Radio Evropa e Lirë shënon 70-vjetorin e raportimit të pavarur
Lokale

Radio Evropa e Lirë shënon 70-vjetorin e raportimit të pavarur

04.Jul.2020 13:10
0

Kur më 4 korrik të vitit 1950, Radio Evropa e Lirë iu drejtua për herë të parë audiencës prapa Perdes së Hekurt në Çekosllovakinë komuniste, njerëzit e dëgjuan sepse prisnin të vërtetën.

Shtatëdhjetë vjet më vonë, platforma e saj është zgjeruar dhe mandati i saj është rritur. Radio Evropa e Lirë jep lajme përmes radios, televizionit dhe medias sociale për më shumë se 38 milionë njerëz në 23 vende të botës – përfshirë Kosovën – që kanë pak ose aspak shtyp të lirë.

"Radio Evropa e Lirë ka një mision fisnik dhe ka luajtur rol historik për dekada të tëra në vendet që luftojnë për demokraci dhe të drejta të njeriut", thotë ushtruesja e detyrës së presidentes së REL-it, Daisy Sindelar.

“Mjetet kanë ndryshuar, por sfidat janë thelbësisht të njëjta. Kemi disa nga gazetarët më të përkushtuar në këtë profesion dhe kemi fituar besimin e audiencës sonë. E dimë se edhe në mjediset më të ashpra, puna jonë në raportimin e lajmeve dhe modelimin e vlerave të një shtypi të pavarur, bën një ndryshim të vërtetë për njerëzit, që nuk kanë ku të kërkojnë raportim të besueshëm për çështjet që kanë rëndësi për ta", thotë Sindelar.

Një teknik i REL-it duke punuar në selinë në Mynih më 11 gusht, 1977.
Një teknik i REL-it duke punuar në selinë në Mynih më 11 gusht, 1977.

Në një deklaratë për 70-vjetorin e Radios Evropa e Lirë dhe për 25-vjetorin e zhvendosjes së saj nga selia në Mynih në atë në Pragë, kreu i Senatit të Çekisë, Milos Vystrcil, tha:

“Për shumë nga bashkëkohësit e mi dhe për mua, Radio Evropa e Lirë ka qenë burim i informacionit të lirë dhe dritare në botën e lirë”.

“Jam krenar që Radio Evropa e Lirë transmeton tani nga Praga, kështu që ne mund të marrim pjesë në rrjedhën e informacioneve të lira në Rusi dhe vende të tjera post-sovjetike. Është e rëndësishme për qytetarët e tyre, aq sa ka qenë për ne transmetimi nga Mynihu”, tha Vystrcil.

Shtatëdhjetëvjetori i Radios Evropa e Lirë vjen në kohën kur ajo praktikisht është e vetme në mbulimin e krizës së koronavirusit në vendet si Irani dhe Rusia, ku zyrtarët e kanë nënvlerësuar ose mohuar shtrirjen dhe ndikimin e pandemisë.

Përvjetori vjen gjithashtu në kohën e kërcënimeve të reja kundër gazetarëve të Radios dhe parimeve të saj editoriale.

Blogeri i pavarur, Ihar Losik, këshilltar për media sociale i Shërbimit bjellorus të Radios Evropa e Lirë, është duke u mbajtur aktualisht në një qendër paraburgimi në Minsk, nën akuzat se ka shfrytëzuar kanalin e tij në Telegram “për të përgatitur prishjen e rendit publik”.

Një gazetare e Shërbimit rus të Radios Evropa e Lirë është nën hetime, për shkak të një interviste të saj, të publikuar në prill të këtij viti, me një mjek në Shën Petersburg, i cili përshkruante mungesat e pajisjeve dhe furnizimeve mjekësore në spital për trajtimin e pacientëve me koronavirus.

Në dekadat e fundit, Radio Evropa e Lirë ka shtrirë misionin edhe për popullsitë e privuara nga shtypi i lirë, si në Afganistan, dhe së voni në vendet anëtare të Bashkimit Evropian, ku pluralizmi i mediave është në rënie.

Ajo po ashtu luan rol të rëndësishëm në Iran, duke depërtuar nëpër censurën zyrtare, për të arritur 15.4 për qind të popullsisë së këtij vendi.

Radio Evropa e Lirë është një kompani mediatike me pavarësi editoriale, e financuar me një grant nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara, përmes Agjencisë amerikane për Media Globale.

Përgatiti: Valona Tela
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration