PVD mbush 25 vite, organizimi i parë politikë i shqiptarëve në Luginë
Lokale

PVD mbush 25 vite, organizimi i parë politikë i shqiptarëve në Luginë

20.Aug.2015 13:51
0
Para 25 viteve, më 19 gusht 1990 u formua Partia për Veprim Demokratik si parti e parë politike që i tuboi në veprim të përbashkët politik Shqiptarët në Luginë të Preshevës

Lidhur me këtë përvjetor, ky subjekt politik i shtrirë në tri komunat e Luginës së Preshevës ka bërë një analizë të arriturave të saj gjatë kësaj periudhe, derisa në të njëjtën kohë numëron ngecjet e kundërshtarëve politik. 

Kumtesa e PVD-së     

Natyrisht ishte fryma e re politike e shkaktuar me rënien e murit të Berlinit që imponoi ndryshimet ligjore që mundësuan pluralizmin politik dhe sistemin shumpartiak  edhe në ish Jugosllavi. Mirëpo, njëkohësisht ishte dhuna dhe diskriminimi i rëndë i regjimit të Millosheviqit që imponuan domosdoshmërinë e kundërpërgjigjes legale të Shqiptarëve me organizimin e pavarur politik me anë të LDK – së në Kosovë, me PPD në Maqedoni, me PVD në Luginë të Preshevës dhe LD të Shqiptarëve në Mal të Zi.

Në këto rrethana shoqërore e politike orientimet themelore politike të PVD – së ishin të orientuara në luftën politike kundër diskriminimit të rëndë që arrinte edhe përmasat e apartheidit dhe në angazhimin për realizimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtave kolektive të parapara me Konventa ndërkombëtare.

Natyrisht se PVD që në fillim, në bazë të orientimeve programore morri pjesë në të gjitha zgjedhjet lokale dhe në të gjitha zgjedhjet paralamentare, në të cilat mund të konkuronin listat zgjedhore të Shqiptarëve si të pavarura. PVD ishte për formimin e Këshillit Nacional të Shqiptarëve qysh në vitin 2002 kur u aprovua ligji për mbrojtjen e pakicave nacionale ashtu si vepruan edhe hungarezët, boshnjakët dhe pakicat tjera nacionale.

Në periudhën e deritanishme të një çerek shekulli paralel me këtë politikë transparente të pjesëmarrjes aktive në jetën politike dhe institucionale të Republikës së Serbisë, u zhvillua edhe politika e bojkoteve manipulative, që në vazhdimësi i shkaktuan dëme serioze Shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

Në zgjedhjet e para parlamentare të vitit 1990 kur PVD kishte siguruar përfaqësuesin e parë legjitimi në Parlamentin qendrorë për të aktualizuar dhe senzibilizuar çështjen e Shqiptarëve në Serbi, PDSH kishte bojkotuar sikur që kishte bojkotuar edhe zgjedhjet e para lokale në majin e vitit 1992. Duke i parë këto dështime fillestare PDSH më vonë kishte marrë pjesë edhe në zgjedhje lokale edhe në ato parlamentare.

Të njejtin fat të përçarjeve të panevojshme e pësuan Shqiptarët në Luginë të Preshevës edhe në rastin e Këshillit Nacional të Shqiptarëve. Pas tetë viteve të humbura PVD dhe UDSH e formuan KNSH – në në vitin 2010 duke u akuzuar për tradhti kombëtare nga pjesa tjetër e spektrit politik Shqiptarë.

Pas katër viteve pikërisht ata që bojkotuan dhe akuzuan morrën pjesë në zgjedhjet e fundit dhe në bazë të një epërsie të vogël votash kanë marrë përgjegjësinë për KNSH – në duke e eliminuar opozitën edhe nga trupat punuese të tij!

Është shumë e qartë se praktika e deritanishme bojkotuese nuk kishte të bënte me strategji eventuale të padëgjueshmërisë qytetare por në rradhë të parë ishte taktikë manipuluese që përdorte demagogjinë nacional – folkloriste për të përfituar poena të lirë politik, të nevojshme për të siguruar monopol uzurpues në pushtetet lokale.

Në vazhdën e manipulimeve demagogjike si për punën e KNSH në katër vitet e para ashtu edhe për angazhimin e deputetëve në Parlamentin qendrorë  janë paraqitur shpesh akuza bajate që janë të ndërlidhura me gjendjen e vështirë të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

Në këto raste shpesh harrohen pasojat e rënda të shkatërrimeve gjatë shpartallimit të dhunshëm dhe me luftëra të njëpasnjëshme të ish Jugosllavisë në periudhën 1991 – 1999, si dhe pasojat e rënda të militarizimit të Luginës së Preshevës pas Marrëveshjes së Kumanovës, kur për shkak të dhunës shtetërore Shqiptarët u detyruan edhe me armë në dorë të mbrohen. Gjithashtu nuk është duke u trajtuar seriozisht nga asnjë faktorë relevant edhe fakti se Lugina e Preshevës po vazhdon të jetë e bllokuar shumë rëndë për shkak të raporteve jonormale në mes të Serbisë dhe Kosovës.

Me siguri që kulminacioni i manipulimeve demagogjike është arritur në raport me Trupin Koordinues të qeverisë serbe për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë që në mënyrë arbitrare iu imponua Luginës së Preshevës që nga gjendja e krizës në dhjetorin e vitit 2000. Me qëllim të reformimit të këtij organi qeveritar në të cilin dominojnë kuadrot serbe nga Beogradi, shpesh oficer ushtarak e policorë të penzionuar, me propozim të OSBE – së dhe ambasadave të SHBA dhe Britanisë së Madhe ishte paraparë rikontruimi i tij, që parashihte integrimin efektiv të përfaqësuesve legjitim shqiptarë. Atëherë në prill të vitit 2009 për ta penguar realizimin e kësaj marrëveshje kryesia e PDSH – së e shkatërroi koalicionin qeverisës me PVD – në në komunë të Preshevës me arsyetim se nuk e njeh Trupin Koordinues. Mirëpo pas një kohe të shkurtër kryetari i PDSH – së dhe kryetari i komunës së Preshevës filloi rregullisht të marrë pjesë në mbledhjet e pakëta të kryesisë së Trupit Koordinues edhe atë si nënkryetar i Trupit Koordinues që për faj të tij ka ngelë i pareformuar dhe me rol imponues dhe arbitrar të kryetarit të Trupit Koordinues.

Jo rastësisht edhe në pritjen e kryetarit të qeverisë serbe gjatë vizitës së tij në Kuvendin Komunal të Preshevës delegacionin e nikoqirëve e kryesonte jo kryetari i komunës por kryetari i Trupit Koordinues.

Sa i përket vizitës së kryeministrit Vuçiq në pushtetin lokal të Preshevës, duhet të theksohet se ishte koha e fundit që ajo të realizohet posaçërisht pas vizitave të shumta të udhëheqësve të shtetit serb në kazermat e forcave militare në Zonën e Sigurisë Tokësore në territorin e komunave të Preshevës e Bujanocit.

Mirëpo kështu si u realizua kjo vizitë nuk ka asnjë indikacion se do ta përmirësojë qasjen e deritanishme diskriminuese të qeverisë serbe ndaj Preshevës dhe në përgjithësi ndaj Luginës së Preshevës.

Hapja e maternitetit jashtëspitalorë në Preshevë plot 27 vite pas mbylljes së “përkohshme” në vitn e largët 1988, dy vjet pasi ishin kryer të gjitha punimet në rikonstruimin e objektit të praksës së përgjithshme dhe një vit e gjysëm pasi Unioni Europian kishte siguruar pajisjet e nevojshme, nuk ishte ky ndonjë moment i veçantë për ta lavdëruar qeverinë apo pushtetin lokal. Fshati serb Pasjan i Gjilanit në Kosovë në vitin e kaluar kishte arsye shumë më të madhe për të festuar kur i njejti kryeministër shkoi për ta promovuar maternitetin spitalorë me sallë të operacionit, që brenda një viti e kishte ndërtuar dhe përgaditur qeveria e tij. Andaj tingëllon krejtësisht demagogjike dhe joserioze deklarata e kryeministrit Vuçiq se materniteti jashtëspitalorë i Preshevës pa sallë të operacionit është më moderrn dhe më i pajisur se materniteti në Vranjë e Leskovc!

Nuk meriton ndonjë koment të veçantë paraqitja krejtësisht inferiore e kryetarit të komunës së Preshevës në konferencën e përbashkët për mediat, i cili fare nuk e komentoi deklaratën e kryeministrit sipas të cilit  me sukses qenka kryer procesi i vlerësimit të numrit të banorëve në Preshevë. Ndërsa në specialen e TV Presheva të njejtën ditë në monologun e tij monoton i njejti hodhi dru e gur lidhur me të njejtën temë, duke e kontestuar me vonesë të pariparueshme rezulatin e vlerësimit të numrit të Shqiptarëve të Preshevës, proces për të cilin nuk siguroi me kohë shenime precize të organeve përkatëse të pushtetit lokal, por në formë joserioze u mundua të promovohet personalisht me një punim autorial krejtësisht joprofesional.

Njëkohësisht, kryetari i komunës me këtë rast deklaroi se me kryeministrin kishte biseduar për sigurimin e teksteve mësimore nga Shqipëria, duke heshtur krejtësisht mundësinë e sigurimit të teksteve nga Kosova, që aq zhurmshëm e kishte paraqitur në fushatën e zgjedhjeve për KNSH si dhe gjatë vizitës në Preshevë e Bujanoc të ministrit të arsimit të Kosovës.

Kur dihet se kryeministri i Serbisë në Bujanoc u takua me përfaqësues politik serb për t’i dëgjuar problemet e tyre e në Preshevë e takoi vetëm kryetarin e komunës, i cili i ndau edhe mirënjohje, është i qartë mesazhi i tij spektakular se Shqiptarët në Luginë të Preshevës nuk kanë probleme tjera pos problemit me respektimin e Kushtetutës dhe ligjeve të Serbisë.

Mirëpo, kur dihet realiteti i vrazhdë në Luginë të Preshevës i përcjellur edhe me pastrimin etnik, që pos Medvegjës po i rrezikon edhe Shqiptarët në Preshevë e Bujanoc, PVD do të inicojë fillimisht seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Preshevës për t’i shqyrtuar efektet e vizitës së kryeministrit, mirënjohjes që iu nda me këtë rast si dhe çështjen aktualisht shumë të ndieshme të manipulimit me numrin e banorëve të Preshevës dhe të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës, por edhe problemet e rënda me të cilat do të ballafaqohen shkollat shqipe në fillim të vitit të ri shkollorë.

PVD gjithashtu insiston në përgaditjen sa më të shpejtë të Kuvendit të këshilltarëve Shqiptarë të Luginës së Preshevës për ta shqyrtuar fatin e Programit të masave urgjente për zgjidhjen e problemeve jetësore të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, që qeveria serbe e kishte pranuar në qershor të vitit 2013, mirëpo siç shihet edhe nga vizita e kryeministrit Vuçiq, realizimi i këtij programi po injorohet në formën më drastike.

Kryetari i PVD – së
dhe Deputeti Popullorë                                                                                                                               

Riza HALIMI

"Në mars 2016, zgjedhjet në të gjitha nivelet"
Bujanoc: Hapen shkollat e renovuara nga ushtria e SHBA-së dhe Serbisë (Foto & Video)
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration