PVD fton PDSH të mos kontribuojë në vazhdimin e qeverisjes së Shqiprim Arifit në Preshevë
Partia për Veprim Demokratik përmes një deklarate për opinion të publikuar në Facebook sqaron situatën me zhvillimet e bisedimeve me partnerët PDSH dhe LR për formimin e qeverisjes lokale në komunën e Preshevës.
Kjo është deklarata e plotë e PVD-së:
Partia për Veprim Demokratik e vlerëson të ngutshme dhe të dëmshme kumtesën e fundit publike të Partisë Demokratike Shqiptare, lidhur me procesin e negociatave midis partive politike opozitare shqiptare, të cilat kanë fituar mandate në zgjedhjet e fundit të parakohshme lokale, në komunën e Preshevës.
Me përcaktimin dhe publikimin e parimeve të panegociueshme në negociata, Partia Demokratike Shqiptare po vret negociatat dhe po shantazhon partnerët e deritanishëm negociues.
Pa e harruar jologjiken e argumentit të Partisë Demokratike Shqiptare mbi respektimin e fuqisë së votës elektorale, kur dihet se është Alternativa për Ndryshim, ajo që ka sot numrin më të madh të votave të fituara në zgjedhjet e fundit, apo edhe se PDSH, para pak muajsh, ka mbështetur me 11 mandate të certifikuara, z.Sami Salihu nga LR, për kryetar të Komunës së Preshevës, me 3 mandate të certifikuara.
Pas këtij veprimi të Partisë Demokratike Shqiptare, Partia për Veprim Demokratik njofton publikun se nuk do të marrë pjesë tutje në negociata me PDSH-në, përderisa ajo nuk tërhiqet nga parimi i panegociueshmërisë në negociata.
Madje, duke qenë subjekti me numrin më të madh të mandateve nga partitë e deritanishme negociuese, Partia Demokratike Shqiptare bartë edhe përgjegjësinë më të madhe për kompromiset e nevojshme drejt ndërtimit të qeverisjes së re lokale, në përputhje me vullnetin e qytetarëve, të cilët kanë votuar me shumicë për partitë opozitare shqiptare.
Prandaj, Partia për Veprim Demokratik fton Partinë Demokratike Shqiptare të reflektojë politikisht, duke moskontribuar në vazhdimin e sotëm ose të nesërm, të qeverisjes së Shqiprim Arifit.
Shërbimi për Informim i Partisë për Veprim Demokratik