Partia e parë shqiptare në Luginë shënon 24 vjetorin e themelimit (foto & audio)
Partia për Veprim Demokratik (PVD) sot në shtëpinë e kulturës "Abdulla Krashnica" në Preshevë ka shënuar 24 vjetorin e veprimtarisë si subjekti i parë shqiptarë në Serbi.Me intonimin e himnit kombëtarë dhe një minutë heshtje në nderim të veprimtarëve të këtij subjekti, filloi manifestimi i organizuar nga PVD në të cilën morën pjesë anëtarë dhe qindra simpatizantë të kësaj partie.
“24 vjetori i themelimit të PVD është shumë i rëndësishëm jo vetëm në Luginë por në tërë hapësirat etnike shqiptare. Sot pas 24 viteve në asnjë segment nuk mund të kontestohen orientimet themelore programore të PVD që në këtë sallë u paraqitën para 24 viteve”, u shpreh kryetari i PVD-së Riza Halimi, raporton Titulli.
Ai gjatë elaborimit të tij tha se është e domosdoshme prezenca e këtij subjekti në tri komunat e Luginës.
Kryetari i degës së PVD-së në Bujanoc, njëherit deputet, Shaip Kamberi, uroi masën për përvjetorin e 24 të Partisë për Veprim Demokratik.
“Edhe 24 përvjetorë të tjerë do ta gjejnë PVD-në në ballë të luftës politike për të drejtat e shqiptarëve, jo si subjektet e tjera të shndërruara në grupacione dhe klane që nuk mendojnë për asgjë tjetër përvec tenderokraci, për punësime nepoziste dhe për interesa të ngushta klanore”, u shpreh Kamberi.
Deputeti tha se PVD i ka pri lëvizjes politike shqiptare në Luginë të Preshevës duke arritur që në momentet më kritike, të japë kontributin e vet duke falënderuar aktivitetin kryesorë të kryetarit të PVD-së duke ruajtur bërthamën kombëtare në këtë rajon.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Galip Beqiri, fjalimin e tij e filloi duke përkujtuar aktivistët e këtij subjekti politik që me vite kontribuuan për çështjen shqiptare.
“Në këto tubime gjithmonë duhet t’i përkujtojmë edhe ata të cilët nuk janë në mesin tonë e që kanë qenë aktivistë të devotshëm të Partisë për Veprim Demokratik si Rexhap Hasani, Rexhep Adilit, Ridvan Qazimit-Komandant Lleshit, agës Qanë, Shenasijës edhe të gjithë të tjerët”, theksoi kryetari i KKSH Galip Beqiri.
Ai njëherit tha se sakrifica e këtyre veprimtarëve gjatë periudhës së monizmit të Millosheviqit ka qenë shumë e madhe.
Në këtë manifestim të 24 vjetorit, mori pjesë edhe kryetari i degës së PVD-së në Medvegjë, Fehmi Beha.
“Nuk është lehtë të qëndrosh 24 vite në kulmin e skenës politike por duke e ditur karakterin e rolin e PVD-së ku të gjithë anëtarët e saj u flijuan për të drejtat kombëtare me disa qeveri radhas ku dinin vetëm gjuhën e dhunës dhe urrejtjes”, u shpreh Beha.
Para masës fjalën e mori edhe përfaqësuesja e Forumit të Gruas nag Bujanoci, Afërdita Mustafa, nga Forumi Rinor Abdulla Ahmeti si dhe sekretarja nga Këshilli Kombëtar Shqiptar Arbnora Ahmeti.
Vlen theksuar se udhëheqësit e këtij subjekti politik folën edhe për zgjedhjet që po vijnë për Këshillë Kombëtar, ndërsa u tha se PVD nuk ka marr ende qëndrim dhe se këtë do ta bëjë pas tentimit të ndryshimit të vendimit të Ministrisë së Administrimit Shtetërore dhe Vetëqeverisje Lokale që ka përgjysmuar numrin e anëtarëve në KKSH.
Gjithashtu, kryetari i PVD-së Riza Halimi theksoi se për vendimin se a do të marrin pjesë në zgjedhje do të vendosë Kryesia e partisë, mirëpo nëse është e nevojshme do të thirret edhe Kuvendi./Titulli.com/