Plani: Leposaviqi bashkë me Leshakun të shkëmbehet me Preshevën dhe një pjesë të Bujanocit
Pala kosovare ka në plan t'i japë hov idesë së shkëmbimit të territoreve me Serbinë. Burime të gazetës të afërta me këto zhvillime kanë thënë se, opsion është që komuna më veriore e Kosovës- Leposaviqi bashkë me Leshakun të shkëmbehet me Preshevën dhe një pjesë e Bujanocit.Pjesë e marrëveshjes do të jetë edhe liqeni më i madh artificial që gjendet në veri, Gazivoda, shkruan koha ditore.
Në lidhje me këtë opsion, presidenca ka refuzuar të deklarohet derisa në kabinetin e Haradinajt kanë thënë se, “të gjitha këto janë të pavërteta”. Qëndrime të kundërta rreth këtij opsioni kanë dhënë dy shtete të fuqishme, të cilat janë këmbëngulëse në arritjen e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Derisa për Ambasadën Amerikane me rëndësi është që- “Kosova t’i gjejë qëllimet e veta në dialog dhe të përpiqet për arritjen e konsensusit rreth atyre qëllimeve”, Gjermania është kundër idesë së ndarjes apo shkëmbimit të territoreve. Brukseli nuk është deklaruar
Marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë nuk e përjashton shkëmbimin e territoreve. Udhëheqësi i delegacionit kosovar në dialog, presidenti Hashim Thaçi në disa raste ka përmendur kompromiset e dhimbshme, por pa treguar se cilat janë ato. Burime të gazetës, të afërta me zhvillimet e fundit kanë thënë se, pala kosovare do ta shtyjë përpara idenë që në tavolinën e bisedimeve me Serbinë të ri vizatohen kufijtë. Vetë Thaçi, në takimin e fundit me përfaqësuesit e Luginës, ka konfirmuar se do ta shtrojë edhe çështjen e referendumit të marsit të vitit 1992 të shqiptarëve atje, i cili kërkon bashkimin e kësaj pjese me Kosovën. Qëndrime të kundërta rreth këtij opsioni kanë dhënë dy shtete të fuqishme, të cilat janë këmbëngulëse në arritjen e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Derisa për Ambasadën Amerikane, me rëndësi është që Kosova t’i gjejë qëllimet e veta në dialog dhe të përpiqet për arritjen e konsensusit rreth atyre qëllimeve, gjermanët janë shprehur kundër idesë së ndarjes apo shkëmbimit të territoreve.
Sipas burimeve të “Kohës Ditore”, delegacioni kosovar është i vetëdijshëm se do të jetë i vështirë realizimi i referendumit të vitit 1992, të cilin javën e kaluar e morri përsipër ta jetësojë presidenti Thaçi. Këto burime kanë thënë se opsioni më i pranueshëm është që komuna më veriore e Kosovës- Leposaviqi, bashkë me Leshakun të shkëmbehet me Preshevën dhe një pjesë të Bujanocit. Komuna e Leposaviqit popullohet me shumicë serbe dhe ka 75 vendbanime me 539 kilometra katrorë. Edhe Leshaku është një vendbanim i qytetit të Leposaviqit në veri të Kosovës që ka popullsi me shumicë serbe etnike prej më shumë se 2 mijë banorësh.
Pjesë marrëveshjes mendohet të jetë edhe liqeni i Gazivodës, përkatësisht gjetja e një zgjidhje bazuar në traktatet ndërkombëtare për ujërat, transmeton Titulli.com.
“Por kjo është pika ku pritet të ketë përplasje mes palëve, për shkak të pretendimeve të serbëve se kanë pronësi mbi Gazivodën”, ka thënë burimi. Meqë ky liqe kalon nëpër Zubin Potok, në shkëmbim mund të futet edhe një pjesë e kësaj komune, gjithashtu e populluar me shumicë serbe.
Deri më tani, Kosova ka refuzuar kategorikisht të bisedojë për Liqenin e Gazivodës me Serbinë.
Derisa qeveria insistonte se i tërë liqeni i Gazivodës, një pjesë e të cilit gjendet në territorin e Serbisë, në Novi-Pazar, është në pronësi të saj, serbët kanë shfaqur hapur pretendimet që liqenin dhe hidrocentralet e Gazivodës t’i fusin nën kontroll, qoftë nëpërmjet Asociacionit të komunave me shumicë serbe, apo ndonjë plani për shkëmbimin e territoreve.
Gazivoda, që ka gjatësi prej 21 kilometra gjendet në pjesën veri-perëndimore të Mitrovicës, rreth 40 kilometra nga Mitrovica Veriore. Bërnjaku është pika kufitare që ndanë pjesën e liqenit e cila gjendet brenda territorit të Kosovës, me atë të Serbisë.
Përveç prodhimit të 30 megavateve të energjisë elektrike, nga liqeni i Gazivodës furnizohen me ujë të pijshëm disa komuna siç janë: Mitrovica, Vushtrria, Prishtina dhe Drenasi. Gjithashtu furnizon me ujë edhe industrinë e rëndë, përkatësisht KEK-un dhe Ferronikelin. Që nga Mitrovica e deri në Obiliq është ndërtuar edhe sistemi i ujitjes.
Sipas burimeve, pala kosovare do të kërkojë që marrëveshja eventuale për shkëmbimin e territoreve t’i hap rrugë Kosovës për anëtarësim në OKB dhe organizata tjera ndërkombëtare, të bie poshtë themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, dhe po ashtu serbëve t’u hiqet e drejta e votës së dyfishtë për ndryshimet kushtetuese dhe ligjet e rëndësisë së veçantë./Fitim Gashi/Kohaditore/