PVD fton për listën e përbashkët për zgjedhjet parlamentare, Kamberi mbetet kandidat
Partia ër Veprim Demokratik në mbledhjen e përbashkët të mbajtur në Preshevë ka ftuar sërish për krijimin e listës së përbashkët për zgjedhjet parlamentare të 3 Prill 2022, thuhet në njoftimin e publikuar të PVD-së.
Postimi i plotë në Facebook nga PVD:
Këshilli Qendror dhe Këshilli Politik i Partisë për Veprim Demokratik në mbledhjen e përbashkët të mbajtur sonte në Preshevë ka miratuar këto konkluzione:
- Partia për Veprim Demokratik fton partitë politike shqiptare të Luginës së Preshevës të bashkohen rreth një Liste të përbashkët për zgjedhjet parlamentare të 3 Prill 2022.
- Partia për Veprim Demokratik, duke qenë e vetëdijshme për procedurat, afatet kohore të parapara me Ligj dhe domosdoshmërinë e respektimit të të njëjtave, fton partitë politike partnere që vendimin për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare, përcaktimin e kandidatëve dhe të gjitha parapërgatitjet tjera t'i koordinojmë dhe përshpejtojmë, në mënyrë që të fillohet sa më parë me përgatitjet e nevojshme për çertifikimin e listës zgjedhore.
- Partia për Veprim Demokratik konsideron që udhërrëfyes i orientimit politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe korniza e veprimit politik duhet të jenë të bazuara në dokumentet dhe platformat e aprovuara nga të gjitha partitë politike shqiptare të Luginës së Preshevës, që për qëllim kanë avancimin e të drejtave dhe përmirësimin e pozitës kolektive të shqiptarëve të Luginës.
- Partia për Veprim Demokratik shpreh shqetësim mbi tendencat për t'i vendosur interesat individuale mbi ato kolektive. Këshilli Qendror dhe Këshilli politik i Partisë për Veprim Demokratik kanë mbështetur qasjen, përfaqësimin dhe orientimin politik të deputetëve shqiptarë gjatë mandatit të kaluar parlamentarë.
- Partia për Veprim Demokratik, edhe në këtë mbledhje, ka rikonfirmuar kandidimin e Kryetarit të PVD, z.Shaip Kamberi, për deputet dhe ka autorizuar atë për dialog me partitë e tjera.
Partia për Veprim Demokratik
Shërbimi për informim