Intervista
Pavarësisht se a do të jenë në qeveri, deputetët do të angazhohen për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Luginë
Dy deputetët e vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi dhe Riza Halimi, nuk janë shumë të interesuar për të marrë poste qeveritare. Ata thonë se primare për ta është përmirësimi i pozitës së shqiptarëve në Luginë të Preshevës.
Dy përfaqësuesit e Partisë për Veprim Demokratik (PVD) që kanë fituar votat për të hyrë në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi dhe Riza Halimi, akoma nuk kanë marrë ndonjë ftesë për hyrë në koalicionin qeverisës me partinë e Aleksandër Vuçiqit, Partinë Përparimtare Serbe.
Por, pavarësisht nëse do të jenë pjesë e koalicionit qeverisës apo jo, dy shqiptarët e legjislativit të Serbisë thonë se do të angazhohen në përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës, si dhe sigurimi i përfaqësimit adekuat të shqiptarëve në institucionet shtetërore.
Shaip Kamberi gjatë një interviste për gazetën “Zëri” deklaroi se njohja e shtetësisë së Kosovës është element i rëndësishëm i stabilitetit dhe paqes afatgjate në Ballkan.
Zëri: Sa jeni të kënaqur me rezultatet e zgjedhjeve?
Kamberi: bazuar në rezultatin e arritur prej dy mandateve, sfidën e madhe me të cilën jemi ballafaquar në këto zgjedhje, si e vetmja parti shqiptare e Luginës së Preshevës, që ka participuar në procesin zgjedhor dhe faktin se është hera e parë që nga themelimi i PVD-së më 1990 të kemi të mandatar dy deputetë, mund të them se rezultati i arritur është më se i kënaqshëm Për rezultatin e arritur duhet të falënderojë përzemërsisht jo vetëm elektoratin tonë, por edhe elektoratin e partive tjera shqiptare në Luginë të Preshevës, i cili ka përkrahur listën e PVD-së në zgjedhjet e 16 marsit.
Zëri: A do të bëni koalicion me partinë e kryeministrit të ardhshëm të Serbisë?
Kamberi: Në këto momente kur ende nuk janë shpallur rezultatet zyrtare nga Komisioni Qendror, ne ende nuk kemi asnjë ftesë nga cila do parti për të biseduar rreth pjesëmarrjes tonë në koalicionet qeveritare.
Zëri: Cilat janë kërkesat e juaja ndaj qeverisë së re?
Kamberi: Objektivi ynë kryesor i pjesëmarrjes në këto zgjedhje është që përmes kësaj forme të angazhimit politik në nivelin parlamentar të ndikojmë në përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Sigurisht që kërkesa jonë kryesore që do të shtrohet para qeverisë së re, është sigurimi i përfaqësimit adekuat të shqiptarëve në institucionet shtetërore (gjyqësor, polici, inspeksionet republikane, doganat etj.), përmirësimi i gjendjes në arsim, me gjetjen e zgjidhjes adekuate për furnizim me tekste mësimore bashkëkohore të shkollave shqipe. Përgjithësisht të gjitha ato kërkesa që ne edhe vitin e kaluar ia kemi shtruar qeverisë aktuale, e që dalin nga platforma e masave urgjente të ndara në shtate fusha.
Zëri: Nëse ju propozohet posti i ndonjë ministri apo zëvendësministri, a do ta pranoni?
Kamberi: Ashtu siç e thashë më parë, objektivi ynë prioritar është të kemi shqiptarë të përfaqësuar në institucionet shtetërore që veprojnë në territorin e komunave: Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, sikurse edhe përfaqësimi ynë adekuat në sistemin e gjyqësorit. Në këtë moment, kur edhe nuk kemi ndonjë ofertë konkrete është herët të diskutohet për pjesëmarrjen tonë me poste konkrete në qeveri. Sido që të jetë, vendimin përfundimtar do ta marrim në kryesinë tonë, por natyrisht pas konsultimeve adekuate që do të bëjmë edhe me miqtë tanë.
Zëri: A do të kërkoni që të drejtoni Trupin Koodinues për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë?
Kamberi: Ajo që do të kërkojmë nga Trupi Koordinues është që ai të fillojë ehe realisht të luaj rolin për të cilin është themeluar. Të realizojë ato objektiva nga sferat e ndryshme jetësore, të përcaktuara që më 2001. Është mendimi im personal, por nuk mendoj se ne duhet të kërkojmë të udhëheqim Trupin Koordinues, pasi që mendojmë se këto institucione duhet ta udhëheqë dikush që ka përkrahjen e mjaftueshme politike nga kryeministri i ardhshëm. Ne do të kërkojmë nga Trupi Koordinues, misioni i të cilit është edhe krijimi i kushteve për përfaqësimin adekuat të shqiptarëve në institucionet shtetërore, së pari vetë të shprehë politikën integruese, pasi që në këto momente, prej 27 të punësuarve në kuadër të tij gjenden vetëm dy shqiptarë.
Zëri: Çfarë ndikimi do të ketë për Luginën hyrja juaj në qeveri (nëse ndodh)?
Kamberi: Krijimi i kushteve për përfaqësimin adekuatë të shqiptarëve në organet shtetërore të nivelit lokal dhe rajonal, arritja e sjelljes së investitorëve të huaj në komunat tona dhe ndihma që duhet dhënë biznesit lokal përmes grandeve të veçanta me qëllimin përfundimtar të krijimit të vendeve të punës dhe krijimit të perspektivës për të rinjtë tanë, eliminimi i të gjitha formave të diskriminimit institucional që janë prezente edhe masat nga plani ynë shtatëpikësh do të dëshiroja të bëhet realitet si rezultat i participimit tonë në këto zgjedhje.
Zëri: Cili do të jetë pozicioni juaj karshi njohjes së Kosovës?
Kamberi: Jemi në qeveri ose jashtë saj, qëndrimi ynë si PVD nuk ndryshon. Kosova është shtet i veçantë me kufij të përcaktuar dhe i njohur nga fuqitë kryesore të botës. Po ashtu besojmë se njohja e shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë është element i rëndësishëm i stabilitetit dhe paqes afatgjate në Ballkan.
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!