Presheva binjakëzohet me Rrjetin e Qendrave Rinore nga Kosova
Rrjeti i Qendrave Rinore nga Kosova qëndroi për një vizitë një ditore në komunën e Preshevës. Përfaqësuesit e këtij rrjeti fillimisht u takuan me kryetarin e Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, ku patën rastin të njihen me problemet dhe sfidat me të cilat ballafaqohen shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Me rastin e kësaj vizite u nënshkrua një memorandum bashkëpunimi në mes dy palëve.
Zyra për të Rinj në Preshevë dhe Rrjeti i Qendrave Rinore (Kosovë) do të shfrytëzojnë teknika të ndryshme komunikimi, duke siguruar shkëmbimin e rregullt dhe në kohë të informacioneve të rëndësishme për të dyja palët – rreth planeve , programeve dhe aktiviteteve që do të zhvillohen në të ardhmen ,raporton TVP.
Përmes këtij bashkëpunimi parashihen të organizohen seminare/punëtori, trajnime, tribuna të përbashkëta, konferenca, forume, tryeza të rrumbullakëta dhe tubime të ndryshme me qëllim të fuqizimit të bashkëpunimit të ndërsjellë.
Bashkëpunimi do të vijojë në planifikimin, projektimin dhe zbatimin e projekteve me interes për rininë dhe zhvillimin e saj të qëndrueshëm./Tituli.com/