Poligloti që thyente paragjykimet
Lokale

Poligloti që thyente paragjykimet

21.Apr.2014 16:10
0
Kanë kaluar pothuajse tre javë nga momenti kur Muhamed Selimi nga komuna e Bujanocit lëshoi këtë botë në mënyrë të papritur. Zbrazëtira e lënë nga i ndjeri ndjehet si te familjarët njashtu edhe miqtë dhe rrethi i gjerë, të cilët e kujtojnë me mall, djalin, shokun dhe njeriun me vlera të mëdha që kishte Lugina. Para disa ditëve krejt befas ndërroi jetë bashkëqytetari ynë nga Tërnoci i Madh, Muhamed (Shefket) Selimi. Edhe pse  me profesion ishte teknik medicinal, gjatë jetës së tij bëri punën e përkthyesit, koordinatorit dhe menaxherit nëpër organizata të ndryshme ndërkombëtare në vend, regjion dhe arenën ndërkombëtare siç është: UNMIK, OSBE,  dhe UN (OKB-ën). Muhamedi për pasion kishte njohjen e gjuhëve të ndryshme siç janë: gjuha gjermane, e në veçanti ajo angleze dhe serbe. Përveç kësaj ai ishte një njeri shumë i zgjuar me diapazon të gjerë nga lëmit filozofike, psikologjike, kultura dhe arti. Njihte mirë psikoanalizën e Sigmund Freud-it dhe ishte mjaftë i ndikuar nga filozofët, sociologët dhe shkrimtarët klasik gjerman siç ishin: Arthur Schopenhauer, Franc Kafka, Friedrich Nietzsche,  Max Weber, Erich Fromm etj. Karrierën profesionale e filloi me UNMIK-un në rajonin e Gjilanit, më pastaj për OSBE-në në Bujanoc, respektivisht në Mitrovo Polje gjatë trajnimit të policisë multietnike ku vlerësohej lart kontributi i tij profesional nga kolegët. Pas kësaj ai filloi të punoj për UN në Nepal, Afganistan, Sudan dhe Irak, e më vonë kaloi si përkthyes në gjykatën ndërkombëtare të Hagës, ku në aktivitet e përditshme ishte në kontakt të drejtpërdrejt me gjeneralin kroat, Ante Gotovina, kryetarin e partisë radikale serbe Vojisllav Sheshel, dhe kryetarin e AAK, Ramush Haradinaj. Së fundi punoi për misionin e OSBE-së në Kosovë si koordinator i procesit zgjedhor gjatë zgjedhjeve të fundit lokale më 2013. Të gjitha ata që patën rast të njihen me të, qysh në kontaktet e para vërenin zgjuarsinë e tij natyrale që rrallë e posedojnë njerëzit tjerë. Në mendje ishte i shpejt, por edhe kishte aftësi të jashtëzakonshme komunikuese. Për këto aftësi ai i përvetësonte shumë lehtë bashkëbiseduesit e sidomos pjesëtarët e popujve që kishin paragjykime ndaj popullit shqiptar. Kështu për shembull gjatë kontakteve me disa koleg serb në Beograd, ata në mënyrë të hapur i tregonin se kurrë nuk kishin besuar se ka shqiptarë të tillë  të zgjuar. Me diturinë dhe zgjuarsinë e tij ai i thyente këto paragjykime dhe menjëherë bashkëbiseduesit i shndërronte në miq të vërtet, të cilët e çmonin dhe e vlerësonin për atë që ishte dhe çka ishte. Të njëjtin vlerësim për të kishte dhënë në gjykatën e Hagës edhe lideri i radikalëve serb, Vojisllav Sheshel i cili i thoshte: “Po të mos kisha takuar, kurrë nuk do mund ta besoja faktin se ka shqiptarë të tillë inteligjent dhe folës të rrjedhshëm të gjuhës serbe.” Si personalitet ka qenë mjaftë temperament dhe shumë i drejtpërdrejtë siç thuhet “pa qime në gjuhë” e që shokët e këshillonin se kjo ishte një dobësi e tij, por që ai ia kthente : “I tillë jam dhe nuk dua të ndryshojë.” Për shembull, bashkëbisedueseve jo shqiptarë qysh në fillim ia bënte me dije se “Unë nuk jam baklava por bakllava”, - e që fjala është për shkronjën l dhe ll që në gjuhën serbe shumë shqiptarë i ngatërrojnë. Ky ishte një paralajmërim për  bashkëbiseduesit se para vetës nuk kishin shqiptarin e paragjykimeve si sharraxhi apo hamallxhi por një intelektual të kalibrit të lartë. Muhamedi paraqiste një tmerr për ata zyrtar të institucioneve të ndryshme të cilët nuk kryenin punën me ndërgjegje. Si njohës i mirë i ligjit dhe procedurave të punës kudo që shkonte e vërente parregullsi, ai e bënte rrëmujë, duke i dëshmuar zyrtarëve me forcën e argumentit se për çka paguhen nga shoqëria dhe si duhet ta kryej punën në mënyrë më efikase.  Ka pasur një qëndrim të ngrohtë me brezin e ri dhe ishte i njohur për batutat e tij me ta. Politikisht nuk ka qenë i angazhuar, kurse për politikën vendore në Bujanoc nuk kishte ndonjë simpati pasi që siç thoshte: “Për politikën që krijon të mira individuale e jo kolektive nuk ia vlen të humbet kohë dhe të diskutohet.” Ai thoshte:  “Një pushtet pa opozitë të mirëfilltë shoqërinë e çon në humnerë.” Në nivel të politikës kombëtare kishte respekt për Lëvizjen Vetëvendosje, kurse liderin e saj, Albin Kurtin, e radhiste në mesin e figurave më të spikatura të kombit shqiptar dhe të politikanëve botërorë. Edhe pse jetoi një kohë të shkurt, vdiq në moshën 38 vjeçare, për të vlen thënia se nuk ka rëndësi se sa jeton njeriu por si jeton. I lexuar, kategorik, i shëtitur në 4 kontinente, bëri një jetë që shumë njerëz mundë të ia kenë zili. Me një fjalë Muhamedi nuk ishte për këtë ambient, për nga natyra nuk ka qenë lokalist e që e merrte si veti të dobët të fshatit prej nga vinte, por atij i pengonte më së shumti kompleksi i vlerës së ulët që shqiptarët bartin në vete në raport me popujt tjerë. Vlera e tij më e madhe vinte në shprehje kur qëndronte në metropolet botërore, kur diskutonte temat e shumta nga kultura dhe arti evropian dhe botërorë dhe komenti i parë që i bëhej nga bashkëbiseduesi ishte: “Nuk më besohet se je shqiptarë.” Komentet e tilla ishin rezultat nga të ndikuarit e propagandës antishqiptare që pushtet e ndryshme kishin plasur nëpër kohë për shqiptarët duke i portretizuar ata si qenie që janë të aftë vetëm për punë të pista. Në ditën e varrimit  në Tërnoc të Madh, në shenjë nderimi ndaj tij, të pranishëm ishin një numër i madh i vendaseve nga komuna, por edhe shokëve dhe intelektualëve nga dy komunat e Preshevës dhe Bujanocit, që aktualisht gjinden përkohësisht të punësuar gjithandej trojeve shqiptare. Ata që e njohën, e dinë se humbën një shok të pazëvendësueshëm dhe enciklopedi të gjallë, kurse shoqëria humbi një njeri, një ambasadorë të pashpallur, që theu shumë paragjykime ndaj popullit të tij, duke i shndërruar në vlera, miq dhe miqësi besimtarët e atyre paragjykimeve. Fadil Isufi
Përurohet pllaka përkujtimore e dëshmorëve të Breznicës (foto)
Dhoma Kombëtare Tregtare dhe Lugina
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration