Presheva përgatitet për rekonstruimin e tre shkollave
Kryetarja e komunës së Preshevës, Ardita Sinani priti në kabinetin e saj përfaqësuesit e zyrës për investime publike.Komuna e Preshevës pranë zyrës për investime publike ka konkuruar me projektet për rekonstruimin e objektit të Shkollës fillore “Prof. Ibrahim Kelmendi”, Gjimnazit “Skenderbeu” dhe Shkollës fillore “Vuk Karaxhiq”, pjesë e këtij takimi ishin edhe drejtoritë e këtyre shkollave.
Nga përfaqësuesi i Zyrës për investime publike u morën informacionet se deri ku kanë arritur procedurat sa i përket fillimit të punimeve në këto shkolla. Ajo që ishte më e rëndësishmja ishte se për rekonstruimin e objekteve të këtyre shkollave procedurat ishin të plotësuara nga shërbimet e administratës komunale.
Gjithashtu përfaqësuesi i zyrës për investime publike e njoftoi kryetaren Sinani rreth hapave të cilat duhet t’i ndjek komuna e Preshevës, për të arritur deri në fillimin e punimeve.
Të premten e kësaj jave do të nënshkruhen kontratat mes Zyrës për investime publike dhe komunës së Preshevës, që pastaj të fillojnë përgatitjet për prokurim publik.
Gjithashtu komuna e Preshevës në rrethin e dytë kishte konkuruar edhe me projektet për ndërtimin e objektit të Urgjencës pranë Shtëpisë së Shëndetit dhe ndërtimit të objektit të Shkollës fillore “Selami Hallaçi” në Rahovicë./kpz/