"Politizimi dhe degradimi i shkollave shqipe në komunën e Bujanocit"
Shkollat shqipe si institucione arsimore ku edukohen dhe arsimohen gjeneratat e reja, gjithnjë e më tepër po e humbin qëllimin dhe arsyen për çka janë të thirrura.
Shkruan: Galip Beqiri
Në krahasim me një periudhë jo shumë të largët kur shkollat jo qe ishin vetëm institucione ku fitohej dija dhe edukata, por ishin edhe bartës të shumë aktiviteteve kulturore, arsimore, sportive etj.
Kurse sot jemi dëshmitar që shkollat gjithnjë e më tepër po degradohen dhe po e humbin qëllimin e vet për çka edhe janë formu. Jemi dëshmitar të situatës se sot shkollat janë të politizuara në atë masë sa që në shkolla çdo gjë bëhet vetëm mësim nuk zhvillohet.
Kurrë shkollat shqipe nuk kanë qenë në gjendje më të mjerueshme se sa që janë sot. Ky konstatim nuk është vetëm i imi por edhe i shumë punëtorëve të arsimit që punojnë në arsim dhe që janë akoma pjesë e procesit edukativo arsimor psh. mungesat e nxënësve në orët e mësimit, mosmbajtja e orëve të mësimit nga ana e nxënësve por edhe e arsimtarëve, dukuritë negative në shkolla, mos organizimi i aktiviteteve të ndryshme në shkollë me karakter edukativ dhe arsimor, vjedhja e veturave të arsimtarëve nga ana e nxënësve në parkingun e shkollave etj.
Këto dukuri sot dëshmohen edhe me incizime që bëhen nga ana e nxënësve me telefona celular, e që qarkullojnë në publik.
Politizimi i drejtorëve të shkollës dhe punëtorëve në shkolla sipas përkatësisë partiake. Sot disa shkolla shqipe mbajnë rekorde me mungesat e nxënësve dhe me sjelljen e nxënësve, pse jo edhe të disa profesorëve.
Disiplina e nxënësve në shkolla ka rënë në përmasa shqetësuese sa që profesorët nuk guxojnë të marrin masa disiplinore ndaj këtyre nxënësve, shkatërrimi i inventarit, konflikte gjithnjë e më tepër në mes të nxënësve dhe personelit arsimor, mos marrja e masave ndëshkuese, si ndaj nxënësve ashtu edhe ndaj profesorëve.
Me këtë rast mund të parashtrohen shumë pyetje se cilët janë faktorët dhe shkaqet që e kanë sjellë arsimin shqip në këtë gjendje edhe përkundër kushteve shumë më të mira sot ne shkolla.
· Menaxhimi i dobët i udhëheqësve të shkollave;
· Politizimi i shkollave, politizimi i drejtorëve, ndarja e arsimtarëve në baza partiake;
· Pranimi i kuadrave jo në baza të aftësive profesionale, por në baza partiake, familjare etj;
· Mos interesimi i prindërve për fëmijët e tyre në shkollë, bashkëpunimi i dobët, në relacionin prind, arsimtar, nxënës;
· Përzierja e politikës ditore në shkolla, indiferenca e personelit arsimor ndaj problemeve qe ndodhin në shkolla;
· Mos angazhimi sa duhet i drejtoratit për arsim i komunës;
· Mos interesimi i inspektorit komunal dhe atij republikan;
· Mos angazhimi i këshilltarëve pedagogjik;
· Mos angazhimi sa duhet i pedagogëve dhe psikologëve të shkollës si dhe
· Mos interesimi i shtetit që në shkollat shqipe të zhvillohet mësim cilësor.
Për të pasur suksese dhe rezultate të mirа një shkollë, përveç angazhimit të personelit arsimor, rol të rëndësishëm luan drejtori i shkollës i cili edhe e ka përgjegjësinë kryesore në shkollë, pedagogët dhe psikologët e shkollave, këshilli drejtues i shkollës.
Mirëpo, shtrohet pyetja, si mundemi të kemi suksese në shkolla kur të gjithë këta që paguhen nga shteti dhe kanë obligim moral dhe njerëzor, dhe detyrim ligjor që të punojnë në ngritjen dhe avancimin e arsimit shqip, në shkollimin e gjeneratave të reja?
Po shkojmë me radhë, me drejtorët e shkollave:
· Në shumicën e shkollave drejtorët janë të politizuar dhe i përkasin një subjekti politik;
· Në shumicën e shkollave janë organe të përkohshëm dhe drejtor të përkohshëm;
· Në disa shkolla drejtorët janë shkarkuar dhe emëruar disa herë dhe me këto veprime janë degraduar moralisht sa që e kanë humbur edhe dinjitetin e vet njerëzor;
· Kemi raste kur disa drejtorëve nuk i jep pëlqim Ministria e arsimit ata prapseprap me çdo kusht pretendojnë të mbesin drejtor;
· Në shumicën e shkollave pedagogët dhe psikologët nuk e kryejnë punën e tyre për çka edhe janë të thirrur dhe për të cilat i parasheh vendimi i punës, por këta bëhen vegël e drejtorëve, e kryejnë punën e drejtorëve, sepse drejtorët merren me politikë.
Për mendimin tim roli i pedagogut dhe i psikologut në shkolla është shumë i rëndësishëm për procesin edukativo arsimor. Duhet të jetë bashkëpunimi i sinqertë në mes udhëheqësit të shkollës dhe stafit edukativo arsimor me pedagogët dhe psikologët e shkollës.
Këshilli drejtues ka një rol shumë të rëndësishëm në shkollë, sepse edhe për atë quhet këshill drejtues ku në përshkrimin e punëve ka kompetenca të mëdha në shkolla.
Këshilli drejtues si organ drejtues i shkollave përbëhet prej 9 anëtarëve dhe ate: 3 anëtar zgjidhen prej kolektivit të shkollës, 3 anëtar prej këshillit të prindërve dhe 3 anëtar prej pushtetit lokal, por me propozim të Këshillit Nacional.
Çka ndodhë me zgjedhjen e tyre dhe si zgjidhen ata?
3 anëtarët e shkollës propozohen dhe zgjidhen të njëjtit njerëz nga dy e tre mandate, pa analizu punën e tyre se çka kanë bërë dhe çfarë suksesi ka tregu në punën e tyre në mandatin e kaluar.
Në shkolla është krijuar një makineri votuese e shumicës, nëse është kandidati i subjektit politik i afërt me pushtetin lokal ata duhet të votohen.
Tre anëtarët nga radhët e prindërve po ashtu votohen me sugjerime politike, dhe në të shumtën e rasteve ndodhë që mjeku apo profesori të humb në votim përballë një auto mekaniku, apo edhe moleri,apo një zanatlie.
Tre anëtarët që zgjidhen nga pushteti lokal me propozim të Këshillit Nacional po ashtu zgjidhen me përkatësi politike, prandaj na ndodhë që edhe këta të jenë të të njëjtit individ që në të shumtën e rasteve kanë qenë dy deri tri herë të propozuar në këshilla të shkollave por me ndërrime të roleve.
Në këto propozime po ashtu nuk ka kurrfarë kritere, propozohen edhe njerëz me presidencë penale, apo me një të kaluar të dyshimtë, por kjo nuk ka rëndësi vetëm se të jetë njeri i jonë.
Në Ligjin për arsim fillor dhe të mesëm shkruan se shkollat janë të depolitizuara dhe se nuk duhet që në shkolla të ushtrohet veprimi politik.
Në bazë të gjendjes që zotëron sot në shkollat tona, sot vepron politika këmbë e krye, shkollat tona gjithnjë e më tepër po degradohen dhe në vend që të jenë institucione ku fitohet dije, edukatë, kulturë, etj. po ndodhë e kundërta.
Në këtë proces nuk mundemi ti shmangemi rënies së numrit të nxënësve, mungesa e teksteve shkollore, mos trajnimi i kuadrit arsimor, mos interesimi i Qeverisë së Serbisë për t’i zgjedhë këto probleme etj. Me këtë shihet se ne më tepër jemi duke vepruar kundër fëmijëve tanë, kundër vetvetes se sa që është duke na bërë shteti .
Thënia e vjetër se “me hapjen e një shkolle mbyllet një burg” nuk qëndron sepse ne kemi shkolla të hapura, por me veprimet tona ne po i mbyllim ato. Dhe si çdoherë te shqiptarët, faji mbetet jetim.