Problemet e shqiptarëve në Luginë, pjesë e diskutimeve në tryezën e rrumbullakët (foto)
Tryeza e rrumbullakët “Marrëdhëniet etnike dhe sundimi i Ligjit në Serbi të jugut” është mbajtur sot në Preshevë.
Mosgatishmëria e shtetit të Serbisë që të zgjidh problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët e komunave të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, vështirësitë në realizimin e të drejtave të tyre, raportet në mes të shqiptarëve të Luginës së Preshevës me institucionet dhe përfaqësuesit e qeverisë së Serbisë, si dhe tema të shumta, ishin pjesë e diskutimeve të sotme në tryezën e rrumbullakët të mbajtur në sallën e konferencave të komunës së Preshevës.
Tryeza e titulluar “Marrëdhëniet etnike dhe sundimi i Ligjit në Serbinë jugore” ishte organizuar nga OK Radio nga Vranja, mbështetur nga Bashkimi Evropian, përmes projektit “Sundimi i ligjit – të jetojmë si e tërë bota normale”.
Kjo tryezë dha mundësinë e diskutimit të përbashkët në mes të politikanëve, gazetarëve, përfaqësues të shoqërisë civile, e të tjerë.
Në këtë tryezë me diskutimet e tyre para të pranishmëve u paraqitën Ragmi Mustafa, kryetar i komunës së Preshevës; Zoran Stankoviq, kryetar i Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc e Medvegjë; Galip Beqiri, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, si dhe panelistët Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike dhe Nemanja Nenadiq nga “Transparentnost Srbija”.
Pjesëmarrës në këtë tryezë ishin edhe përfaqësues politik e institucional nga Presheva e Bujanoci./Titulli.com/