Qytetarë nga Bujanoci: Nga Kosova presim përgjigjen
Lokale

Qytetarë nga Bujanoci: Nga Kosova presim përgjigjen

01.Nov.2018 11:30
0

Në këtë vikend vjeshte ku rrezet e diellit preknin çdo gjë që na rrethonte, kurse mua më rrethonte malli për një copë atdheu të quajtur Luginë e Preshevës, e që me ëndje preferoj ta quaj Kosovë Lindore.

Nuk e di se ç’ngjau por në fytyrën time u ‘përplas’ buzëqeshja, në shpirt po ndjeja festë ndersa në mendjen time sikur shfaqeshin kristale të atyre që po bënin roje atdheut ndër shekujsh.

Këtë vikend vendosa të shkoj në Bujanoc, për të ndjekur për së afërmi zhvillimet e jetës politike e sociale, të bashkëbisedoja direkt me qytetarët, të dëgjoja për jetën që e bëjnë nën kontrollin dhe presionet e Serbisë. Meqenëse, këtu në Prishtinë, u vë në pah një ide siç është ajo e presidentit të vendit, Hashim Thaçi, patjetër që do të merrte jehonë dhe do të ngjallte reagime pozitive e negative, do të zgjonte mbi të gjitha emocione tek ata të cilët bashkimin kombëtar e kanë pas ëndërr.

Dhe, përderisa ideja e Thaçit për korrigjim të kufijve zgjoi debate të shumta, madje nuk kaloi pa u komentuar edhe nga faktori ndërkombëtar. Në Prishtinë, edhe u protestua nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në gjithë këtë vorbull politik, më ngacmojë kureshtja për të marrë mendimet e qytetarëve të Luginës, nëse janë pro apo kundër bashkimit me Kosovën, tek fundja fati i atyre njerëzve është mbi të gjtiha, sesa lojërat e subjekteve politike, të cilat mund të kenë qëndrime jo të sinqerta karshi Luginës së Preshevës, vetëm për të arritur poena politike!

Gjatë rrugëtimit nuk doja të mbaja shënime, me idenë se çdo gjë që më shihte syri doja të më mbeste gjatë, shumë gjatë ose përgjithmonë në kujtesën time. Nuk parapëlqeja që emocionet, mendimet, analizat që bëja me vetën, thjeshtë t’i hedhja në letër, por para së gjithave doja t’i shijoja dhe të mund t’i interpretoja kudo që të shkoja, pa pasur nevojë që letra të bëhet sebep i rikujtimit të këtyre momenteve.

Pra, syri më kënaqej kur përtej xhamave të makinës shihja bukuritë natyrore si p.sh., Liqenin e Badovcit, malet që herë-herë ndjeja që po më shkurtonin rrugën…

Me të arritur në Graçanicë të krijohet përshtypja që në Kosovë është krijuar një ‘mini Serbi’, me gjithë ato simbole e flamuj serb të ekspozuar rrugëve dhe në qendër. E krahasuar me serbët e Graçanicës, ne sikur flamurin tonë vendosim me dembeli, e me nxitim e largojmë ende pa mbaruar festa.

Me shumë kujdes përcillja tabelat orientuese; sa Petrit, sa Ranilluk, sa Kamenicë…, dhe nuk vonojë shumë erdhi momenti ku tabela me kahje të djathtë lajmëronte që është radha e Bujanocit. Dhe, në ato momente fillojë të dukej kufiri, më saktë dogana te Dheu i Bardhë.

Teksa po e prisnim rendin, sepse në ato momente po bënte kolonë, pata kohë të mendoja dhe të analizoja mbi situatën në të cilën ndodhemi dhe për vendin në të cilin ia kisha mësyer të shkoja. Në një vend, ku diskriminimi është në shkallën më të lartë në rajon, ku mos lejimi i teksteve shqip, cenimi i informimit, cenimi i përdorimit të gjuhës dhe të simboleve kombëtare nëpër institucionet përkatëse, janë tanimë rutinë për të cilat është folur shumë e është bërë pak.

…po vështroja vërdall dhe po shikoja sesi në të ‘njejtën çati’ po kryenin detyrën me shumë përkushtim policët e të dyja shteteve të pavarura; Kosovës dhe Serbisë, por sigurisht në kufirin e gabuar qëllimisht nga kjo e fundit.

…dhe, vazhduam tutje situata dukej normale, e qetë, madje dukej bukur çdo gjë teksa po kalonim në Konçul, ku vërehej tek valonte një flamur shqiptar, ai Kuq e Zi.

Ajo që të binte në sy ishin tokat e punuara e që më vete thosha ‘sa punëtor që janë’. Madje, nuk doja të më iknin as tabelat reklamuese skaj rrugëve, dhe njëra thënje seç ma tërheqi vëmendjen: “së bashku në aksion”-“ се басхку не аксион”, e mbi të gjitha më la përshtypje se si ishte shkruar së pari shqip e pastaj serbisht. Pra, jo sikur këtej brenda kufirit tonë që më parë hasim teksa shënohet gjuha e komoniteteve e pastaj gjuha shqipe, mbase, ne po kemi dëshirë të tregojmë respektin e tepruar karshi të tjerve duke zbehur vetveten!

Duke bërë luftë brenda vetës me veprimet e vendimet e shtetit dhe padrejtësitë e Serbisë karshi shqiptarëve, shikova përballë Komunën e Bujanocit, më saktë para vetës tanimë kisha qytetin Skënderbeu, ku në të kishte plotë qytetarë, të cilët lëviznin e kryenin punët e tyre, e disa të ulur përreth kafiterive aty. Fëmijët gumëzhinin në lojërat e tyre…

Herë pas here në atë shesh kalonin dhe femra të mbuluara në kokë e me pantollona të ngusht, dhe sikur ndjeja që aty ende nuk kishte arritur “kultura” e minifundeve!

Përndryshe, gjithçka dukej normale  dhe krahasuar me vizitat e kaluara që i kam bërë kësaj pjese, ishte hera e parë që më kënaqej shpirti teksa shihja njerzit optimist, të buzëqeshur, të qetë, entuziast, disi më dukeshin të kapur për të ardhmen.

Kjo situatë më japi lirinë, të ofrohesha pranë tavolinave të bashkëbisedoja me qytetarët, të shëtisja rrugëve të Bujanocit, të ndaloja kalimtarët duke shpreh interesim për jetën dhe sigurinë e tyre.

Jam mahnitur me gjithë mikpritjen e ngrohtësinë që më ofronin, ndalonin e bisedonin pa hezitim. Përveç që tregoheshin shumë të dashur, ata tregoheshin shumë faleminderues që kisha marrë “mundin” të pasqyroj situatën aktuale të tyre, përmes Ballkani.info

Sikur, më shihnin “zë“ të tyre. Më linin shumë porosi, me anë të të cilave kërkonin që Prishtina zyrtare të bëj më shumë për Luginën. Rrëfimet e tyre deri në thjeshtësi, bënin të tradhëtohesha emocionalisht.

‘Nga Kosova presim përgjigjen: “na do pjesë të sajën ose jo”’,”Xhandarëria serbe ka shtuar prezencën e saj, andaj sa më shpejt të veprojnë politikanët e Kosovës, sepse po ndihemi të frikësuar”, “Idenë e Presidentit Thaçi e kemi mirëpritur, sepse tek fundja për këtë edhe kemi luftuar”, “Kosova të bëj më shumë për ne, ashtu siq Serbia po investon për serbët e Veriut të Mitrovicës”, “Sytë i kemi kah Prishtina”, “Fati jonë është në duart e politikanëve të Kosovës”, këto ishin vetëm nga disa nga bisedat e bëra me qytetarët e Luginës së Preshevës.

Thirrje këto që i thërrasin ndërgjegjës sonë qoftë si qytetarë, gazetarë apo çfarëdo pozicioni që jemi.

Është e pamundur të shkon në Bujanoc, e të mos e lësh një pjesë zemre atje. Është e pamundur të shkon në Bujanoc e të kthehesh pa marrë mësimin se si duhet atdheun, si ruhet tradita shqiptare karshi presioneve dhe kulturave të imponuara serbe me dekada të tëra.

Në vazhdim ju lë me disa nga opinionet e qytetarëve, në lidhje me zhvillimin e jetës aktuale në Luginë të Preshevës, pritshmërit e tyre kundrejt Prishtinës, raportet e tyre me serbët, presionet e Njësisë Speciale – Xhandarmërisë, ideja e Presidentit Hashim Thaçi, për korrigjim të kufijve, etj., :

“Nëse Presidenti Thaçi arrin të realizon iden e tij për korrigjim të kufijve, duke e bashkuar Luginën e Preshevës me Kosovën, e jap fjalën e nderit që këtu në këtë shesh “Skënderbeu” të Bujanocit do t’ja ndërtojë permendoren Hashim Thaçit”- Zylqefli Sherifi.

“Jam ekonomist i diplomuar, por e bëj punën e kamarierit sepse nuk kemi mundësi të tjera punësimi. Papunësia është e madhe këtu në Bujanoc, dhe për këtë shkak rinia po largohen çdo ditë e më tepër.
Në lokalin ku po punoj, vijnë edhe shqiptarët edhe serbët, dhe ju shërbej me shumë kënaqësi të gjithëve, pa dallime. Këtu në Bujanoc me serbët kemi shumë raporte të mira, vetëm që papunësia mund të sjellë probleme. Ne e kuptojmë që serbët nuk na dojnë, por probleme nuk na bëjnë. Përndryshe, jam i lumtur që presidenti Thaçi ka shtruar në tryezën e bisedimeve bashkimin me Kosovën, se ne jemi populli më diskriminues në rajon. Dhe, jam optimist që kjo do të arrihet një ditë dhe njëherë e përgjithmonë të zgjidhet kjo çështje. Xhandarmëria serbe çdo ditë e më tepër po krijojnë panik dhe frikë tek popullata, andaj ne kërkojmë ndihmë edhe nga faktori ndërkombëtar edhe nga vëllezërit e Kosovës dhe Shqipërisë, që sa më shpejt të zgjidhet ky proces që Presidenti Thaçi tanimë e ka shtruar në tryezën e bisedimeve apo dialogu Prishtinë-Beograd. Xhandarmëria më e pranishme është nëpër fshatra sesa këtu në qytet, e cila përdor forma të ndryshme të presioneve, vetëm e vetëm që të na frikësoj për të mos kërkuar bashkimin me Kosovën. Ne nga Kosova kemi pritur një ndihmë më të madhe, nëse e marrim shembull sesi Beogradi iu ndihmon serbëve të veriut, duke iu mundësuar një jetesë më të dinjitetshme. Presidenti Thaçi ndoshta ka dëshirë për të na ndihmuar, por ndoshta rrethanat e mundësit nuk ia lejojnë një gjë të tillë”-Valon Dalipi.

“Jeta aktuale këtu në Bujanoc është e qetë. Por shqetësuese është që rinia po ikin shkaku i papunësisë së madhe, ia kanë mësyer rrugëve të Evropës. Përndryshe, sytë i kemi kah Kosova, se çfarë po bëhet me ne. Nuk kalon natë pa i përcjellë lajmet, sidomos kur po flitet që Lugina e Preshevës do të bashkohet me Kosovën, kjo është që na pëlqen më së shumti. Por, pa iu nda asnjë pjesë tjetër Kosovës, shkaku jonë. P.sh., nuk është e drejtë që Ujmani t’i jepet Serbisë përderisa ishte i banuar thuajse krejt me shqiptar. Unë e kam vizituar dhe e kam shikuar për së afërmi Ujmanin. E kur flaism për Leposaviqin e disa të tjera është muhabet tjetër edhe me shku ska lidhje se edhe ashtu nuk janë nën kontroll të Kosovës. Me gjithë ata flamuj. E kur në këtë pjesë që i themi Kosovë Lindore, pak e hiq valojnë flamujt e Kosovës e ai i Shqipërisë. E pëlqejmë iden e Presidentit Thaçi, por pa ju nda asnjë pjesë Kosovës. Ndërsa për këto partitë tjera që flasin apo janë kundër ides së z. Thaçi e kanë vetëm sa për të arritur poena politike. Përndryshe, nëse kanë opsione le të urdhërojnë, ne jemi të gatshëm për t’i dëgjuar e bashkëpunuar. S’ka natë as ditë pa na kontrolluar xhandarmëria serbe. Unë zakonisht dal eci në orët e para të mëngjesit, dhe në mes të fshatit Lluqan me kanë ndalur për të më kontrolluar. Prezenca e kësaj njësie speciale është rikthyer në momentin që është diskutuar tema e korrigjimit të kufijve. Çdo vendim që merret në Prishtinë, këtu në Luginë, rezulton me rikthimin apo shtimin e xhandarmërisë. Iden e Thaçit e përkrahim sepse për këtë edhe kemi luftuar. Ne me serbët kalojmë shumë mirë, madje tani bëjmë edhe shaka mes vete, “a po vini me neve a po rrini këtë anë”, nuk na provokojnë qytetarët ndryshe nga xhandarmëria. Për fund do të shtoja që ideja e Hashim Thaçit, ka qenë edhe ide e Jonuz Musliut, i cili deri në vdekje e ka pas bashkangjitjen me Kosovën dhe Shqipërinë. Kudo që ka shkuar e ka hapur këtë temë, pra bashkangjitjen e tërsishme të Luginës”- Rafet Ibishi

 “Situata është normale, me serbët kemi raporte të mira. Ne me familje i kemi përcjellë zhvillimet politike në Prishtinë, përmes TV-së, dhe e kemi mirëpritur iden e Presidentit Thaçi për korrigjim të kufijve. Uroj që sa më parë të arrihet një marrëveshje dhe të bëhemi të gjithë bashkë. Ishalla bëhemi një komb”-Bleart Haziri. /ballkaninfo/

 

LPD: Trafikimi i këshilltarit Shpend Xhelili i dëmshëm për shqiptarët në Bujanoc
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration