Lokale
QSA mbanë Kuvendin e V-të, për kryetar rizgjedhë Dr. Lejlan Sadikun (foto)
Qendra e Solidaritetit dhe Avancimit (QSA) në Preshevë më 8 qershor mbajti kuvendin e V-të të rregullt sipas statutit të saj në të cilën u mbajtën zgjedhjet brenda kësaj organizate.
Drejtuesi i Kuvendit Xhelal Hasani, i cili hapi punimet e saj vazhdoi me udhëheqjen e programit edhe në fazën e zgjedhjes se kryetarit të ri.
Me votim të hapur dhe me propozim të kuvendarëve u dha vetëm një propozim-kandidatë për të drejtuar QSA-në , kryetari i deritanishëm Dr. Lejlan Sadiku.
Sipas njoftimit të kësaj organizate të cilën e transmeton Titulli, i riemërtuari në postin e kryetarit të organizatës ka arrit të marrë mbështetje tej mase nga Kuvendaret për të vazhduar punën e tij të suksesshme.
Me këtë rast Dr. Lejlan Sadiku e pranoj kandidaturën duke theksuar para të pranishmëve se do të punojë edhe ma shumë në të ardhmen, për të ndërtuar një Organizatë të fuqishme në Luginë të Preshevës.
Kuvendi mori vendim që kryesia e re të jetë 13 anëtarëshe. Gjithashtu ngriti edhe kuotën e gruas përbrenda Kryesisë, duke ia siguruar 5 vende, por jo vetëm kaq.
Duke integruar këto 5 vende në Kryesin e re, QSA dëshiron që jo vetëm në mënyrë artificiale, por konkrete, që të dëgjohet fjala e gruas aty ku merren vendime dhe të ketë efektin e saj aktiv në zhvillimin e misionit të kësaj organizate.
Anëtarët e tjerë për kryesi u votuan në mënyrë të fshehtë. Pasi komisioni numëroi votat dhe pasi u pranuan vendimet nga të votuarit, kryesia e re e QSA është si me poshtë:
1. Dr.Lejlan Sadiku
2. Granit Ajdini
3. Shqiprim Arifi
4. Jetmir Selmani
5. Xhelal Hasani
6. Dr.Flakron Sabedini
7. Kreshnik Ibrahimi
8. Valbon Salihu
9. Blerta Hajrullahu
10. Dr.med.spec.Arbenita Arifi
11. Vildane Limani
12. Taibe Sadiku
13. Luljeta Azizi
Kuvendi për këshillë mbikëqyrës caktoi :
z. Afrim Abdullahun – nga fsh. Tërnavë, komuna e Preshevës
z. Muhamed Selimi – nga fsh. Bilaç, komuna e Bujanocit dhe
z. Prof.Ekrem Alimi – nga fsh. Nasalcë, komuna e Bujanocit.
Vlen theksuar se punimet e kësaj organizate në Kuvendin e V-të të saj, që vepron në Luginë të Preshevës, nisën me lexim të vargjeve të Kur’anit famëlartë nga nxënësi Amar Selimi.
Përveç kryetarit të rizgjedhur Dr. Lejlan Sadikut të pranishmit i përshëndeti edhe sekretari i përgjithshëm i Asamblesë së QSA-së Shqiprim Arifi.
Ai sqaroi mënyrën e ndërtimit, funksionimit, duke theksuar se kjo organizatë me seli në Preshevë ishte promotore e të gjithë këtij reaksioni të “solidaritetit” që u zhvillua.
“Kjo si efekt pati formimin e disa qendrave të jashtme të QSA-së duke filluar me qendrën në Zvicër, Gjermani, Belgjikë, tani më edhe në Austri si dhe me atë të ngjashmen si të ynën native në Kumanovë të Maqedonisë. Kjo punë nuk ishte e lehtë të arrihej, pra u deshtë mund, angazhim dhe sakrificë, duke mos harruar se tani më për realizimin e qëllimeve dhe synimeve tona të vazhdueshme solidare që kemi karshi popullit tonë brenda rrjetit tonë të solidaritetit, rrahin më shumë se një mijë zemra nga gjitha trojet shqiptare”, u shpreh sekretari i përgjithshëm i asamblesë së QSA-së Shqiprim Arifi.
Në këtë Kuvend u paraqit edhe raporti i punës dy vjeçare 2012/13 nga ana e kryetarit, së bashku me raportin përshkrues dhe financiar të përgatitur nga kryesia e deriatëhershme në përbërje me Ekrem Alimin nënkryetar nga komuna Bujanocit, Arben Isahu arkëtar nga komuna e Preshevës, Valbon Salihu dhe Edmond Rexhepi nga komuna e Bujanocit, anëtar të kryesisë.
Me këtë rast u bë një analizë e gjendjes së popullsisë në Luginë në aspektin social dhe ekonomik, arsimor dhe edukativ si dhe efektet e vendimmarrjes së politikës evropiane, rajonale, shtetërore dhe lokale duke nënvizuar dhe pasojat e liberalizimit te vizave, efektet e provincializmit me vështirësitë e lëvizjes, mos investimet dhe keqmenaxhimet në lokalitet, ku pasojat po manifestohen me problematika të mëdha sociale këtu në Luginë.
Në këtë Kuvend u paraqitën problematikat se ka rritje të njerëzve që u duhet dhënë ndihmesë në aspektin humanitar.
“Kemi migracion të vazhdueshëm të popullsisë, arsimim i dobët të të rinjve, vështirësi në arsimim dhe edukim, probleme të natyrës psikologjike, morale që kanë përfshirë rininë, rritja e sëmundjeve në popull, si dhe disa probleme tjera të natyrës sociale dhe ekonomike”, thanë ndër të tjera anëtarët e Asamblesë së QSA-së.
“Për strategjinë e re u ra në ujdi të ndiqen disa parime si: të kemi politikën e të bërit atë që duhet bërë, e jo si deri më tani të bëjmë atë që mundemi, të shtohet komunikimi me rrethin dhe ambientin brenda dhe jashtë, diaspora të inkorporohet me gjitha potencialet e saja në formën më vlerësuese dhe institucionale, instalimi i politikës “no konflikt” me asnjë individ, palë apo grup interesi, të vazhdohet edhe me tutje me aktivitetet në dyja komunat Preshevë dhe Bujanoc me tendencën e përfshirjes edhe të Medvegjës, nëse paraqiten aktivistë, si dhe t’i “titrojmë” me kujdes vendimmarrjet e ndryshme që kanë efekte të drejtpërdrejta në grupet qëllimore të QSA”, thuhet mes tjerash në njoftim./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!