Lokale
Preshevarët i gëzohen IBM-së në Muçibabë
Në pikën kufitare të Muçibabës, e njohur edhe si pika e Depcës, ka nisur sot në mëngjes zbatimi i marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit. Nga kontaktet e para me policët kufitarë është parë se gjithçka ka nisur mirë dhe po punohet pa ndonjë problem të theksuar.
Ndonëse nuk ka pasur ndonjë ceremoni zyrtare për fillimin e punës në këtë pikë kufitare, Nebih Aliu, drejtor i drejtorisë rajonale të policisë kufitare, i cili ishte i pranishëm në pikën e Muçibabës, tha për rajonipress se marrëveshja po zbatohet me plot sukses dhe gjithçka po funksionon normalisht.
Pala kosovare është afruar për 1 km afër bazës serbe. “Ne i kryejmë punët tona, ata i kryejnë të tyre dhe të gjitha udhëzimet po zbatohen sipas procedurave të parapara në marrëveshje”, shtoi Aliu.
Edhe veturat që qarkullonin në këtë pjesë të kufirit nuk kanë vërejtur ndonjë ndryshim të madh, me përjashtim që tani shqiptarët e Preshevës dhe të pjesëve tjera shqiptare ndihen më të sigurt.
Fevziu, një shofer nga Presheva, tha se ndihet i kënaqur që tani ka afër policët shqiptarë afër policëve kufitarë serbë. "Mundësia për të na maltretuar apo keqpërdorur policët serbë tani është shumë më e vogël, sepse gjithçka monitorohet si nga shqiptarët ashtu edhe nga serbët", tha ai./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!