Prapaskenat: Përçarja, incidenti e salla pa flamuj (foto)
Vizita e së martës e kryeministrit Edi Rama në Preshevë nxori edhe njëherë në shesh ndarjet në mes të liderëve shqiptarë të Luginës. Gjithashtu, gjatë kësaj vizite u shënua edhe një incident për të cilin u morën masat e menjëherëshme.Liderët shqiptarë të Luginës edhe në ditën historike të këtij rajoni, para kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dolën të përçarë.
Para pritjes e deri në mbyllje të vizitës së Ramës, u vërejt se politikanët e Luginës së Preshevës ishin të ndarë, ashtu siç janë një kohë të gjatë. As vizita e parë e një kryeministri shqiptarë nuk arriti t’i bashkojë!
Pesë liderët e subjekteve politike të Luginës dhe atyre institucionale: Ragmi Mustafa, Nagip Arifi, Jonuz Musliu, Skender Destani e Ramiz Latifi, ishin blloku i cili në tapetin e kuq priti kryeministrin shqiptar, sikurse në seancën e mbajtur në Kuvendin Komunal, ku kryeministri u shpall qytetarë nderi.
Liderët e tjerë, dy deputetët popullor Riza Halimi e Shaip Kamberi , kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar Galip Beqiri, e Rahmi Zulfiu, po të pritnin thirrjen e nikoqirit, sot nuk do të ishin prezent as në Shtëpinë e Kulturës, ku Rama mbajti fjalimin e tij.
Titulli ka arrit të mësoj se deputetët dhe kryetari i KKSH-së Beqiri nuk ishin të ftuar në asnjë prej këtyre ngjarjeve, derisa pesë udhëheqësit mes vete kishin koordinuar pjesëmarrjen e tyre në pritjen e Edi Ramës.
Kryeministri, në fjalimin e tij në Preshevë kërkoi që faktori politik shqiptar të jetë unik për t’i adresuar problemet në vendin e duhur.
Pak para mbërritjes së kryeministrit Rama në Preshevë, njëri nga bilbordët ku qëndronte fotografia e zyrtarit shqiptar, u gjuajt me ngjyrë, pas së cilës intervenuan forcat e rendit. Po aq i shpejt ishte edhe intervenimi i shërbimit për mirëmbajtjen e bilbordëve, i cili për një kohë të shkurt rivendosi një bilbord të ri në vend të dëmtuarit.
Përveç këtij incidenti, portali informativ Titulli ka mësuar se në sallën e madhe në Shtëpinë e Kulturës “Abdulla Krashnica”, ku u mbajt fjalimi i z. Rama, personeli përgjegjës i këtij objekti për 24 orë nuk kishte qasje në këtë godinë.
“Forcat e sigurimit serb një ditë më parë na morën çelësat dhe na thanë se nuk do të kemi qasje deri pas përfundimit të vizitës së Ramës”, u shpreh burimi me anonimitet, i cili shton se në sallë nuk u lejua as dekorimi me simbole kombëtare.
Duhet theksuar se gjatë qëndrimit në Preshevë, kryeministri Edi Rama, përveç që sigurohej nga njësitë speciale serbe, pjesë e sigurimit të tij ishin edhe Forcat e Sigurimit të Republikës së Shqipërisë.
Masa të shumta të sigurisë u vërejtën pothuajse në çdo pjesë të Preshevës, ku pjesë të ndryshme të qytetit ishin të ndaluara për ngasjen e makinave, ashtu siç ishte edhe pjesa e autostradës nga Nishi e deri në kufi me Republikën e Maqedonisë.
Vlen theksuar se sigurimi ka penguar një pjesë të gazetarëve në kryerjen e detyrës së tyre, duke mos i lejuar që të përcjellin aktivitetet e parapara të vizitës së kryeministrit./Titulli.com/