Lokale
PDK shpallë moratorium
Partia Demokratike Kombëtare, me seli në Bujanoc, ka vendosur të shpall moratorium pas kaq vitesh veprimi për shkak parcializimit deri në ekstremitet të skenës politike të Kosovës Lindore.
Gjithashtu, PDK, në një kumtesë të bërë publike për mjetet e informimit, bënë me dije se ky subjekt politik nuk do të mbaj përgjegjësi për rrjedhat politikë në këtë rajon pas shpalljes së moratoriumit.
“PDK i vetmi subjekt politik me koncept kombëtar ka paraqitur edhe një varg arsyesh pse ka vendosur të shpall moratorium, pikërisht në momentin kur më shumë se kurrë skenës politike në Kosovën Lindore i duhet uniteti”.
"PDK në emër të unitetit dhe unifikimit të spektrit politik shqiptar në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, ka ftuar publikisht për implementimin e vullnetit të popullit të shprehur me Referendumin e 1 dhe 2 Marsit 1992, pastaj ka kërkuar internacionalizimin e mëtejmë të Marrëveshjes Paqësore të Konçulit, demilitarizimit të plotë të Kosovës Lindore dhe kthimi i të të dëbuarve nga vatrat stërgjyshore dhe kompenzimi i dëmeve të luftës, krijimin e një Këshilli Kombëtar gjithëpërfshirës, mosparticipimin e shqiptarëve në Trupin Koordinues dhe zgjedhjet parlamentare të Serbisë, heqjen e taksave tatimore për kalimin e kufirit Kosovë-Serbi, heqja e kuotës për regjistrimin e studentëve në Kosovë dhe Shqipëri e kështu me radhë”.
“Të gjitha këto iniciativa të PDK-së, janë injoruar dhe heshtur për motive politike nga disa parti, të cilat orientimet programore i kanë koncentruar vetëm në realizimin e qeverisjes lokale në këto komuna të Kosovës Lindore”.
“Këto iniciativa të PDK-së, nga këto subjekte janë marrë në konsideratë vetëm gjatë fushatave zgjedhore në çdo katër vjet kur ishte interesi i tyre për ta fituar pushtetin”.
PDK duke ditur se me çfarë kompetencash disponojnë pushtetet lokale dhe prolongimin e pa fund të realizimit të kërkesave shekullore të shqiptarëve të Kosovës Lindore, kërkon nga anëtarësia e këtij subjekti politik për t’i ushtruar veprimtaritë me interes qytetar e kombëtar në forma të ndryshme të parapara edhe me konventat ndërkombëtare”, thuhet mes tjerash në kumtesën e Partisë Demokratike Kombëtare./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!