Lokale
PVD sot dorëzon listën në Komisionin Republikan Zgjedhor
Partia për Veprim Demokratik (PVD) ka arritur të grumbullojë nënshkrimet e nevojshme për të marrë pjesë në zgjedhjet Parlamentare që më 16 mars do të mbahen në Serbi.
Pas mbledhjes së mbrëmshme ky subjekt politik ka dalë edhe me bartësin e listës që do të jetë deputeti dhe kryetari i PVD-së Riza Halimi, si dhe nëntë kandidatët tjerë
“Sot do të bëjmë dorëzimin e listës me 10 kandidatë në Komisionin Republikan Zgjedhor ( KRZ), ku me numrin 1 do të jetë Riza Halimi i pasuar nga Shaip Kamberi dhe kandidatë tjerë”, i tha sot Titullit Driton Rexhepi, shef i shtabit zgjedhor të PVD-së në Bujanoc.
Ky subjekt politik shqiptar i cili merr pjesë në këto zgjedhje ka arrit të grumbullojë mbi 10.800 nënshkrime, të cilat do të dorëzohen sot në KRZ deri në mesnatë.
Shefi i shtabit zgjedhor Driton Rexhepi theksoi për Titullin se lista në KRZ do të mbajë emrin “PVD Riza Halimi”.
Duke marrë parasysh se në këto zgjedhje merr pjesë vetëm një subjekt politik shqiptar nga Lugina dhe pesë të tjera bojkotojnë ato, shanset për të fituar dy ulëse në Parlament janë minimale, përveç nëse elektorati i përgjigjet masovikisht ftesës së PVD-së duke mos përfillur bojkotimin e subjekteve tjera.
Deri në këto momente në Komisionin Republikan Zgjedhor janë dorëzuar 12 lista zgjedhore, në mesin e tyre edhe të pakicave tjera në Serbi, si të hungarezëve dhe boshnjakëve./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!