parti për formimin e shumicës së re qeverisëse.
“Pas dorëheqjes virtuale të kryetarit të kuvendit komunal, z. Sami Salihu të publikuar në rrjetin social me datë 16.08.2020, në të cilën deklaron se "tërhiqet nga pozita e kryetarit të kuvendit komunal dhe njëkohësisht largimin nga koalicioni qeverisës", pushteti famëkeq lokal i dalur nga zgjedhjet e fundit lokale përfundimisht u përmbys”, thuhet mes tjerash në kumtesën e PDSH-së.
Javën e kaluar, Sami Salihu përmes një deklarate të publikuar në facebook ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të kuvendit komunal në Preshevë dhe kështu pritet që të formohet një shumicë e re qeverisëse./Titulli.com./