OSBE: Votoni për Këshillin Kombëtar Shqiptar më 26 tetor
Në komunat Bujanoc dhe Preshevë ka qëndruar zëvendës ambasadori i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian në Serbi, Michael Ujehara, i cili ka zhvilluar takime me përfaqësuesit e komunave, Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe përfaqësuesit e listave që po marrin pjesë në zgjedhjet e 26 tetorit.
Ai i ka dhënë një mbështetje këtij rajoni rreth pjesëmarrjes në zgjedhjet për Këshillin Kombëtar Shqiptar.
“Misioni i OSBE-së ka një zyre në Bujanoc për më shumë se 10 vite dhe ne gjithmonë kemi ndihmuar si komunën tuaj ashtu edhe qytetarët e këtij rajoni në përmirësimin e situatës dhe bashkëpunimit me autoritetet qendrore”, deklaroi Ujehara.
Sipas tij procesi i zgjedhjeve për Këshillin Kombëtar Shqiptar është i rëndësishëm andaj ai ka porositur që të gjithë qytetarët që kanë të drejt vote, ditën e zgjedhjeve do të votojnë sipas preferencës së tyre.
Kohëve të fundit janë shpeshtuar vizitat e organizatave vendore dhe ndërkombëtare të cilat po mbështesin fuqishëm pjesëmarrjen e shqiptarëve në zgjedhjet e 26 tetorit.
Gjithashtu vlen të theksohet se është me rëndësi që qytetarët shqiptarë të verifikojnë se a gjenden në listat e posaçme zgjedhore për të votuar për institucionin përfaqësues të pakicës shqiptare në Serbi./Titulli.com/