Lokale
Qarkullimi ekonomik Kosovë –Shqipëri- Serbi, me lehtësira përmes Bujanocit
Oda Ekonomike e Serbisë përmes qendrës së saj rajonale për Rrethinin e Pçinjës dhe Jabllanicës ka vendosur të hap zyrën e saj edhe në Bujanoc.
Ky vendim është produkt i një takimi të zhvilluar sot në Bujanoc midis kryetarit të Odës Ekonomike rajonale të rrethit të Jabllanicës dhe Pçinjës, Goran Joviq, dhe kryetarit të komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, si dhe koordinatorit të Zyrës Lokale për Zhvillim Ekonomik, Nexhat Behluli.
“Oda Ekonomike e Serbisë me përfaqësinë e saj në rrethet e Pçinjës dhe Jabllanicës ka shfaqur interesimin që përmes zyrës ndërlidhëse në Bujanoc, përveç se të jetë më pranë bizneseve të kësaj komune dhe asaj të Preshevës, njëkohësisht ti shfrytëzoj edhe benificionet që ofron Memorandumi i bashkëpunimit midis komunës së Bujanocit,Odës Ekonomike të Kosovës,Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperendimore dhe Dhomës të Tregëtisë dhe Industrisë në Tiranë”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga komuna e Bujanocit, transmeton Titulli.
Sipas këtij njoftimi, kryetari Arifi dhe koordinatori Behluli kanë njoftuar drejtuesin rajonal të Odës Ekonomike të Serbisë me lehtësirat që ofron bashkëpunimi me O.K.K. DH.T.I.T dhe O.E.M.V.P, i cili funksionon për dy vjet.
“Meqë biznesi dhe ekonomia nuk njohin kufi çdo bashkëpunim në këtë drejtim, i cili do të ishte i ndërsjelltë për të dyja vendet, në radhë të parë shkon në interes të qytetarëve, si klientë potencial të produkteve të ndryshme”, u tha në këtë takim.
“Bujanoci që prej kohësh e kishte nuhatur se bashkëpunimi ndërkufitar me Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë në lëmin e ekonomisë është i patjetërsueshëm”, u shpreh gjatë takimit kryetari Arifi.
“Pasi që komuna jonë ndodhet edhe në udhëkryqin që na lidh me këto vende, ky vendim yni i marrë para dy vjetësh ishte i qëlluar dhe në kohën e duhur”, ka theksuar matej Arifi.
“Duke i pasur parasysh lehtësirat që posedon komuna e Bujanocit në drejtim të këmbimeve ekonomike me Kosovën, drejtuesit rajonal të Odës Ekonomike të Serbisë shfaqën shpresën se me hapjen e zyrës ndërlidhëse në Bujanoc dalngadal mund të liberalizohet qarkullimi ekonomik midis këtyre shteteve”, përfundon njoftimi për këtë takim nga zyra e kryetarit të komunës së Bujanocit.
Përndryshe, komuna e Bujanocit përveç se me Odën Ekonomike të Kosovës, Memorandum bashkëpunimi ka firmosur edhe me Odën Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore dhe me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë të Republikës së Shqipërisë./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!