Pse të shtënat masive nuk do ta ndryshojnë kulturën e armëve në Serbi?
Dy incidente me të shtëna masive në Serbi kanë lënë të vdekur 17 persona, shumë prej tyre fëmijë, ndërkohë që lidhur me këto vrasje ka pasur protesta në rrugët e Beogradit. Demonstruesit e fajësojnë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kësisoji ky i fundit e ka planifikuar serinë e tij të fushatave kundër armëve dhe ka urdhëruar një reagim të shpejtë kunder zotërimit të armëve, një ‘çarmatim praktik’.
Mirëpo, Vuçiqit i duhet ta bëjë një punë të vështirë për t’a arritur këtë qëllim. Armët janë të ngulitura në kulturën e Serbisë dhe është e vështirë të imagjinohet një numër i konsiderueshëm i serbëve që thjesht t’i dorëzojnë ato. Në Serbi, arma është një mënyrë jetese.
Kur punoja në Ballkan si gazetar, një burrë ndihej i dobët pa kallashnikov. Rrugët provinciale të mbushura me burra me AK-47 të mbështjellë lirshëm mbi to. Në Beogradin më të sofistikuar, përveç kallashnikovëve që vareshin rreth hotelit Hyatt (shtëpia e qendrës së shtypit dhe qendrës së gangsterëve), arma e zgjedhur ishte një pistoletë, përgjithësisht e veshur me xhinse, një këmishë dhe një bluzë lëkure.
Kjo ndodhte, për të qenë të drejtë, gjatë luftërave të viteve 1990, mirëpo kultura e armëve u parapriu atyre luftërave, dhe ajo u ka mbijetuar gjithashtu atyre. Në vitin 2018, Small Arms Survey me seli në Zvicër zbuloi se Serbia kishte shkallën e tretë më të lartë të armëve në duart e civilëve në botë – me 39 për 100 banorë. Dy shtetet e para ishin SHBA dhe Jemeni.
“Arma është një simbol i statusit,” thotë Predrag Petroviq, drejtor kërkimor i Qendrës së Beogradit për Politikat e Sigurisë. “Nëse keni një armë, jeni të fortë dhe të fuqishëm dhe të mbrojtur në lagjen tuaj.”
Ivana Jeremiq, redaktore e faqes së internetit Balkan Insight, thotë: “Çdo familje në Serbi dhe në mbarë Ballkanin zotëron një armë – ose e ka zotëruar dikur. Nuk përdoret për të vrarë apo kërcënuar njerëz; është pjesë e traditës sonë. Në fshatra, ata gjuajnë në ajër për ta festuar një martesë ose lindjen e një fëmije.
Gjatë luftës, shpesh ishte e vështirë të bëhej dallimi midis një përleshjeje me zjarr dhe një festë pas ndeshjes së futbollit. Marcus Tanner, ish-korrespondenti i Ballkanit për Independent, i kujton turmat që gjuanin në ajër për ta festuar zgjedhjen e Mitropolitit të Kishës Ortodokse Malazeze.
Serbët i duan armët, sepse kultura e Ballkanit bën festë për hajdutët dhe inspirimin e sfidës heroike. Fushat e tyre pjellore dhe malet e thepisura dikur ishin të pyllëzuara dendur, të mbushura me hajdutë (luftëtarë të rezistencës) dhe malësorë: të gjithë luftonin kundër pushtimit armik – osman, austriak, gjerman. Hajduk Split (i themeluar në vitin 1911, kur Kroacia ishte ende pjesë e Perandorisë Austro-Hungareze) është një nga ekipet më të mira të futbollit kroat.
“Serbët kishin shumë armë në shekullin e 19-të – ata i hoqën qafe turqit në vitet 1820 me forca të veta”, thotë Tanner. “Atyrë nuk iu desh ta prisnin Lord Bajronin apo Marinën Britanike sikurse bënë grekët”
Në Sarajevë, gangsterët që mbrojtën qytetin në fillim të rrethimit në vitin 1992 ishin heronj, megjithëse qeveria boshnjake i goditi një vit më vonë: shumica e udhëheqësve të bandave u ‘qëlluan duke u përpjekur të arratiseshin’. Arkani mbijetoi në Serbi si një hero popullor deri në vrasjen e tij në vitin 2000. Shesheli, pavarësisht se u dënua për krime kundër njerëzimit nga Gjykata Penale Ndërkombëtare në Hagë, është kthyer në liri dhe tani është politikan serb.
Megjithatë, ajo që është alarmante për rastet e fundit me të shtëna është se serbët kanë filluar t’i drejtojnë armët kundër njëri-tjetrit. Disa njerëz dyshojnë se mbulimi mediatik i gjerë i të shtënave në shkolla në SHBA po ndikon tek të rinjtë serbë; të tjerët i fajësojnë videolojërat e dhunshme dhe televizionin.
Pronësia e armëve në Serbi, edhe pse e përhapur, tashmë është e kontrolluar rreptësisht, dhe pavarësisht nga potenciali për fatkeqësi, edhe anëtarët e inteligjencës liberale të Beogradit nuk tregojnë entuziazëm të vërtetë që kontrollet mbi armët të shtrëngohen. Petroviq mendon se çdo përpjekje nga qeveria do të dështojë: “Ata e bëjnë gjithmonë. Askush nuk dëshiron të heqë dorë nga armët.’
AK-47 – deri tani arma më e zakonshme festive – është tashmë e paligjshme, por përdoret hapur. “Të gjithë e njohin njëri-tjetrin dhe policinë lokale në komunitete”, thotë Petroviq. “Ata e dinë nëse mund të festojnë me një AK-47. Njerëzit plagosen ndonjëherë, por autoritetet nuk shqetësohen për këtë sepse e dinë se nuk është e qëllimshme.’
Ndoshta më afër vdekjes në katër vitet e mia në Bosnje ishte me kilometra larg vijës së frontit, në një mbrëmje vere në një sallon picash. Pronarja u grind me të dashurin e saj, i cili u largua me forcë, duke u kthyer dhjetë minuta më vonë me kallashnikovin e tij. Ai filloi ta gjuajë me plumba nëpër të gjithë tarracën. Së bashku me pjesën tjetër të të ftuarve, unë u shtriva përtokë menjëherë.
Kishte një stuhi xhamash të thyer, plumba që tingëllonin nga muret. Shefi i policisë erdhi shpejt dhe e qetësoi dashnorin zemërthyer, i cili u largua duke qarë – ndoshta për një gotë Shlivovice siç thuhet në gjuhën lokale. Iu kthyem picave tona. Askush nuk ishte qëlluar me ndonjë plumb. Mirëpo kishte një vrimë plumbi në xhamin e përparmë të veturës sonë dhe plumbi kishte kaluar nëpër sediljen e pasagjerit aty ku unë isha ulur disa minuta më parë.
Tash, së fundmi, Petroviq gjeti një plumb në tarracën e tij të çatisë në një zonë të Beogradit. “Duhet të ketë qenë një festë”, thotë ai. “Por nëse do të kisha qenë atje, do të më kishin qëlluar”./The Spectator Përgatiti: Nuhi Shala