Qeveria E Kosovës vendos: Nga 22 qershori hapet kufiri edhe Preshevë
Qeveria e Kosovës ka votuar që më 22 qershor të hapen edhe pikat kufitare në Qafë-Prush, Qafë-Morinë, Muçibabë e Mutivodë.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, gjatë prezantimit të tij ka kërkuar që ky vendim të hyjë në fuqi menjëherë dhe i cili do të fillojë të zbatohet më 22 qershor.
Sipas Zemajt, kjo kërkesë për ndryshim është bërë për shkak të fluksit të qytetarëve.
“Kërkesa e MSH-së konsiston të plotësohet të ndryshohet pika e pestë e Qeverisë, në të cilën ne paraprakisht kishim përcaktuar pikat kufitare që u hapën më parë dhe është parë e domosdoshme që për shkak të fluksit të madh të qytetarëve që të hapen edhe pikat e tjera, Qafë-Prush, Qafë-Morinë, Muçibabë e Mutivodë. MSH-ja parasheh që gradualisht të hapen edhe pikat e tjera kufitare. Ajo çka kisha dashur, që ju kisha lutur që të jetë e përcaktuar që ky vendim të hyjë në fuqi më 22 qershor të këtij viti”, deklaroi Zemaj.
Zemaj po ashtu kërkoi nga qytetarët që të vazhdojnë të zbatojnë të gjitha rekomandimet e MSH-së dhe të IKSHPK-së për mbrojtjen nga përhapja e koronavirusit.
Ndërsa Selim Selimi, ministër i Drejtësisë ka përshëndetur këtë vendim.
"I lumtur që në mbledhjen e sotme të Qeverisë u miratua vendimi për hapjen e kufirit tokësor të Republikës së Kosovës edhe në pikën e kalimit të kufirit Muqibabë, i cili hyn në fuqi më 22 qershor 2020. Me këtë vendim, qytetarët e Preshevës, të cilët kanë qenë të ndarë përkohësisht nga lidhja jonë e pandashme, do të mund të hyjnë në Republikën e Kosovës pa asnjë kufizim, por gjithmonë duke pasur kujdes të shtuar", shkroi Selimi.