PVD-UDSH dhe LPD takohen rreth krijimit të koalicionit (video)
Përfaqësuesit e koalicionit PVD-UDSH janë takuar sot me përfaqësuesit e LPD-së rreth formimit të koalicionit qeverisës në komunën e Bujanocit, raporton Titulli.com.Ragmi Mustafa, nga koalicioni PVD-UDSH tha pas takimit që me LPD-në janë plotësisht dakord sa i përket parimeve bazë.
“Kemi mbetur në vazhdimësi t’i sqarojmë çështjet teknike deri në fund. Ajo që është e rëndësishme që ne po mundohemi që në radhë të parë të vëmë interesin e shqiptarëve”, tha Mustafa, njofton Titulli.com.
Sipas fjalëve të tij, bisedimet do të vazhdojnë sepse koalicioni PVD-UDSH është i interesuar për krjimin e një koalicioni të gjerë, i cili mundet që parimet bazë t’i realizojmë në përpikëri .
Arsim Asllani, nga Lëvizja e Progresit Demokratik tha se ishte një takim i frytshëm pasi u pajtuam për parimet bazë.
“Çështjet teknike mbetet të diskutohen. Ne si subjekt jemi të hapur për të gjithë. Na mbetet oferta konkete nga ana e PVD-së. Mbetet shumë punë përpara, por besoj se me një vullntet të mire, do t’ia dalim”, theksoi Asllani.
Koalicioni PVD-UDSH si lista fituese e zgjedhjeve lokale në komunën e Bujanocit ka ftuar të gjitha subjektet për bisedime rreth krijimit të koalicionit.
Pas takimit me LPD-në sot gjatë ditës në zyrën e PVD-së në Bujanoc kanë vazhduar takimet edhe me listat tjera që kanë siguruar këshilltarë në kuvendin e ardhshëm komunal të Bujanocit./Titulli.com/