Politikanët shqiptarë të Luginës takojnë Kurtin: Dita e Pavarësisë, festë e veçantë për të gjithë shqiptarët
Kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, kanë pritur në vizitë përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit: Shaip Kamberi, kryetar i Partisë për Veprim Demokratik dhe shef i Grupit parlamentar “Lugina e Bashkuar-SDA” në Kuvendin e Serbisë, kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, deputetët shqiptarë në Kuvendin e Serbisë, Naide Beqiri e Argjend Bajrami, këshilltari komunal i Medvegjës, Fehmi Beha, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSh), Ragmi Mustafa dhe Arben Ferati, përfaqësues i Medvegjës në KKSH.
Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të tri komunave me shumicë shqiptare në Serbi i kanë uruar Kurtit përvjetorin e pavarësisë.
“Dita e Pavarësisë së Kosovës është festë e veçantë jo vetëm për shqiptarët e Kosovës, por për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë”, u shprehën ata, sipas njoftimit të Kryeministrisë.
Më tej, në njoftim thuhet se u diskutua edhe rreth gjendjes të të drejtave të njeriut në tri komunat me shumicë shqiptare në Serbi dhe nevoja për më shumë angazhim dhe unitet të politikanëve dhe të subjekteve politike. Theks të veçantë në bisedë thuhet se pati pasivizimi i vazhdueshëm i adresave të banorëve shqiptarë të Medvegjës, duke i lënë kështu qindra shqiptarë pa dokumentacion as të Serbisë e as të Kosovës.
“Me qëllim të ruajtjes së marrëdhënieve të mira dhe bashkëpunimit institucional për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve, kryeministri Kurti dhe kabineti qeveritar kanë komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm me përfaqësuesit politikë të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit”, u theksua në këtë komunikatë.