PDSH: Zgjidhja e vetme bashkimi me Kosovën, Presheva nuk po financon Këshillin Kombëtar Shqiptar
Komunikatë e Partisë Demokratike Shqiptare- Preshevë:
Partia Demokratike Shqiptare, ka mbajtur mbledhje të përbashkët të kryesisë dhe grupit të këshilltarëve në kuvendin komunal dhe ka shqyrtuar situatën aktuale politike në komunë të Preshevës . PDSH ka vlerësuar se zgjidhje e vetme për shqiptarët e Luginës së Preshevës është bashkimi me Republikën e Kosovës ndërsa lidhur me pushtetit aktual ka drejtuar kritika duke thënë se nuk po financon as Këshillin Kombëtar Shqiptar.
Në mbledhjen e përbashkët të Kryesisë dhe grupit të Këshilltarëve të Partisë Demokratike Shqiptare, u shqyrtua situate aktuale politike në Komunë të Preshevës dhe regjion.
Pas diskutimeve të shumta u sollën disa konkluzione të cilat do t’i paraqesim përmes kësaj:
Partia Demokratike Shqiptare vlerëson lartë angazhimin e Presidentit të Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi që në kuadër të dialogut dhe përpjekjeve për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse në mes Kosovës dhe Serbisë, Komuna e Preshevës, Bujanocit dhe Mevdegjës t’i bashkangjiten Republikës së Kosovës, duke jetësuar kështu Referendumin e 1 e 2 marsit të vitit 1992.
PDSH mban qëndrim fuqiplotë duke u angazhuar dhe rikonfirmuar për të satën herë se zgjidhje e vetme për Shqiptarët e Luginës së Preshevës është bashkimi me Republikën e Kosovës.
PDSH e sheh të domosdoshme angazhimin e të gjitha subjekteve politike në Kosovë në hartimin e një platforme shtetërore për bisedimet Kosovë-Serbi, pjesë e së cilës do të ishte bashkimi i Luginës së Preshevës me Republikën e Kosovës.
Lidhur me gjendjen aktuale politike dhe të sigurisë në Luginë të Preshevës, PDSH konsideron se nuk ka asnjë zhvillim pozitiv, si pasojë e vazhdimit të politikës diskriminuese të qeverisë së Serbisë kundrejt shqiptarëve të Luginës, ku fatkeqësisht edhe pushteti lokal i Komunës së Preshevës është shndërruar si vegël e kësaj politike duke mos bërë asnjë hap në përmirësimin e gjendjes qoftë në zhvillim ekonomik, arsim, shëndetësi, kulturë, informim etj.
Para këtij fillimviti shkollor, ky pushtet lokal u fokusua në shpërlarjen e parave me ngritjen e inrastrukturës shkollore në shkollat fillore “Vuk Karagjiq”, “prof. Ibrahim Kelmendi” si dhe gjimnazin “Skenderbeu”, ku në këtë të fundit ka paralizuar procesin arsimor, ndërsa në shkollën fillore “prof. Ibrahim Kelmendi” si pasojë e mos arritjes në kohë të ndarjes së projektit bashkëpartiakut të kryetarit të komunës, punët nuk kanë filluar fare.
Në prag të këtij viti shkollor, ky pushtet lokal nuk ndërmori asnjë hap së paku në sigurimin e abetares për nxënësit fillestar, vazhdon të mos financoj Këshillin Nacional, i cili me një siguri të madhe do të organizonte shpërndarjen e teksteve për nxënësit e shkollimit fillor, por i njejti ishte i angazhuar në paralizimin e shkollës fillore “9 Maji” në Leran që akoma deri sot ky institucion shkollor është pa drejtues dha pa asnjë informatë në lidhje me ushtruesin e detyrës së drejtorit.
PDSH e dënon ashpër diferencimin ideo-politik që ndërmori ushtruesi i detyrës së drejtorit në SHMT “Presheva” në Preshevë, duke larguar nga procesi edukativo- arsimor rreth 20 kuadro, të cilët kishin një përvojë mbi 10 vjeçare, me të vetmin arsyetim që nuk i përkasin subjekteve që udhëheqin me pushtetin lokal.
PDSH e konsideron të papranueshme dhe të errët bartjen e punës së institucionit të pushtetit lokal në zyrat e Alternativës, ku përmes përfaqësuesve të nëndegëve të këtij subjekti bëhet përzgjedhja e përfituesve për ndarjen e subvencioneve për mjete të bujqësisë dhe programeve tjera, duke anashkaluar punën e komisioneve të formuara, si dhe duke larguar çdo aplikues që nuk është i radhitur në këtë subjekt politik.
Duke pas parasysh që nga konsolidimi i këtij pushteti i përbërë nga Alternativa, Grupi qytetar dhe Lista serbe, qytetarët e Komunës së Preshevës janë thellësisht të zhgënjyer nga mashtrimi i premtuar dhe nga fryma e cila është instaluar dhe po menaxhohet me institucionet e pushtetit lokal, pasojat e të cilave janë :
-Kuvendi Komunal si “pataricë” e kryetarit të komunës është shndërruar në institucion të dhunës, nga nxitjet me paraqitjet e tij, pa kurrfarë niveli dhe me gjuhë përbuzëse, fyese dhe autoritare, ku në mënyrë tinzare mbështetet nga kryetari i Kuvendit komunal,
-Institucionet e pushtetit lokal ku themelues është Kuvendi Komunal, kryetari i komunës i ka shëndërruar si pronë private dhe organizatë të tij të fshehtë, duke mos ofruar llogaridhënie para Kuvendit Komunal dhe qytetarëve,
-Për dy vite rresht nuk u sigurua asnjë investitor i huaj që do të ndikonte në hapjen e vendeve të reja të punës, përkundrazi po pengohen edhe ata pak investitor serioz vendor.
-Paralizimi i ndërmarjeve të vogla dhe të mesme ndërtimore Preshevare, me angazhimin e ndërmarrjeve jashtë teritorit të Komunës së Preshevës, por edhe nëse janë ndërmarrje brenda teritorit të Komunës, angazhohen permes përcaktimit partiak pa asnjë referencë pune në veprimtarinë që ushtrojnë.
-Planifikimet e buxheteve për dy vitet e fundit në fushën e investimeve kapitale ishin paraparë jo më pak se 12 milion euro donacione e nga ana tjetër nuk u arritën as 6 milionët e vitit të kaluar gjithashtu edhe për këtë vit. Vlerat prej 6 milion eurove për vitin e kaluar dhe njëlloj për këtë vit po konfirmohen se përfundimisht kanë qenë MASHTRUESE.
Si rezultat i gjendjes së lartëshënuar, por edhe të gjitha mashtrimeve të premtuara nga ky koalicion qeverisës në krye me kryemashtruesin, Komunën e Preshevës e kanë sjellur në një gjendje misterioze të paparë ndonjëherë në ndonjë vend.
Partia Demokratike Shqiptare është në drejtimin e duhur për ndaljen e kësaj katandisje të udhëheqjes me pushtetin lokal të instrumentalizuar nga Beogradi dhe shumë shpejt Komuna e Preshevës do të çlirohet nga diktatura e ngjajshme si ajo e shekullit të kaluar, fillimisht nga ajo e pushtetit vendor e njëkohësisht edhe nga ajo e pushtetit qendror.
Në Preshevë,
15 shtator 2018