Lokale
Preshevari i thotë prokurorit, "do të hakmerrem"
Departamenti për krime lufte i Gjykatës së Lartë në Beograd ka bërë të ditur se më 19 shtator do të shqiptojë vendimin gjyqësor për 17 pjesëtarë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe UÇPMB-së , të akuzuar nga drejtësia serbe për krime lufte ndaj civilëve në Gjilan, më 1999.
Prokurorët serbë pretendojnë se të dyshuarit, të cilësuar si “Grupi i Gjilanit”, kanë kryer vrasje, përdhunim dhe tortura ndaj civilëve serbë.
Nëntë prej tyre janë arrestuar në dhjetor të 2010-ës në komunën e Preshevës, njëri në mars të këtij viti në Zvicër, ndërsa shtatë të tjerë akuzohen në mungesë.
Ish ushtari i UÇK-së, Agush Memishi sot në rigjykim, sipas mediave serbe, “ka kërcënuar” prokurorin serb për krime lufte i cili e ka përgatitur aktakuzën ndaj tij dhe të tjerëve që serbët e quajnë si pjesëtarë të “Grupit të Gjilanit”.
“Do të hakmerrem, nëse jo unë, atëherë fëmijët e mi, nëse jo edhe ata, atëherë nipat e mi”, i ka thënë Memishi prokurorit serb, Mioljub Vitoroviq, raporton B92.
“Duke e ngritur gishtin lartë, ai ka thënë se asnjëherë nuk ka kryer asnjë vepër kriminale, por që kjo do të jetë e para që do ta bëjë”, citon fjalët e tij B92.
“Ky betim, të cilin shqiptarët e quajnë Besë – betim për hakmarrje, tregon se në cfarë kushte të vështira jetojmë”, ka thënë Vitoroviq.
Memishi është i akuzuari i parë në mesin e 17 pjesëtarëve te “Grupit të Gjilanit”.
Në dhjetor të vitit 2011, Gjykata e Apelit në Beograd ka hedhur poshtë vendimin e shkallës së parë, sipas të cilit, 9 ish-pjesëtarët e UÇK-së dhe UÇPMB-së janë dënuar me 101 vjet heqje lirie dhe ka kthyer çështjen për rigjykim./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!