Pajaziti: Alternativa për Ndryshim forca  e parë politike me ofertë për partitë tjera në Bujanoc
Lokale

Pajaziti: Alternativa për Ndryshim forca e parë politike me ofertë për partitë tjera në Bujanoc

25.Mar.2019 09:00
0

“Çdo gjë e re në fillim të krijon përshtypjen e një entuziazmi por e vërteta është se ne jemi duke ecur me ritmin e duhur dhe duke u rritur në kontinuitet”, kështu ka thënë për Titulli.com, Arbër Pajaziti kyetar i degës së Alternativës për Ndryshim në Bujanoc. Ai gjatë një interviste për Titulli.com theksoi se APN nuk do të jetë parti që do të pres oferta nga partitë tjera por se do ti japi oferta partive tjera sepse pretendojnë të dalin të parët. “Synimi ynë janë të rinjët e ata mund të kenë qenë në LPD, PVD, PD apo edhe ata që nuk kanë qenë të përfshirë më herët në ndonjë subjekt politik”, tha Pajaziti.

Duke folur për pushtetin lokal ai ka akuzuar qeverisjen aktuale për nepotizëm dhe hapjen e OJQ-ve për interesa të tyre ndërsa është shprehur se ekzistojnë pushtete paralele dhe mosmarrëveshje mes partnerëve të koalicionit.

Titulli.com: Fillimisht na tregoni si po ecën funksionimi i degës së Alternativës për Ndryshim në Bujanoc. Nga ajo që është dëgjuar më herët në opinion se partia juaj për synim ka elektoratin e Lëvizjes së Progresit Demokratik. Na thoni të vërtetën?

Pajaziti: Alternativa për Ndryshim që nga themelimi në dhjetor të vitit 2017, ka funksionuar normalisht, duke qenë e gatshme për çdo lloj gare zgjedhore, jemi konsoliduar shpejtë, për një ofertë të re politike në Bujanoc. Na u afruan dhe na u bashkëngjitën shumë individë dhe grupacione, qofshin nga strukturat ekzistuese partiake ashtu edhe njerëz të pa inkuadruar në politikë. Kësaj valle i printe rinia, ajo që më së shumti ishte e prekur nga “ status-quoja “ politike dhe stagnimi shumëvjeçar shoqëroro-politik. Synimi ynë janë të rinjtë e ata mund të kenë qenë në LPD, PVD, PD apo edhe ata që nuk kanë qenë të përfshirë më herët në ndonjë subjekt politik. APN nuk është parti që i ka grumbulluar të pakënaqurit e partive tjera, por rreth vetes ka njerëzit të cilët nuk e durojnë më këtë gjendje politike të cilën na ka sjellë kjo klasë politike e viteve të fundit.


Titulli.com: Në procesin e fillimit të themelimit ishte një entuziazëm më i madh ndërsa tani duket se është zbehur paksa, ku është problemi sipas jush apo nuk keni përkrahjen e nevojshme nga qendra e APN-së në Preshevë?

Pajaziti: Çdo gjë e re në fillim të krijon përshtypjen e një entuziazmi, por e vërteta është se ne jemi duke ecur me ritmin e duhur dhe duke u rritur në kontinuitet. Në fillim ishte Këshilli Nismëtar, pastaj shtrirja nëpër nëndegë, mbajtja e kuvendit të degës dhe e gjithë kjo punë i ka bërë kureshtarë njerëzit, e sidomos udhëheqësit e partive të vjetra politike, për të parë se kush po radhitet në APN dhe kush po ik nga partitë tjera, sepse ka shumë të rinj nëpër partitë tjera të cilët asnjëherë nuk e kanë pasur mundësinë që ta ngritin zërin e tyre dhe të kontribuojnë me ide ndryshe në vendin ku ata jetojnë. Entuziastë kanë qenë të tjerët, ndërsa ne kemi qenë të matur, të kujdesshëm dhe kemi treguar pjekuri politike. Sa i përket përkrahjes nga Presheva ajo nuk ka munguar në drejtim tonin e as anasjelltas, por ne e kemi sqaruar disa herë se APN në Bujanoc ka autonomi politike si degë, proceset zgjedhore si, zgjedhjet për KNSH dhe zgjedhjet parlamentare, ne funksionojmë si dy trupa me një mendje, ndërsa për zgjedhjet lokale jemi si parti krejtësisht e pavarur.

Titulli.com: Në zgjedhjet e Këshillit Kombëtar Shqiptar të mbajtur vitin e kaluar keni dalë për herë të parë në procesin e votimit edhe në Bujanoc. A jeni të kënaqur me numrin e votuesve dhe çfarë rezultati prisni në zgjedhjet e ardhshme lokale dhe a keni përjashtime në koalicione të mundshme?

Pajaziti: Zgjedhjet e KNSH-së kanë qenë një test shumë i rëndësishëm për të gjitha partitë politike, por në veçanti testi më i rëndësishëm për APN-në, sepse ishte gara e parë për neve. Këto zgjedhje i shuan shumë dilema, dhe treguan se APN është faktor i patjetërsueshëm edhe në komunën e Bujanocit. Pritshmëritë tona nuk kanë qenë larg prej asaj ku ne kemi arritur, duke pasur parasysh faktin se në partinë tonë gravitojnë kryesisht gjeneratat e reja dhe dihet që ky proces përveç mosinteresimit të qytetarëve për të dal në votime, ne si APN jemi ballafaquar edhe me disa probleme tjera si ato teknike dhe politike. Njerëzit tanë nuk kanë qenë në listën e posaçme zgjedhore, mungesa e komisionarëve tanë nëpër vendvotime, presion i paparë deri më sot nga partitë e vjetra për ti penguar qytetarët që mos të votojnë listën tonë e deri te kërcënimet e atyre pak komisionarëve të cilat pasuan me vjedhje të votave. APN doli faqebardhë dhe rezultati i arritur në këto zgjedhje i ka trembur pa masë subjektet tjera politike të cilët definitivisht e kanë kuptuar se APN është parti serioze dhe se në çdo kohë është pretendente për të qenë bartëse e pushtetit. Për zgjedhjet e ardhme, kurdo që mbahen ato, ne jemi të gatshëm dhe jemi pretendent për të dal të parët, kjo bazuar në disa faktorë: Përkrahjen që ne po gjejmë në popull, dështimin 18 vjeçar të partive të vjetra dhe me ide të vjetra, dëshirën e qytetarëve për të ndryshuar këtë gjendje, dhënien e shansit gjeneratave të reja për një udhëheqje kreative dhe ndëshkimin që duhet ti bëhet atyre që e kanë sjellur popullin në këtë gjendje për vite me radhe. APN nuk do të jetë parti që do të pres oferta nga partitë tjera, ne do ti japim oferta partive tjera sepse ne do te dalim te parët. Përjashtime do të kemi për idetë e prapambetura, për ata që e thellojnë përçarjen mes shqiptarëve dhe për ata të cilët interesin personal e kanë prioritet politik. Pra për të gjithë ata që dëshirojnë të bëjnë ndryshime pozitive në këtë vend ne jemi të hapur.


Titulli.com: Në opinionin lokal flitet se për themelimin e degës së partisë suaj në mënyrë indirekte kanë kontribuuar edhe PVD por gjithashtu tani flitet se keni krijuar një lidhje të afërt më Partinë Demokratike kundrejt qeverisjes aktuale lokale në Bujanoc. Si i komentoni këto?

Pajaziti: Në fillim pati shumë dyshime në paraqitjet tona, madje disa nga rivalët politik na quanin s’i dorë e zgjatur të një subjekti tjetër politik, bile të tilla pohime kemi edhe sot e kësaj dite. Këto nuk janë vetëm thashetheme, këto janë propaganda tendencioze të porositura nga partitë rivale, me qëllim dëmtimin e APN-së dhe për të shkaktuar huti tek qytetarët. Fakti që flitet herë ashtu e herë kështu, tregon qartë se këto gjëra nuk janë të vërteta. Ne nuk kemi faj pse dikush është paranojak dhe merret me teori konspirative. APN është parti politike e dalë kryesisht nga rinia e cila nuk duron më, nepotizmin, korrupsionin, familjarizimin, diktaturën, shantazhet, përçarjet, pabarazinë dhe patriotizmin folklorik. Rinia në Bujanoc kërkon ndryshim, kërkon një udhëheqje ku të rinjtë nuk janë e ardhmja por janë e tashmja, ata duan që vet të vendosin për fatin e tyre përmes punës pragmatike, tolerancës, transparencës, vendimmarrjes, kreativitetit dhe sinqeritetit.


Titulli.com: Sipas jush si po funksionon qeverisja lokale në Bujanoc dhe çka duhet përmirësuar në interesin e përgjithshëm shoqërorë?

Pajaziti: Qeverisja lokale në Bujanoc nuk është duke punuar në interes të qytetarëve, por për interes të ngushtë partiak dhe klanor. Nuk ka harmonizim të politikave, brenda këtij pushteti, ka pushtete paralele nga partnerët e koalicionit dhe për shkak të interesave të ngushta të disa njerëzve, bartësit e pushtetit detyrohen të heshtin, e gjithë kjo gjendje shkon në kurriz të qytetarëve. Shikoni gjendjen kaotike me parkingjet dhe me mbeturinat në qytet, punësime nuk ka, rinia çdo ditë po largohet drejt Evropës, subvencionet ndahen në baza partiake, pushtetarët hapin çdo ditë OJQ për ta shpërblyer vetveten, klubet sportive favorizohen dhe ndëshkohen në baza partiake, korrupsioni është duke lulëzuar, sidomos përmes ndërtimeve pa leje dhe legalizimeve të shtëpive, ndërsa bartësit e pushtetit i hedhin hi syve të qytetarëve duke folur për tema të mëdha dhe duke u fshehur pas idesë së bashkimit të Luginës me Kosovën. Po të shikohet me cilat premtime kanë ardhur në pushtet dhe çka kanë realizuar prej saj për këto 3 vite, rezultati është ZERO. Me përgjegjësi e them se që nga viti 2002 kur shqiptarët erdhën në pushtet pas luftës së UÇPMB-së, kurrë më keq nuk ka qenë sa i përket ofrimit të shërbimeve ndaj qytetarëve në të gjitha sferat e jetës, e në veçanti punët më së keqi janë në ofrimin e shërbimeve të komunalisë dhe shëndetësisë. Ata që kanë marrë përgjegjësi publike duhet ti kryejnë punët e veta dhe duhet ta dinë se nuk janë pronarë të këtij vendi por janë shërbyes të qytetarëve dhe duhet të sillen si të tillë./Titulli.com/

 

Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration