PVD: Realizimi i plotë i të drejtave konform referendumit të vitit 1992 është i mundshëm vetëm pas ndryshimeve ligjore e kushtetuese në Serbi
Lokale

PVD: Realizimi i plotë i të drejtave konform referendumit të vitit 1992 është i mundshëm vetëm pas ndryshimeve ligjore e kushtetuese në Serbi

01.Mar.2016 14:40
0
Në 24 vjetorin e referendumit të 1 dhe 2 marsit të vitit 1992,Partia për Veprim Demokratik ka dal me një komunikatë, ku thuhet se në Deklaratën politike të PVD dhe PDSH, gjithashtu është potencuar se "popullata shqiptare e këtij rajoni është pjesë përbërëse e tërë popullatës shqiptare të Kosovës dhe Maqedonisë, janë të natyrshme synimet e Shqiptarëve në këto treva që në kuadër të proceseve evropiane të integrohen në hapësirën Shqiptare, e posaçërisht me Kosovën, pjesë integrale e së cilës ishin gjatë historisë ".

Realizimi i plotë i të drejtave kolektive të Shqiptarëve konform me vullnetin politik të shprehur me Referendumin e 1 dhe 2 marsit 1992 është i mundshëm vetëm pas ndryshimeve ligjore dhe kushtetuese në Serbi të domosdoshme për integrimet evropiane, thuhet gjithashtu në komunikatën PVD-së, të cilën ju sjellim në tërësi në vazhdim.

 

Shqyrtim lidhur me rastin e Referendumit  të 1 dhe 2 marsit 1992        

 

         Në 24 vjetorin e Referendumit të mbajtur më 1 dhe 2 mars 1992 është e mundur të bëjmë shqyrtim objektiv dhe racional të rrethanave në të cilat u zhvillua kjo ngjarje me rëndësi të posaçme politike si dhe të ndikimeve  në zhvillimet  shoqërore – politike në Luginë të Preshevës në vitet që kaluan gjer më tani, por edhe në periudhën vijuese, kur po definohen raporte të reja.

          Fillimisht duhet të theksohet se parakushti i parë që mundësoi shprehjen e vullnetit politik të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë për here të parë në historinë e tyre ishte krijimi i partive politike Shqiptare në kuadër të sistemit shumpartiak. Gjithashtu është në këtë kontekst shumë i rëndësishëm formimi i Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në ish Jugosllavi, që u mundësua pas mbajtjes së takimit konsultativ të Zagrebit të përfaqësuesve të partive politike Shqiptare më 19 dhe 20 janar 1991, ku morën pjesë edhe përfaqësuesit e PVD-së.

           Menjëherë në mbledhjen e dytë të këtij Këshilli, pjesë e të cilit ishin edhe dy partitë politike Shqiptare nga Lugina e Preshevës, PVD dhe PDSH, të mbajtur më 03.09.1991, u aprovua “Deklarata politike për pozitën e popullit shqiptarë në Jugosllavi”. Me këtë deklaratë u formuluan tri opsionet e njohura për zgjidhjen e çështjes shqiptare në ish Jugosllavi.

           Këshilli Koordinues i Partive Politike Shqiptare në ish Jugosllavi gjithashtu që në fillim të shtatorit vendosi për mbajtjen e Referendumit në Kosovë, sikur që kishte përcaktuar orientimet për angazhimet e Shqiptarëve në Maqedoni, në Serbi dhe në Mal të Zi, në kuadër të të cilave është paraparë gjithashtu mundësia për organizimin e referendumeve.

          Në këtë plan është e rëndësishme të shtohet se gjatë vitit 1991 ishte mbajtur një seri e referendumeve që i kishin organizuar serbët në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë.

          Është shumë e qartë se në rrethana kur ishte e sigurtë se shpërbërja e ish Jugosllavisë ishte proces i pashmangshëm edhe Shqiptarët e Luginës së Preshevës me anë të Referendumit shprehën vullnetin e tyre politik për statusin e tyre politiko – juridik që synojnë ta realizojnë me angazhimin e tyre strategjik politik në periudhën vijuese.

          Me këtë rast është e domosdoshme të theksohet se me Deklaratën politike të PVD dhe PDSH mbi themelimin e Kuvendit për shpalljen e Referendumit për autonomi politike e territoriale të Shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë të 16 shkurtit 1992 u krijuan kushtet politike dhe organizative për t’u mbajtur seanca e Kuvendit për autonomi politike e territoriale më 24 shkurt 1992, në të cilën u formulua pyetja e Referendumit siç vijon: “ A jeni për autonomi politike territoriale të Shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë me të drejtë bashkimi me Kosovën “. Në këtë seancë u vendos që Referendumi të mbahet më 1 dhe 2 mars 1992 në vendbanimet me popullatë shqiptare në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës si dhe punëtorët Shqiptarë të këtij rajoni në shtetet evropiane.

          Është me rëndësi të theksohet se edhe në Deklaratën politike të dy partive edhe në Komunikatën e Kuvendit për shpalljen e Referendumit fillimisht është potencuar situata e rëndë diskriminuese e popullatës shqiptare në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Andaj edhe del e natyrshme kërkesa e shprehur në formë plebishitare në Referendumin e 1 dhe 2 marsit 1992 për autonomi politike territoriale të këtij rajoni si mekanizëm efikas politiko – juridik për realizimin e të gjitha të drejtave të njeriut dhe të drejtave kombëtare të Shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Natyrisht janë paraqitur edhe argumentet politike, ekonomike, kulturore dhe psikologjike që e karakterizojnë këtë rajon dhe arsyetojnë kërkesën për autonomi të Luginës së Preshevës në kuadër të Serbisë.

          Në Deklaratën politike të PVD dhe PDSH, gjithashtu është potencuar se “ popullata shqiptare e këtij rajoni është pjesë përbërëse e tërë popullatës shqiptare të Kosovës dhe Maqedonisë, janë të natyrshme synimet e Shqiptarëve në këto treva që në kuadër të proceseve evropiane të integrohen në hapësirën Shqiptare, e posaçërisht me Kosovën, pjesë integrale e së cilës ishin gjatë historisë “.

          Aktualisht, në situatë që vazhdon të jetë e rëndë dhe shumë delikate, është normale që paraqiten pakënaqësi, mirëpo shpesh paraqiten edhe qasje të papranueshme dhe të paargumentuara lidhur me angazhimet e subjekteve politike në realizimin e aspiratave të paraqitura me Referendumin e 1 dhe 2 marsit 1992. Në këtë kontekst do ta kisha cituar Vendimin e Këshillit Koordinues të Partive politike Shqiptare për mbajtjen e Referendumit në Kosovë dhe në trojet tjera shqiptare në ish Jugosllavi ku theksohet se: “Jemi deklaruar për zgjidhje paqësore dhe me rrugë demokratike të çështjes shqiptare në Jugosllavi dhe jemi të obliguar të respektojmë rrugën legale dhe legjitime, që do të ketë përkrahjen e subjekteve të brendshëm dhe të jashtëm. Duhet dalluar veprimin legal, ligjor, kushtetues prej veprimit politik. Veprimi politik është synim, ndërsa veprimi ligjor është rrugë që hap pas hapi të arrihet te qëllimi përfundimtar politik që e përcaktojnë partitë politike “.

          Është shumë e qartë se realizimi i synimeve të përcaktuara me Referendum është proces i vështirë politik i cili në rastin konkret në Luginë të Preshevës ka kaluar nëpër sfida të rënda ekzistenciale që i patëm gjatë regjimit të egër të Millosheviqit dhe periudhave të gjendjeve të luftës dhe gjendjeve të jashtëzakonshme prej vitit 1999 e gjer në vitin 2001, si dhe formave perfide të diskriminimit edhe nga ana e qeverive të pas 5 tetorit 2000, që po ushtrohen në kushte të raporteve të tensionuara në mes të qeverisë së Serbisë dhe qeverisë së Kosovës.

          Mirëpo, është me rëndësi të veçantë që orientimi strategjik politik i përcaktuar me Referendumin e 1 dhe 2 marsit 1992, i konfirmuar edhe me Platformën politike të Shqiptarëve të 14 janarit 2006 është i pranishëm në programet e subjekteve politike Shqiptare, e mbi të gjitha është me rëndësi që subjektet politike me anë të Kuvendit të Këshilltarëve Shqiptarë të orientojnë angazhimet e tyre praktike në drejtim të kërkesave legjitime të popullatës shqiptare për realizimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtave kolektive të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës në bazë të kritereve që iu janë siguruar pakicës serbe në Kosovë.

            Aktualisht veprimi ligjor i Shqiptarëve është duke u zhvilluar në kuadër të pushteteve lokale, Këshillit Nacional të Shqiptarëve dhe Kuvendit të Republikës së Serbisë me anë të deputetëve opozitar. Është e qartë se veprimi ligjor në kuadër të këtyre institucioneve aktualisht është i pamjaftueshëm për t’i zgjidhur edhe problemet elementare jetësore, e mos të flasin për ndonjë avancim më serioz të pakicës së Shqiptarëve në Serbi. Natyrisht pos ngritjes së kualitetit të udhëheqjes së pushteteve lokale dhe të KNSH-së është i domosdoshëm edhe zgjerimi i kompetencave të këtyre institucioneve të rëndësishme. Mirëpo për realizimin e plotë të drejtave të pakicave është i domosdoshëm edhe rajonalizimi i Serbisë dhe ndërtimi i institucioneve rajonale, që duhet të mundësohet me anë të Kushtetutës së re. Gjithsesi në këtë fazë ka rëndësi të posaçme asociacioni i komunave, që është paraparë edhe me ligjin për pushtet lokal në Serbi, duke mundësuar që dy e më tepër komuna mund të ndërtojnë organe dhe institucione të përbashkëta në interes të qytetarëve të tyre. Sigurisht që për ta realizuar këtë mundësi ligjore nevojiten vendimet  e Kuvendeve komunale në radhë të parë të komunave Preshevë e Bujanoc, disponim ky që gjer më tani mjerisht po mungon në radhët e shumicave të këshilltarëve të këtyre Kuvendeve. Në këtë drejtim është e domosdoshme edhe atmosfera e volitshme politike dhe vullneti adekuat politik i Kuvendit dhe Qeverisë serbe, që po mungon në formë drastike.

            Natyrisht realizimi i plotë i të drejtave kolektive të Shqiptarëve konform me vullnetin politik të shprehur me Referendumin e 1 dhe 2 marsit 1992 është i mundshëm vetëm pas ndryshimeve ligjore dhe kushtetuese në Serbi të domosdoshme për integrimet evropiane. Gjithsesi këto ndryshime duhen të jenë patjetër të bazuara në vlerat civilizuese të parapara me standardet ndërkombëtare me të cilat janë të rregulluara statuset politiko - juridike të popujve pakicë që paraqesin shumicën e banorëve në rajone të caktuara siç është rasti me Shqiptarët në Luginë të Preshevës, Boshnjakët në Sanxhak dhe Hungarezët në pjesë të caktuara të Vojvodinës. Në këtë drejtim kemi shembujt më të avancuar në Finlandë lidhur me pozitën e Suedezëve në ujdhesat e Olandit, të Italisë me pozitën e Gjermanëve në Tirolin jugor e posaçërisht me rastin e Serbëve në Kosovë./Titulli.com/

 

Kryetari i PVD - së

Riza HALIMI

Musliu uron Presidentin Thaçi
Tekstet mësimore kthehen mbrapa në Kosovë (video/foto)
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration