Intervista
Qeveria e Serbisë nuk na sheh me sy të mirë
Qeveria e Serbisë neve si Këshill Kombëtar nuk na sheh me sy të mirë sikurse që nuk i sheh qytetarët shqiptarë që jetojnë në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë. Kur kemi formuar Këshillin Kombëtar ne kemi menduar që së paku të bëjmë një aktivitet në vit, por brenda këtij viti kemi katër-pesë aktivitete shumë të mëdha: kemi nxjerrë gazetën “Nacionali” që është një sukses shumë i madh, kemi arritur të formojmë fakulltetin ekonomik në Bujanoc ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe dhe ku janë afër 60 studentë shqiptarë, kemi arritur që për herë të parë të sjellim trajnues nga Shqipëria që kanë trajnuar arsimtarët për tekste shkollore, tha gjatë një interviste për Titullin Galip Beqiri, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi.
Me mbështetjen e Këshillit Kombëtar Shqiptar manifestimi “Takimet e vendlindjes” në Tupallë këtë vit po mbahet si pjesë e programit të shënimit të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Çfarë është komenti juaj?
Me gjithë barrierat kufitare me Kosovën, me gjithë ato taksat që ishin të larta po shihet se interesimi i qytetarëve ishte mjaft i madh. Prezenca ishte mjaft e madhe edhe me të vërtetë ky takim tradicional duhet të vazhdojë edhe më tutje dhe për këtë takim medvegjasit duhet ta kenë përkrahjen edhe të Shqipërisë edhe të Kosovës, por normalisht do ta kenë edhe përkrahjen e Këshillit Kombëtar Shqiptar. Ne jemi munduar që së paku materialisht ta ndihmojmë këshillin organizativ dhe kemi arritur që ta sjellim një autobus me shoqërinë kulturore-artistike “Jehona” dhe disa futbollistë. Po shihet se interesimi është mjaft i madh, unë shpresoj se vitin e ardhshëm do të jetë edhe më mirë por megjithatë këto barrierat kufitare do ta pengojnë këtë aktivitet. Shpresoj se vitin e ardhshëm do të organizohemi më mirë se këtë vit.
Ju tani jeni më prezentë në Medvegjë. A do të thotë kjo se Këshilli Kombëtar është kthyer t’i ndihmojë Medvegjës?
Ne e kemi këtë për obligim. Këshilli kombëtar i ka katër fusha: arsimin, kulturën, informimin, zbatimin e gjuhës dhe simboleve kombëtare. Në këtë aspekt ne në strukturat e Këshillit Kombëtar Shqiptar kemi përfaqësues të Medvegjës, nënkryetari i Këshillit Kombëtar është nga Medvegja. Këtë vit do të fillojmë me tekste shkollore nga Shqipëria dhe shpresojmë që nxënësit e Medvegjës do ti kenë të gjitha tekstet shkollore siç i kanë në Bujanoc dhe Preshevë. Deri në klasë të katërt do ti kenë falas, ndërsa prej klasës së pestë deri në të tetën do të paguhet një shumë që caktohet nga shtëpitë botuese. Në aspektin kulturor po mundohemi që ta sjellim një aktivitet kulturor këtu, së paku një dramë apo një shoqëri kulturore-artistike që është pak më profesionale. Kam ndëgjuar se ekziston Shtëpia e Kulturës në Medvegjë, do të mundohemi ta sjellim një trupë artistike që ta vizitojë Medvegjën. Këto janë disa hapa fillestarë por shpresoj se kemi një moral dhe motiv që ti përkhrahim këta njerëz që jetojnë dhe veprojnë këtu.
Sa ka arritur Këshilli Kombëtar Shqiptar të kontribuojë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Luginës së Preshevës?
Këshilli Kombëtar Shqiptar ekziston që një vit dhe normalisht ka problemet e veta financiare, problemet materiale sepse edhe qeveria neve si Këshill Kombëtar nuk na sheh me sy të mirë sikurse që nuk i sheh qytetarët shqiptarë që jetojnë në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë. Kur kemi formuar Këshillin Kombëtar ne kemi menduar që së paku të bëjmë një aktivitet në vit, por brenda këtij viti kemi katër-pesë aktivitete shumë të mëdha: kemi nxjerrë gazetën “Nacionali” që është një sukses shumë i madh, kemi arritur të formojmë fakulltetin ekonomik në Bujanoc ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe dhe ku janë afër 60 studentë shqiptarë, kemi arritur që për herë të parë të sjellim trajnues nga Shqipëria që kanë trajnuar arsimtarët për tekste shkollore etj. Ka aktivitete të shumta por njëra ndër ato është edhe 100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë ku do të ketë manifestime në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë. Këto janë rezultatet e Këshillit, pa përmendur abetarën dhe shumë tekste të tjera shkollore që janë lejuar të importohen nga Shqipëria dhe që ti kenë nxënësit në duart e veta./Fidan Kosumi/Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!