PDSH i reagon veprimeve të Arifit, simpatizuesit e APN-së nuk janë armiqët tanë?
Partia Demokratike Shqiptare ka reaguar lidhur me situatën e krijuar gjatë ditës së djeshme në parti që sipas tyre u paralizua puna e PDSH-së, me qëllim të pengimit të procesit të përgatitjes së dokumentacionit- listës së kandidatëve për këshilltarë.Ky është reagimi i plotë i PDSH-së:
REAGIM
Partia Demokratike Shqiptare reagon fuqishëm lidhur me situatën e krijuar gjatë ditës së djeshme, ku në mënyrë flagrante u tentua të pengohet procesi i dorëzimit të listës zgjedhore të PDSH-së.
“Armiku i armikut tim është miku im”
Kjo është motoja e Shqiprim Arifit.
Kryetari i dhunshëm, siç e mori, dhe po e mban këto muaj këtë pozicion,dje na dëshmoi, se kush në të vërtetë është ai dhe vija e tij, e cila është tanimë e qartë.
Njoftojmë opinionin publik përmes këtij reagimi, se Shqiprim Arifi për t’i arritur qëllimet e tij, përdor të gjitha mjetet e mundshme antishqiptare, vetëm e vetëm për të dëshmuar se ai ka shkopin magjik për të sunduar në vendin tonë.
Sikur që ka paralizuar funksionimin e pushtetit lokal, dje për një periudhë kohore, vendosi që me bashkëpunëtorët e tij serb, të paralizoj punën e PDSH-së, me qëllim të pengimit të procesit të përgatitjes së dokumentacionit- listës së kandidatëve për këshilltarë, pak minuta para dorëzimit në Komisionin Komunal Zgjedhor.
Në paraditen e djeshme njerëz të papërgjegjshëm, të porositur nga lideri i APN-së dhe të mbështetur nga struktura kriminale, me aktin e ndërprerjes së energjisë elektrike krijuan një atmosferë të papritur për anëtarët, simpatizuesit dhe drejtuesit e PDSH-së si dhe gjithë qytetarët e komunës së Preshevës , veprim i qëllimshëm, duke krijuar kaos dhe revoltë tek të gjithë.
Ne gjykojmë se anëtarët dhe simpatizuesit e APN-së nuk janë armiqët tanë, përkundrazi ne i konsiderojmë ata pjesë të familjeve tona që bashkëjetojmë, prandaj i ftojmë publikisht që të distancohen nga politikat e errëta të liderit të tyre.
Mbështetjen antishqiptare të cilën po i’a ofron qeveria e Serbisë, dorës së saj të zgjatur në Preshevë, do ta ndërpresë me siguri votuesi shqiptar më 24 dhjetor.
P.S.
Këto janë vetëm shqelmat e fundit të një “kryetari” i cili e ka nuhatur humbjen dëshpëruese…
Preshevë,
17.11.2017
Shërbimi për informim i PDSH-së