Pse po hesht Këshilli Kombëtar Shqiptar për përdorimin e shqipes në shtëpinë e shëndetit në Bujanoc (dokument)
Përdorimi i gjuhës dhe shkrimit shqip në institucionet publike në komunat Bujanoc dhe Preshevë vazhdon të mbetet problematikë e theksuar ndërsa Këshilli Kombëtar Shqiptar promovon aktivitete politike “madhore” e anashkalon seriozitetin në probleme lokale specifike.
Në një pjesë të publikimit të rezultateve nga KKSH për çudi nuk përmendet angazhimi i tyre në përdorimin zyrtar të gjuhës dhe shkrimit shqip në komunat ku jeton pakica kombëtare shqiptare.
Redaksia e Titulli.com ka marrë një dokument udhëzimi nga shtëpia e shëndetit në Bujanoc i cili ishte shkruar në gjuhën serbe edhe pse në këtë komunë është lejuar përdorimi i gjuhës dhe shkrimit shqip.
Në këtë dokument- udhëzim për ekzaminim specialistik të lëshuar nga shtëpia e shëndeti në Bujanoc përshkrimi ishte vetëm në gjuhën serbe.
Në ligjin për përdorimin zyrtar të gjuhës dhe shkrimit të Republikës Serbisë thuhet “ se në territorin e vetëqeverisjes lokale ku tradicionalisht jetojnë pjesëtarët e pakicave kombëtare, gjuha dhe shkrimi i tyre mundë të jetë në përdorim zyrtarë të barabartë.
Në raportin e veçantë të Mbrojtësit të qytetarëve (Ombudsmani) i publikuar në vitin 2018 thuhet se drejta e përdorimit zyrtar të gjuhës dhe shkrimit është njëra nga të drejtat më të rëndësishme, për shkak të një sërë arsyesh, të cilat iu garantohen pjesëtarëve të pakicave kombëtare me akte ligjore ndërkombëtare dhe kombëtare.
Raporti i njëjtë përveç tjerash thotë se Këshilli Kombëtar i pakicës shqiptare ka bërë një fushatë mediatike disa mujore me qëllim të informimit të qytetarëve për të drejtat e tyre dhe mënyrën e ushtrimit të së drejtës për të regjistruar emrin personal në regjistrat publikë në gjuhën dhe shkrimin shqip./Titulli.com/