Premtimet për Luginën e Preshevës dhe "marrëveshja historike" në Uashington?
Lokale

Premtimet për Luginën e Preshevës dhe "marrëveshja historike" në Uashington?

15.Sep.2020 08:20
0

Kosova dhe Serbia nënshkruan të premten (4 shtatir 2020)  në Shtëpinë e Bardhë marrëveshjen 16-pikëshe për normalizim ekonomik.

Pritje të mëdha për marrëveshje historike në Uashington ishin krijuar edhe për faktin se aty u paralajmërua të shtrohen të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Por kjo çështje nuk është përmendur fare nga delegacioni kosovar.

Para më shumë se dy vjetësh Thaçi u premtoi përfaqësuesve shqiptarë të Luginës se do ta institucionalizojë plebishitin e vitit 1992, për bashkëngjitje me Kosovën.

Përfaqësuesit shqiptarë atje vazhdimisht kanë kërkuar reciprocitet me veriun e Kosovës. Por në proceset e deritashme kërkesat e tyre nuk janë shqyrtuar asnjëherë, përfshirë takimin e Uashingtonit përkundër pritjeve që u krijoi presidenti Thaçi.

Në mungesë të një strategjie të mirëfilltë për adresimin e kërkesave të tyre, liderët e Luginës shpesh kanë marrë edhe vendime “ad hoc”. E tillë ishte edhe deklarata për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe, si kundërpërgjigje për marrëveshjen në mes të Kosovës dhe Serbisë. Por, kjo ka mbetur në nivel deklarativ.

Lugina e Preshevës gjithmonë ka qenë një nga pikat e nxehta sa herë që janë ngritur çështjet lidhur me Kosovën. Në prag të krizës politike në Kosovë dhe statusit të paqartë të shqiptarëve në Serbi, në vitin 1992 ishte organizuar referendumi jozyrtar në Luginë, ku shumica dërrmuese pati shprehur vullnetin për bashkim me Kosovën. Që prej atëherë, kjo pjesë gjithnjë që veten e quan “Kosova Lindore” ka pasur përpjekje për lidhjen organike me Kosovën. Edhe pse kjo lëvizje nuk ka çuar deri te ndonjë rezultat serioz, megjithatë nuk kanë munguar veprimet politike dhe të armatosura. E tillë ishte Kryengritja e UÇPMB-së  që filloi në janar të vitit 2000 – gjashtë muaj pas përfundimit të luftës në Kosovë. Megjithatë synimi i shqiptarëve për të bashkuar Luginën me Kosovën nuk u arrit pas Deklaratës së Konçulit, të arritur me diplomacinë e udhëhequr nga SHBA-ja dhe NATO-ja në maj të vitit 2001, e cila i dha fund konfliktit. 

Skender Saqipi, gazetar dhe aktivist i shoqërisë civile nga Lugina, beson se pa një përfshirje të çështjes shqiptare të Luginës së Preshevës në normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, nuk mund të arrihet një stabilitet i dëshiruar në këto dy shtete.

“Përpjekjet ekonomike duhet patjetër të ndihmojnë në zgjidhjen e çështjeve politike, sepse me Serbinë problemet politike janë të pakapërcyeshme”, thotë Saqipi, i cili udhëheq platformën “Titulli”, që ka për qëllim avancimin e pozitës shqiptare në Luginë dhe procese të ndryshme të zhvillimit të demokracisë.

“Presim që kjo nismë ekonomike e Shtëpisë së Bardhë do t’i paraprijë një marrëveshje politike që paraqet e përkrah edhe planin dhe vullnetin politik e qytetar të Luginës së Preshevës për bashkim me Kosovën”.

Në pritje të “Marrëveshjes historike” 

Meqë nuk u arrit në Washington, liderët e Kosovës vazhdojnë ta përsërisin refrenin se marrëveshja e ardhshme do të bëhet për njohjen reciproke. Pas ShBA-së tani dialogu është duke u zhvilluar në Bruksel. Përfaqësuesi special i BE-s për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka shprehur synimin kryesor t’i çojë palët drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme. Por nuk dihet nëse ajo do ta ketë edhe “njohjen e ndërsjellë”.

Sipas historianit Jusuf Buxhovi, nuk është e pritshme një “marrëveshje historike” me Serbinë. Madje, sipas tij, insistimi për diçka të tillë sjell më shumë dëme sesa dobi.

“Nëse mendohet se marrëveshja për normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë si shtete të pavarura mund të jetë historike, vetëm po qe se do të kurorëzohej me ‘njohje reciproke’, ky është një gabim, ngaqë ajo vështirë që do të ndodhë. Madje, as që është e domosdoshme kundruall faktorëve që i duhen një normaliteti midis dy shteteve jashtë këtij ‘dekori’”, thotë Buxhovi.

“Kosova ka nevojë për një marrëveshje për marrëdhënie me Serbinë mbi bazat e parimeve kushtetuese, si shtete të pavarura  për t'iu dhënë përgjigje të gjitha çështjeve të hapura mbi parimet e së drejtës ndërkombëtare. Ky koncept është më i dobishëm sesa kapja për formulën e ‘njohjes përfundimtare’, së cilës mund t’i paguhet edhe çmim i madh pa nevojë”.

Kurse Arbresha Loxha (GLPS) vlerëson se strategjia e vetme që do të mundësonte një aranzhim të plotë të marrëdhënieve Kosove-Serbi është një marrëveshje përfundimtare, “e jo copëza marrëveshjesh që japin përshtypjen e ecjes përpara kur ne ende nuk kemi një qartësi minimale ndaj njohjes, integrimit evropian dhe stabilizimit institucional të veriut të Kosovës”.

Ndërkaq Daniel Serwer ka përmendur tri elemente kryesore që duhet t’i përmbajë marrëveshja për t’u quajtur historike.

“Njohja dhe shkëmbimi i ambasadorëve, si dhe anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe organizatat ndërkombëtare. Kjo do të ishte historike”, ka thënë Serwer.

Shkrimi i i plotë i publikuar në koha:

Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration