Putini mbështet politikën e jashtme të Serbisë dhe qëndrimin e saj lidhur me Kosovën
Rajoni dhe Politika

Putini mbështet politikën e jashtme të Serbisë dhe qëndrimin e saj lidhur me Kosovën

15.Feb.2023 08:09
0

Në një letër drejtuar homologut të tij serb, Presidenti rus Vladimir Putin shprehet se ai “vlerëson lartë politikë e jashtme të balancuar të Serbisë”, si dhe mbështetet ato që i quan përpjekje të Serbisë për të mbrojtur integritetin territorial në përballjen me Kosovën.

Rusia është aleati kryesor i Serbisë në kundërshtimin që ky vend i bën pavarësisë së Kosovës, të shpallur 15 vite më parë. Beogradi ka refuzuar të zbatojë sanksionet e Bashkimit Evropian të vendosura ndaj Moskës lidhur me agresionin e saj në Ukrainë, pavarësisht ambicieve për anëtarësim në BE.

Serbia ka ruajtur prej kohësh një balancë delikate mes aspiratave për në BE dhe partneritetit me NATO-n nga njëra anë, e lidhjeve të saj shekullore, etnike e fetare, me Rusinë nga ana tjetër.

Por ndërsa tensionet BE-Rusi përshkallëzohen, thirrjet perëndimore që Beogradi t'i bashkohet sanksioneve kundër Moskës, duke harmonizuar politikën e tij të jashtme me Brukselin, po bëhen më të forta.

“Serbia është një partner i rëndësishëm dhe i besueshëm i Rusisë”, shkruante Presidenti Putin në letrën drejtuar Presidentit serb Aleksandër Vuçiç, me rastin e ditës së pavarësisë së këtij vendi, që shënohet të mërkurën më 15 shkurt.

"Ne e vlerësojmë shumë kursin e balancuar të Beogradit në politikën e jashtme, në një mjedis ndërkombëtar të ndërlikuar. Ne mbështesim përpjekjet për të mbrojtur integritetin tuaj territorial dhe për të zgjidhur çështjen e Kosovës", shkruante zoti Putin.

"Jam i bindur se një zhvillim i mëtejshëm i partneritetit strategjik ruso-serb, pasqyron interesin më të mirë të popujve tanë, vëllezër", vijonte ai më tej.

Serbia vazhdon të refuzojë njohjen e pavarësisë së Kosovës të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008.

Kryeministrja Ana Brnabiç ka thënë se refuzimi i Beogradit për të vendosur sanksione ndaj aleatit të saj Rusisë, mbetet pengesa kryesore për anëtarësimin e vendit në BE, duke e cilësuar atë si "kushtin mbi të gjitha kushtet", të vendosur nga blloku.

Edhe pse në mënyrë të përsëritur ka dënuar sulmin rus në Ukrainë në Kombet e Bashkuara e në forume të tjera ndërkombëtare, Serbia është kritikuar nga Brukseli për moszbatimin zyrtar të sanksioneve kundër Moskës.

Lindsay: Më pak e dhimbshme për Kosovën ta pranojë Asociacionin, alternativë ndryshimi i kufijve
Bideni i dërgon letër urimi Vuçiqit, thotë se e mbështet dialogun Kosovë - Serbi
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration