Pakicës shqiptare në Serbi i rrezikohet shtetësia, Lugina në alarm?
Lëvizja për Integrimin e Luginës së Preshevës me seli në Gjilan, zyrtarisht ka filluar mbledhjen e nënshkrimeve të qytetarëve në Luginë të Preshevës dhe të atyre që jetojnë brenda territorit të Kosovës.Vendimi paraprak i 16 tetorit për fillimin e këtij peticioni, ka nxitur kryesinë dhe anëtarësinë e gjerë të Lëvizjes që të informojë dhe organizojë njerëzit në terren për fillimin e mbledhjes së nënshkrimeve, si veprim për të alarmuar institucionet relevante të Bashkimit Evropian, për të parandaluar veprimet e Serbisë, për shpërnguljen e shqiptarëve në tri komunat shqiptare të Lugines së Preshevës.
Gjatë takimit të kryesisë, kryetari i Lëvizjes Fatmir Arifi tha se strategjive të ideuara dhe të implementuara në kohë të ndryshme të Serbisë për shpërnguljen e shqiptarëve, u shtohet edhe kjo formë e re e spastrimit etnik, duke ndikuar në ndryshimin demografik të këtyre territoreve shqiptare`.
Arifi shtoi se faktet në terren po na mësojnë se në strategjinë shterërore serbe asgjë nuk ka ndryshuar nga e kaluara e tyre. Në tezat e tyre nuk ka asgjë të re, asgjë që nuk është thenë para një shekulli nga pararendësit e tyre.
Sipas tij synimi primar i politikave shtetërore serbe është shumë i qartë, sa më pak shqiptarë në Luginë të Preshevës.
"Veprimet të cilat kemi arritur t’i identifikojmë këto 4 vitet e fundit janë fshirja nga librat amë e vendbanimeve apo adresave (aty ku kanë lindur, jetuar dhe ende i kanë shtëpitë), pamundësia e rregullimit të dokumentacioneve personale (certifikata e lindjes, letërnjoftimi, pasaporta dhe nënshtetësia)", vlerësoi Arifi.
Arifi gjithashtu kërkoi nga të pranishmit që të informojnë aktivistët dhe qytetarët për këtë iniciativë dhe t’u sqarojnë për qëllimin e saj. Sipas tij, veprimet e mëtutjeshme do të jenë: informimi i subjekteve politike dhe krerëve institucionalë lokalë të komunave në Luginë, ku nga ata do të kërkohet qëndrim i prerë për përkrahje apo mospërkrahje të këtij peticioni`.
Lëvizja për Integrim njofton të gjithë qytetarët e Luginës së Preshevës, të cilët janë gatshëm që përmes nënshkrimit të tyre ta mbështesin këtë peticion, fletënëshkrimi gjendet në zyrat e Lëvizjes për Integrim të Luginës së Preshevës pranë sheshit `Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha` në Gjilan si dhe në grupet e aktivistëve të cilët janë të autorizura për mbledhjen e nënshkrimeve.
Të drejtën për ta nënshkruar këtë peticion e kanë vetëm qytetarët e komunave të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.