Osmani takon ndihmëssekretaren amerikane Rand, shpreh shqetësimin për gjendjen e shqiptarëve në Serbi
Gjatë vizitës së saj në New York, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me Ndihmëssekretaren amerikane, Dafina H. Rand.
Përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, Osmani ka bërë të ditur se gjatë takimit me Rand, kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimit dhe për iniciativa të shumta, për të cilat thotë se Presidenca e Republikës së Kosovës është duke i çuar përpara për forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit dhe të drejtave të njeriut.
“Në takim, ndër të tjera, ngrita edhe shqetësimin për shkeljen flagrante të të drejtave themelore të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, si dhe spastrimin etnik nga Serbia nëpërmjet masave administrative”, ka shkruar Osmani, të martën më 24.09.2024.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po qëndron për vizitë zyrtare në SHBA.
Ajo ka shkuar në New York për Javën e Nivelit të Lartë të sesionit të 79-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.
Një ditë më herët, Osmani ka takuar edhe ish-presidentin Bill Clinton dhe ish-Sekretaren Hillary Clinton, të cilët i ka falënderuar për gjithçka që kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë për Republikën e Kosovës./kallxo/